Bardhi: Begaj ministër pa portofol në shërbim të Ramës, përbuz teatrin politik për datën e zgjedhjeve
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj letrës së Presidentit Bajram Begaj për konsultime lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore, duke e cilësuar procesin si një ‘teatër politik’ për një datë që, sipas tij, është paracaktuar nga kryeministri Edi Rama.
‘E përbuz me neveri këtë teatër politik’, shprehet Bardhi, i cili e cilëson ftesën e Presidentit si të shpërfillshme dhe akuzon Begajn se nuk po përmbush rolin e tij kushtetues.
Bardhi thekson se qytetarët shqiptarë janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas tij, Presidenti duhet ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në protesta.
Reagim i Gazment Bardhit:
Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik.
Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës.
Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh.
Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson.




