Biznesmeni izraelit Saniel “Sani” Sanilevich duket se ka hedhur hapat e parë zyrtarë për të hyrë fuqishëm në tregun e ndërtimit të kullave të larta në Shqipëri.
Më 14 tetor 2026, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) është regjistruar zyrtarisht një kompani e re e quajtur “Needle Tower SHPK”. Kompania ka si objekt aktiviteti projektimin, zhvillimin dhe ndërtimin e objekteve civile, tregtare dhe rezidenciale. Aksioneri i saj është pikërisht Saniel Sanilevich, përmes kompanisë Sea Sun Capital.

Në krye të kompanisë si administratore e saj është emëruar Elle Goren (Elle Hefets Goren), e cila njihet botërisht si Drejtoresha e Operacioneve e kompanisë së Sanilevich, Sanilevich Real Estate and Entrepreneurship në Izrael.
Fakti që krahu i djathtë i Sanilevich dhe partnerja e tij e ngushtë në biznes është vënë në krye të kompanisë së re, konfirmon se biznesmeni izraelit po bëhet gati për një projekt masiv ndërtimi në Shqipëri.
A qëndron Sanilevich pas projektit “The Needle”?
Emri i kompanisë së re, Needle Tower SHPK, përkon në mënyrë të padyshimtë me projektin e bujshëm arkitekturor “The Needle” (Gjilpera), një kullë e planifikuar 200 metra e lartë për t’u ndërtuar në Tiranë.
Fillimisht kjo ishte një kullë parashikohej të ndërtohej në krah të ETC-së, por më vonë projekti ndryshoi vendodhje duke u spostuar në Qytetin Studenti.

Nuk dihet nëse kompania e re e Sanilevich është ngritur pikërisht për të realizuar këtë projekt. Por përputhjja e emrit të kompanisë me këtë projekt 200-metrash ngre jo pak dyshime.
Saniel Sanilevich është konsulli i nderit të Shqipërisë në Izrael dhe një mik i afërt i kryeministrit Edi Rama. mediat investigative në Izrael kanë zbuluar se Sanilevich po ndërton një prani të fortë ekonomike në Shqipëri.
Ai aktualisht është një prej aksionerëve të Jet Bank, ndërkohë që përflitet se qëndron pas projektit për privatizimin e tenderave të shëndetësisë.




