Associated Press: Gaz lotsjellës dhe ujë me presion, policia përleshet me protestuesit

Associated Press: Gaz lotsjellës dhe ujë me presion, policia përleshet me protestuesit

Agjencia e njohur amerikane e lajmeve Associated Press i ka kushtuar një artikull protestave antiqeveritare në Shqipëri, ku për të tetën ditë radhazi janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe policisë në kryeqytet. Sipas AP-së, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, ndërsa demonstruesit hodhën gurë, flakadanë, bomba molotov dhe fishekzjarrë gjatë përplasjeve në qendër të Tiranës.

Në protestë janë përfshirë edhe gjimnazistë dhe studentë universitarë, të cilët kërkojnë uljen e tarifave të studimit, rritjen e investimeve publike në arsim dhe luftën kundër korrupsionit në sistemin arsimor. Kërkesave të tyre u është bashkuar edhe thirrja e lëvizjes më të gjerë antiqeveritare për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Agjencia amerikane thotë se qytetarët po protestojnë për rritjen e kostos së jetesës, problemet në arsim, dobësimin e shërbimeve publike dhe vështirësitë për të siguruar strehim të përballueshëm.

Shkrimi rikujton gjithashtu protestat e muajve të fundit kundër një projekti të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, të lidhur me një kompani investimesh të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Duke komentuar protestat, kryeministri Edi Rama i cilësoi aktet e dhunës si një përpjekje për të ndryshuar pushtetin përmes forcës.

“Një valë gurësh, një përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndryshuar ata që janë në pushtet përmes imponimit të dhunës”,deklaroi Rama, sipas Associated Press.

Kryeministri argumentoi se shqetësimet e qytetarëve për koston e jetesës, strehimin dhe të ardhmen po shfrytëzohen nga persona që, sipas tij, nxisin qëllimisht dhunën gjatë demonstratave. Ai i akuzoi protestuesit se po krijojnë një klimë terrori në kryeqytet dhe i përshkroi studentët e përfshirë në protesta si pjesë të rrymave në zhvillim të ekstremizmit politik.

Share it :