Pas qëndrojnë “duart e errëta”/ Teoria e komplotit që po përpiqet të përhapë qeveria për revoltën e studentëve
Anetartet e kabinetit shperndajne idene se pas revoltes mund te fshihen duart e erreta te te huajve
E mbyllur në kullën e saj të shurdhërisë mazhoranca rilindase e cila nuk do të pranojë se ia ka sjellë qytetarëve në majë të hundës, po përpunon teori konspirative për ata që qëndrojnë pas asaj që ka ndodhur ditët e fundit në vend.
Togfjalëshi që dëgjohet më shpesh është ai i “duarve të errëta”, që duket si i kopjuar nga koha e rregjimit komunist, i cili i cilësoi protestat që kërkonin rrëzimin e tij si produkt i “forcave të errëta”.
Ky togfjalësh u përdor sot nga ministrja e arsimit Mirela Kumbaro, në përshkrimin që i bëri sulmeve ndaj institucionit që ajo drejton. Kumbaro u kujdes të thotë se “të gjithë e dinë të kujt janë” ato duar të errëta.
Nisur nga fakti se edhe Taulant Balla, ndonjë deputet periferik apo ndonjë opinionist i bindur patën fajësuar PD dhe Berishën, shumëkush mendoi se me “duart e errëta” nënkuptohej opozita. Kjo u përforcua edhe më shumë kur me daljen e tij të enjten një mëngjes Edi Rama e rimori idenë e “duarve…” që fshihen pas. “Këto janë të tjera duar! Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart”, tha ai gjatë inspektimit të një mjedisi të shkatërruar nga protestuesit, duke u kujdesur që të nënkuptohet se pas qëndronte opozita, ose dikush tjetër.
Por këtë dilëme, atë se cili qëndron pas, sipas rilindasve, e zgjidh vetëm po kqyre me vëmendje deklaratën e gjatë të ministrit të Brendëshëm Ervin Demo një natë më parë. Demo në një prononcim me videoselfie, që dukej qartë që nuk qe i tiji, pasi aty dallohej hapur sintaksa dhe shprehje që i përdor vetëm shefi, e thellonte teorinë e komplotit të “duarve të errëta”. Ai fliste fjalë për fjalë edhe për “duart dashakeqe të të huajve”. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte aludimi komplotist shkonte dhe më tej: “Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte” tha ministri i brendshëm.
Çfarë dinte ai, se janë Iranianët, grekët, turqit apo antitrumpistët? Ai nuk pohoi më shumë, por njësoj si në kohën kur shpërtheu revolucioni i flamingove, qeveria po bën atë që bëjnë të gjitha rregjimet në fundin e tyre, po denoncon armikun e jashtëm.
Lapsi.al




