Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet! Berisha: Jagot e Ramës në protestë i monitorojmë! Edi Ramen e pret burgu
Lideri i opozitës, Sali Berisha, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas sulmit me gaz lotsjellës ndaj selisë blu, duke deklaruar se çdo i mitur që sulmohet do të gjejë mbrojtje nga PD-ja, në përputhje me ligjin.
I pyetur për pretendimet e policisë se në seli ndodheshin persona të maskuar dhe të armatosur, Berisha tha se nuk ishte i informuar për këtë, ndërsa theksoi se maskat po përdoreshin për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës.
Berisha akuzoi policinë se kishte hedhur sasi të mëdha gazi në oborrin e selisë, duke shkaktuar probleme shëndetësore te personat që ndodheshin aty, ndërsa ambulanca kishte marrë një prej tyre. I pyetur se përse kishte shumë njerëz në selinë e PD-së, pavarësisht mungesës së një aktiviteti politik, kreu i opozitës deklaroi se prania e tyre lidhej me skenarin që ai pretendon se ishte paralajmëruar më herët, duke shtuar: “Jagot e Ramës në protestë, ne i monitorojmë.”
Pyetje-përgjigje
Pyetje: Zoti Berisha, ju sapo folët për një skenar për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike? Ndërkohë nga ana tjetër ka një pretendim nga policia se në selinë blu ishin fshehur persona të maskuar dhe të armatosur, ndaj për këtë arsye dhe policia ka qëlluar me gaz.
Sali Berisha: Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri. Ata që sulmojnë të miturit, ata shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit. Unë nuk isha i informuar me këtë, por unë i përgëzoj demokratët që i kanë marrë në mbrojtje ata dhe do t’i marrin në mbrojtje, sepse ky është një narkoshtet që sulmon të miturit. A mund ta imagjinoni ju vetë se çfarë janë këta?
Pyetje: Keni patur persona të maskuar zoti Berisha? Se ka dy pretendime policia, jo vetëm të mitur por edhe persona me maska.
Sali Berisha: Tani, ju mund ta thoni këtë edhe… nuk e përjashtoj, ta them, nuk e di, nuk e di, që të jem i drejtë. Po maska kanë të gjithë njerëzit sot për shkak të gazit. Sot ka gaz, këta janë të çmendur.
Këta janë njerëz janë kriminelë. A e keni parë si sillen, sillen si lopë të çmendura, si kafshë të çmendura sillen ndaj protestuesve. Dhe maskë edhe ju secili ju këshilloj që edhe ju secili prej jush të mbani maskë për t’u mbrojtur. Për t’u mbrojtur nga gazi që hedhin, një gaz toksik që hedhin kudo.
Tani imagjino ti, këtu në oborr, që është ambient i hapur, njerëzit nuk frynin dot nga gazi. Kishin hedhur aq shumë gaz në oborr në fillim saqë edhe u sëmurën, i mori ambulanca. Ndaj dhe ata, pse vijnë të miturit, mirë se të vijnë dhe ata do gjejnë këtu mbrojtje, do gjejnë të gjithë mbështetjen për çdo nevojë që të kenë. S’mund të kenë asnjë pasojë.
Pyetje: Pse në selinë e Partisë Demokratike kishte shumë njerëz duke patur parasysh se nuk kishte asnjë aktivitet politik?
Sali Berisha: Bravo. Absolutisht kishte shumë njerëz pikërisht për atë skenarin që unë njoftova. Dhe do ketë. Ne e monitorojmë. Ne e monitorojmë atë. Jagot e Ramës në protestë, ne i monitorojmë.




