Brez Tik Tok-u…”/ Rama sulmon sërish protestuesit: Qënie të verbra, njerëz pa shkollë
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit, duke i cilësuar si të rinj që nuk kërkojnë paqe, por përmbysje, ndërsa i ka lidhur protestat si një frymë dhe ideologji që synon shkatërrimin e gjithçkaje.
Gjatë një takimi me Policinë e Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Rama i cilësoi ato si një valë dhune, ndërsa ka shpërthyer në ofendime ndaj protestuesve, të cilët sipas tij, janë njerëz pa shkollë që nuk lidhin dot 7 fjalë bashkë.
“Valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë nga arsyet e një vendi demokratik për të kërkuar më shumë nga qeveria e për të pasur pakënaqësi. Erdha sërish me këtë me vete, sepse duhet ta mbash në dorë, ta peshosh, ta llogarisësh sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve nën uniformë dhe se çfarë mund të bëjë mbi këdo.
Me këtë nuk negociohet. Me këdo që vë përpara këtë nuk negociohet sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Kur fiton ky atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë dhe pasojat e tij janë plagë që duan vite të shërohen.
Të rinjtë e kësaj nuk duan paqe por përmbysje, janë të rinj të idealizuar nën frymëzimin e asaj force të errët e të re që është shfaqur në Europë, që Trump e ka shpallur organizatë terroriste.
Kjo nuk do të thotë që të rinjtë që mendojnë se jeta është TikTok, dhe me Tik Tok dhe pa lidhur dot7 fjalë bashkë do të bëjnë Shqipërinë. Janë pengje të një fryme dhe ideologjie të re që ka vetëm një mision: Shkatërro, rrëno gjithçka, bëje rrafsh sepse do ta nisim nga e para”,- u shpreh Rama ndër të tjera.




