Konflikti GJKKO-Avokati/ Meta: Pasoja të rënda për procesin gjyqësor, vijim i telenovelës ‘Drejtësi me Regji
Presidenti i PL, Ilir Meta ka reaguar sërish pas vijimit të konfliktit, që siç e konsideron ai është i qëllimshëm mes GJKKO dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Meta shkruaj se bojkoti i proceseve gjyqësore vijon të ketë pasoja shumë të rënda të cilat cenojnë, jo vetëm interesat e shtetit, por edhe vetë proceset e rregullta ligjore.
Sipas Metës, gjithashtu heshtja e Këshillit të Lartë Gjyqësor cenon rëndë besimin te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore.
Natyrisht, ky konflikt me regji, është vijim i telenovelës “Drejtësi me Regji”, e cila ka asgjësuar prej kohësh shtetin e së drejtës me qëllim instalimin e Narkodiktaturës të vetme në Europë’, përmbyll reagimin presidenti i PL.
Statusi:
Vazhdimi i konfliktit të qëllimshëm GJKKO e Shkallës së Parë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë vazhdon të sjellë pasoja shumë të rënda me zvarritjen e proceseve gjyqësore, të cilat cënojnë, jo vetëm interesat e shtetit, por edhe vetë proceset e rregullta ligjore, si edhe cenojnë rëndë mbrojtjen efektive të qytetarëve të përfshirë në këto procese.
Akoma më e rëndë bëhet kjo situatë kur Kuvendi jo vetëm që ka dy muaj që hesht dhe bën sikur nuk shikon, por edhe të vetmen nismë ligjore të ndërmarrë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, në datë 14 tetor 2026, e refuzoi më datë 22 tetor 2026 ta përfshijë në kalendarin e punimeve.
Po kështu, heshtja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, prej dy muajsh, cënon rëndë besimin te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore.
Heshtja dhe mosreagimi i çdo aktori institucional që ka përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore, dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një konflikt me regji politike në interes vetëm të Edi Ramës dhe organizatës që ai drejton.
Natyrisht, ky konflikt me regji, është vijim i telenovelës “Drejtësi me Regji”, e cila ka asgjësuar prej kohësh shtetin e së drejtës me qëllim instalimin e Narkodiktaturës të vetme në Europë.




