Nëntoka pasuron Albpetrolin, jo shqiptarët: 60 milionë euro naftë shkojnë për rroga e tendera

Nëntoka pasuron Albpetrolin, jo shqiptarët: 60 milionë euro naftë shkojnë për rroga e tendera

Teksa shqiptarët paguajnë ndër çmimet më të larta të karburanteve në botë, Albpetrol shiti 60 milionë euro naftë tek dy kompani shqiptare. Sipas dokumenteve, fituese në ankand u shpallën kompanitë “Europetrol Durrës Albania” SHA dhe “Bitex Refinery” SHA, të cilat morën pjesë në garë si bashkim operatorësh ekonomikë.

Kjo sasi e madhe hidrokarburesh është prodhuar tërësisht nga nëntoka shqiptare. Mirëpo, në vend që ky burim kombëtar të shkonte për të zbutur apo ulur çmimet stratosferike të naftës që qytetarët shqiptarë paguajnë çdo ditë nëpër pikat e karburanteve, të ardhurat e gjeneruara do të shkojnë për të mbuluar rrogat e administratës dhe tenderat e radhës brenda vetë kompanisë shtetërore Albpetrol.

Përmes njoftimit zyrtar, konsorciumit fitues i kërkohet të paraqesë sigurimin e kontratës në vlerën ekzakte prej 557,287,210 lekësh dhe të nënshkruajë marrëveshjen zyrtare brenda 15 ditëve. Procesi i evadimit të plotë të sasisë prej 101,400 tonësh naftë do të shtrihet në një kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Vendndodhja dhe Grafiku i Dorëzimit të Naftës
Tërheqja e sasisë së naftës bruto nuk do të bëhet menjëherë, por do të shpërndahet në mënyrë të gradualshme përgjatë një viti, me një ritëm prej 8,450 tonësh në muaj.

Produkti ndodhet i depozituar në gjashtë pika të ndryshme të administruara nga shoqëria Albpetrol: Zharrëz, Usojë, Visokë, Gorisht, Kuçovë dhe Amonicë.

Sipas kushteve të përcaktuara, kompanitë fituese janë të detyruara të kryejnë pagesat përmes transfertave bankare përpara tërheqjes së çdo sasie mujore, sipas grafikut të kontratës.

Struktura e Çmimit dhe Vlera e Kontratës
Shuma e sigurimit të kontratës prej plot 557.28 milionë lekësh përfaqëson saktësisht 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës globale. Kjo e çon projeksionin total të të ardhurave për Albpetrolin në rreth 5.57 miliardë lekë (afërsisht 61.4 milionë euro).

Konsorciumi u shpall fitues në pikat e lëvrimit me formulën: 77.51 % e Çmimit Brent – 4.448 USD/bbl + K, ku elementi kryesor konkurrues K u ofrua në vlerën 0.0105 USD/bbl pa TVSH.

Share it :