Taksat rriten, investimet mungojnë’/ Alimehmeti për Ramën: Ai duhet të largohet, vetëm dorëheqje

Taksat rriten, investimet mungojnë’/ Alimehmeti për Ramën: Ai duhet të largohet, vetëm dorëheqje

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Ilir Alimehmeti, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po rikthen premtimet për uljen e taksave pas 13 vitesh në pushtet, pa i realizuar ato më parë.

Alimehmeti kujtoi se ulja e TVSH-së për produktet bazë dhe heqja e taksave mbi naftën ishin premtuar që në vitin 2013, duke i cilësuar zotimet e reja si premtime që rrezikojnë të mbeten sërish në ajër.

Ai tha se rikthimi i këtyre premtimeve lidhet me protestat dhe rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisë

Alimehmeti kritikoi gjithashtu modelin ekonomik të qeverisjes socialiste, duke deklaruar se taksat rriten, ndërsa investimet mungojnë, dhe akuzoi qeverinë se u merr qytetarëve para pa u kthyer shërbimet dhe investimet që ata presin.

Ai u ndal edhe te pakënaqësitë brenda kampit socialist, duke pretenduar se figura politike që Rama kishte ndërtuar brenda dhe jashtë vendit nuk ekziston më.

Në përfundim, Alimehmeti deklaroi se premtimet e reja nuk ndryshojnë thelbin e situatës politike dhe kërkoi largimin e kryeministrit: “Sot diskutimi është i thjeshtë, nuk ka vend as për dialog, as për diskutim. Ai duhet të largohet, vetëm dorëheqje”.

Pjesë nga intervista:

Kujtojmë që këtë gjë, pra uljen e TVSH-së për produktet bazë, e premtuan që në vitin 2013. Ky ka qenë një nga ato premtimet e famshme, si dhe heqja e taksave te nafta, që s’e bënë kurrë.

Pra, fakti që s’e kanë bërë për 13 vite dhe s’i kanë mbajtur premtimet që kishin, tregon shumë qartë se pse e bëjnë tani. Çfarë ndodhi tani?

Ata ishin 13 vjet, ata e bënin buxhetin vetë për 13 vjet. Nëse e bëjnë tani, mbetet për t’u parë, se mund të jetë edhe ky premtim në ajër.

Patjetër që të djathtës ulja e taksave i shkon gjithmonë, se e djathta këtë bën: ul taksat, ka një qeveri më të vogël, nuk shkon të abuzojë me buxhetin siç bëjnë qeveritë e majta dhe, si rrjedhojë, ka më pak nevojë të marrë para nga qytetarët, duke qenë se ka një shpenzim më të vogël administrativ, qeveritar e me radhë.

Qeveritë e majta bëjnë pikërisht këtë gjë: shteti merr rolin e biznesit, thotë: “E di unë si bëhet kjo punë, unë do t’ju marr paratë juve dhe pastaj do ta bëj unë”.

Tani, ne e dimë se si janë këta të majtët tanë, se ndonjëherë e ngatërrojmë me të majtën daneze, suedeze, me ca vende të tjera që kanë një tjetër lloj të majte, dhe harrojmë këta tanët, që janë thjesht njerëz që shohin nga xhepat tanë se si t’i zbrasim dhe jo çfarë të kthejnë mbrapsht.

E njëjta gjë ndodh në çdo sektor, pra në gjithë piramidën ku bëjnë buxhetet Partia Socialiste, si dhe te Bashkia e Tiranës. E njëjta gjë do të shkojë edhe aty, se shkojnë rreth këtyre elementeve. Është i njëjti format: taksat rriten, investimet nuk vijnë.

Pra, kur vjen puna që të marrim një investim, si do të bëhet një rrugë 23 mijë euro nëse nuk rrit taksat? Si do të arrish t’i bësh këto vjedhje? Nuk i bën dot nëse nuk i ke paratë. Atëherë shkon aty, te taksat, te bizneset.

Kurse, për sa i përket kësaj lëvizjeje, po themi, këtij ndryshimi modus operandi, patjetër e ka nga protesta, prandaj është i shqetësuar. Ai është në një gjendje mbijetese sot. Duhet të kuptojmë gjendjen psikologjike që ka Edi Rama: sikur të fitojë një ditë, e ka fitore; sikur një javë, një muaj.

Keni parë ndonjëherë ndonjë vend në botë, në demokracinë më të mundshme dhe më të lirë, ndonjë kryeministër që ka lajmëruar një ditë përpara që nesër do të japë dorëheqjen? Jo.

Kur jep dorëheqjen ai kryeministër, lexon një letër, jep dorëheqjen dhe largohet, në botën më të civilizuar.

Tani mendoni këtë anë tonën të botës dhe këtë Shqipërinë tonë, që demokracinë, më duket, edhe atë faqen e fjalorit e ka grisur, nuk e ka fare atë faqe.

Tani imagjino pse do të vijë me deklaratë kjo. Absolutisht, kështu do të vijë, pak nga pak, nga pak, goditje pas goditjeje, se ju po shihni që janë të vetët ata që po i kthehen kundër. Pra, brenda kampit socialist, situatë që, patjetër, ata janë shumë të kujdesshëm që gjithë këto zëra të mos dalin jashtë, të mos bëhen shumë publikë, se edhe mediat i kanë vetë dhe nuk i japin shumë jehonë kësaj pune. Por pakënaqësia ka dalë sheshit, se ne jemi në terren, jemi me njerëzit dhe shohim që të gjithë i kanë sytë e çelur. Pra, ajo figurë që kishte krijuar ai, ai piar që kishte krijuar Edi Rama, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit, tani nuk ekziston më.

Dhe tani ai është kthyer te arroganca dhe te premtimet boshe. Këto janë seri premtimesh, se këto i marrin edhe në kuadër të një fushate elektorale që po vjen, ku gjithmonë vijnë këto premtime: jo uji, jo taksat, etj., etj., dhe këto asnjëra nuk bëhen.

Janë mësuar njerëzit. Kjo është arsyeja që të rinjtë tanë sot nga Edi Rama nuk presin më asgjë dhe, personalisht, as unë nuk i dëgjoj deklaratat e tij, sepse s’ka arsye t’i dëgjoj. Sot diskutimi është i thjeshtë: nuk ka vend as për dialog, as për diskutim. Ai duhet të largohet, vetëm dorëheqje

Share it :