Të rinjtë italianë solidarizohen me studentët shqiptarë: U përballën me represion të dhunshëm
Rrjeti i Nxënësve të Shkollave të Mesme në Itali, “Rete degli Studenti Medi”, ka shprehur solidaritet me të rinjtë shqiptarë, të cilët prej dy ditësh kanë protestuar në Tiranë. Në një deklaratë publike, organizata italiane ka dënuar ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve, duke theksuar se kërkesat e brezit të ri duhet të marrin përgjigje përmes dialogut dhe jo represionit.
Në reagimin e titulluar “Solidaritet me studentët shqiptarë”, organizata thekson se të rinjtë kanë dalë në rrugë për të kërkuar arsim të aksesueshëm, shkolla më të mira dhe një të ardhme të ndërtuar mbi mundësi të barabarta, e jo mbi privilegje.
Sipas saj, mobilizimi i studentëve nxjerr në pah pabarazitë shoqërore, barrën e kostove të arsimit dhe problemet e një sistemi që shpesh e lë pas dore brezin e ri.
“Megjithatë, para Ministrisë së Arsimit, këta studentë u përballën me represion të dhunshëm”, thuhet në deklaratë.
Rrjeti i Nxënësve të Shkollave të Mesme nënvizon se ndërhyrjet e policisë nuk mund të jenë përgjigjja ndaj kërkesave të një brezi që kërkon të dëgjohet, të respektohet dhe të gjejë drejtësi.
“Kur brezi i ri del në rrugë për të kërkuar ndryshim, përgjigjja e institucioneve nuk duhet të jetë represioni, por dialogu dhe marrja e përgjegjësisë”, thuhet më tej në reagim.
Organizata italiane shprehet se mbështet plotësisht të rinjtë shqiptarë, duke theksuar se kauza e tyre është e përbashkët.
“Beteja e tyre është edhe beteja jonë. Hapësirat publike u përkasin atyre që luftojnë për një të tashme më të mirë – dhe asnjë shkop policie nuk mund t’i fshijë idetë”, thuhet në deklaratë.
Në fund, organizata bën të ditur se këtë të shtunë do të marrë pjesë në një grevë kombëtare në Romë, për të kërkuar garantimin e së drejtës për arsim, shkolla të sigurta e të aksesueshme dhe më shumë vëmendje ndaj kërkesave të të rinjve.
Reagimi mbyllet me mesazhin: “Krah studentëve shqiptarë. Një brez që bën jehonë”.




