Një ndeshje e rëndësishme për historinë europiane të Egnatias do të zhvillohet në një atmosferë të pazakontë. Në prag të përballjes me Midtjylland në Ligën e Konferencës, grupimi i tifozëve Ultras Egnatia ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm në stadium, duke zgjedhur të bojkotojë takimin në shenjë solidariteti me studentët që protestojnë në vend.
Përmes një reagimi publik, tifozët kanë bërë të ditur se vendimi i tyre lidhet me mbështetjen për protestat studentore dhe kërkesat e ngritura prej tyre. Kështu, një prej ndeshjeve më të rëndësishme të klubit rrogozhinas në arenën ndërkombëtare do të shoqërohet edhe nga ky qëndrim i tifozërisë. “Në shenjë solidariteti me studentët. Në mbështetje të protestave të studentëve dhe kërkesave të tyre. Ultras Egnatia bojkoton ndeshjen. Sot heshtja jonë është mesazh solidariteti”, shkruan Egnatia.





