Rreth orës 18:30 të së martës, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, protestuesit ngritën një barrikadë me kangjellat metalike të shkulura nga trotuaret. Pak më vonë, mobiljet e nxjerra nga një zyrë mikrokredie, pranë ambasadës së Vatikanit, u përdorën për të ndezur një zjarr në mes të rrugës.
Policët e vendosur disa dhjetëra metra më tutje nuk ndërhynë fillimisht as për të penguar dëmtimin e biznesit dhe as për të shuar flakët. Vetëm pasi pjesa më e madhe e materialeve ishte djegur, forcat e rendit avancuan drejt barrikadës, duke përdorur autobotët me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Protestuesit, kryesisht studentë, gjimnazistë dhe të rinj, u tërhoqën drejt sheshit “Skënderbej”. Policia i ndoqi, ndërsa efektivë të saj goditën dhe ndaluan disa prej atyre që mbetën pas gjatë tërheqjes.
Skena të ngjashme u përsëritën përgjatë pasdites dhe mbrëmjes së 13 tetorit, pasi një protestë e thirrur nga studentët përpara Ministrisë së Arsimit u përshkallëzua në përleshje të dhunshme që vazhduan deri vonë.
Protesta, e cila nisi me thirrje kundër korrupsionit dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ishte përshkallëzimi më serioz i një lëvizjeje protestash që prej fundit të majit ka organizuar marshime pothuajse të përditshme në kryeqytet.
Të njohura fillimisht si “Revolucioni i Flamingove”, protestat nisën në kundërshtim të projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner. Ato u zgjeruan më pas në një lëvizje kundër korrupsionit dhe qeverisë së Ramës.
Pjesëmarrësit e këtyre marshimeve akuzojnë qeverinë se i ka shpërfillur kërkesat e tyre dhe se i ka paraqitur protestat si pjesë të një fushate të nxitur nga jashtë vendit.
Ndryshe nga marshimet e mëparshme, protesta e së martës tërhoqi edhe grupe të tjera, përfshirë deputetë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike në opozitë. Këta të fundit kishin munguar në protestat e përditshme, ku kritikat ndaj qeverisë shpesh janë shoqëruar edhe me thirrje kundër drejtuesve të opozitës.
Megjithatë, shumë prej studentëve që u përballën me policinë të martën kishin marrë pjesë në protesta prej muajsh.
“Kam qenë në protestë që ditën e parë”, i tha BIRN Kejsi, një studente e teknologjisë së informacionit, ndërsa pushonte mbi bordurat prej guri që rrethojnë sheshin “Skënderbej”, pas një tjetër ndërhyrjeje të policisë.
“Kam dalë fillimisht kur pashë se tërhoqën atë djalin zvarrë, por tani ka shumë gjëra. Universitetet janë shkatërruar. Korrupsioni po na mbyt”, tha ajo.
Për Kejsin, zemërimi është grumbulluar gjatë muajve të protestave, të cilat, sipas saj, nuk kanë sjellë asnjë reagim domethënës nga qeveria.
“Askush nuk na dëgjoi, qeveria u bë më arrogante. Vazhdoi të miratonte kulla. E pe kullën që miratuan te Tajvani?!”, pyeti ajo, duke iu referuar një projekti ndërtimi në qendër të Tiranës.
Nga protesta te përplasjet

Përplasjet nisën rreth orës 15:00, kur një grup protestuesish të maskuar, disa me kaska motori, sulmuan godinën e Ministrisë së Arsimit me gurë dhe sende të forta, duke thyer xhamat e dy kateve të para.
Protestues të tjerë shkulën kangjellat metalike përgjatë Rrugës së Durrësit, ndërsa disa persona hynë në oborrin e ministrisë dhe arritën deri në një nga hyrjet e ndërtesës.
Policia ndërhyri fillimisht me autobotë me ujë me presion, ndërsa më pas u përfshinë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Efektivët goditën dhe shoqëruan disa protestues, ndërsa qindra të tjerë u larguan drejt qendrës së qytetit dhe më pas drejt Kryeministrisë.
Forcat e rendit ndoqën një pjesë të protestuesve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa një grup tjetër u rikthye pranë Ministrisë së Arsimit.
Mes tyre ishin studentë që mbanin flamurin me kafkën e piratit nga seriali japonez One Piece, i kthyer në simbol të protestave të të rinjve të Gjeneratës Z në disa vende të botës.
“E gënjyem policinë. U thamë po shkojmë te Parlamenti dhe u kthyem këtu”, tha Kejsi, studente e vitit të tretë në Inxhinieri Telekomunikacioni, e cila protestonte së bashku me pesë shokë dhe shoqe të fakultetit.
Rikthimi i këtij grupi i dha një shtysë të re protestës. Zona mes sheshit “Skënderbej” dhe Ministrisë së Arsimit u kthye në epiqendrën e përplasjeve, me protestues që qëllonin me gurë autobotët e policisë dhe forcat e rendit që përgjigjeshin me gaz lotsjellës.
Gazi u përhap edhe në rrugët përreth, duke prekur jo vetëm pjesëmarrësit në protestë, por edhe kalimtarë të rastit.
Megjithatë, protestuesit dukeshin më të përgatitur për gazin sesa në përballjet e mëparshme me policinë.
Vajza të reja, të dallueshme nga shamitë e kuqe që mbanin, shpërndanin ujë dhe solucion fiziologjik për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga gazi.
Era e fortë, që në disa raste e kthente gazin në drejtim të pozicioneve të policisë, favorizoi protestuesit. Disa prej tyre përdorën kosha plastikë mbeturinash për të mbuluar granatat e gazit, ndërsa të tjerë i hodhën ato sërish drejt forcave të rendit, mes brohoritjeve të turmës.
Dhuna policore dhe protesta që nuk shpërndahej

Përdorimi i gazit lotsjellës vijoi me intervale prej rreth 20 deri në 25 minutash. Pas çdo ndërhyrjeje, policia avanconte përgjatë Rrugës së Durrësit, duke i shtyrë protestuesit drejt sheshit “Skënderbej”.
Në disa raste, efektivët goditën dhe ndaluan persona që po largoheshin nga zona e përplasjeve, pa bërë dallim të dukshëm mes atyre që kishin marrë pjesë në akte dhune dhe protestuesve të tjerë. Pamjet e publikuara nga protesta dokumentuan gjithashtu raste të goditjes së kalimtarëve të rastit.
Një studente e vitit të parë për regji në Universitetin e Arteve i tha BIRN se ishte goditur nga policia, megjithëse nuk kishte marrë pjesë në përleshje.
E ulur në një bordurë në anë të rrugës, ajo tregoi se gjatë ndërhyrjes kishte humbur atletet dhe ishte goditur me shkop gome në krah.
“Do më kishin qëlluar më shumë, por më mbrojti shoku im”, tha studentja.
Pavarësisht lëndimeve, ajo dhe miqtë e saj, të lagur nga uji me presion dhe të goditur gjatë ndërhyrjes policore, vendosën të mos largoheshin.
“Ne kemi dalë në protestë që nga fillimi”, tha ajo, duke përmendur korrupsionin dhe skandalet qeveritare si arsyet kryesore të pjesëmarrjes.
Studentë të tjerë, pasi merrnin ndihmë për efektet e gazit lotsjellës, ktheheshin sërish në protestë. Një pjesë u zhvendosën drejt Rrugës së Kavajës, duke bllokuar qarkullimin dhe duke krijuar një tjetër vatër përplasjesh me policinë.
Në vend që të shpërndahej përfundimisht, protesta vijoi të tërhiqte pjesëmarrës të rinj gjatë mbrëmjes. Mes tyre ishin edhe aktivistë që prej muajsh kishin protestuar çdo ditë përpara Kryeministrisë.
Por turma nuk ishte homogjene.
Ndërsa një pjesë e studentëve këmbëngulnin te kërkesat politike dhe lufta kundër korrupsionit, grupe të tjera u përfshinë në përballje të drejtpërdrejta me policinë dhe në shkatërrimin e pronës.
Mes protestuesve qarkullonin vazhdimisht paralajmërime për praninë e efektivëve civilë, të cilët, sipas tyre, merrnin pjesë në ndalimin e personave që shkëputeshin nga turma.
“Kujdes civilët”, bërtisnin disa protestues, ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin gazit lotsjellës.
“Qëndroni bashkë”, thërrisnin të tjerë.
Persona që merrnin përsipër organizimin e turmës u kërkonin vazhdimisht protestuesve të mos shpërndaheshin, të mos vraponin në panik dhe të ruanin pozicionet përballë ndërhyrjeve të policisë.
Me rënien e errësirës, përplasjet u bënë më të ashpra.
Tabela reklamash, sinjalistika rrugore dhe kosha mbeturinash u shkatërruan ose iu vu flaka përgjatë Rrugës së Durrësit. Protestuesit hoqën gjithashtu disa prej kangjellave që kufizonin trotuaret pranë sheshit “Skënderbej”, fillimisht për të krijuar rrugëdalje gjatë ndërhyrjeve me gaz, ndërsa më vonë i përdorën si barrikada kundër policisë.
Deri rreth orës 20:00, përplasjet vazhduan me të njëjtin ritëm, me policinë që avanconte dhe protestuesit që tërhiqeshin e më pas rigrupoheshin.
Përplasjet përhapen në qendër të qytetit

Gjatë mbrëmjes, protestuesit u shpërndanë në grupe më të vogla në disa rrugë të qendrës së Tiranës, duke e zhvendosur përballjen me policinë përtej zonës së Ministrisë së Arsimit.
Një grup sulmoi hyrjen e Bashkisë së Tiranës, e cila deri në atë moment kishte mbetur jashtë përplasjeve, megjithëse ndodhej vetëm pak metra larg tyre. Protestuesit i vunë flakën një dere të ndërtesës me flakadanë.
Grupe të tjera ngritën barrikada dhe u përplasën me policinë në Rrugën e Dibrës dhe në Rrugën e Barrikadave.
Gjatë gjithë protestës, disa pjesëmarrës kishin propozuar zhvendosjen e turmës drejt institucioneve të tjera qeveritare, një pjesë e të cilave dukeshin më pak të mbrojtura.
Megjithatë, policia kishte vendosur forca në rrugicat pranë ministrive dhe institucioneve të tjera, duke u përpjekur të pengonte përhapjen e mëtejshme të protestës.
Operacioni policor u shoqërua ndërkohë me incidente të tjera dhune, përfshirë goditjen e gazetarëve dhe kalimtarëve të rastit.
Në një prej rasteve më të rënda, një 19-vjeçar me këmbë të thyer u filmua teksa transportohej në mënyrë të pakujdesshme nga disa efektivë të pajisur me skafandra, pranë Parlamentit.
Pamjet shkaktuan reagime publike dhe një ditë më vonë, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin nga detyra të pesë punonjësve, përfshirë shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës.
“Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1”, thuhej në njoftimin zyrtar.
Policia bëri të ditur se kishte nisur hetim disiplinor dhe verifikime për incidentin.
Përplasjet e së martës lanë të lënduar dhjetëra protestues dhe disa kalimtarë. Të paktën 13 persona morën ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa Policia e Shtetit raportoi gjashtë efektivë të plagosur gjatë përleshjeve.
Incidentet shënuan një kthesë të fortë për lëvizjen e protestave, e cila deri atëherë ishte karakterizuar kryesisht nga marshime paqësore dhe tubime të përditshme.
Për një pjesë të aktivistëve që kanë marrë pjesë në protesta që prej majit, përshkallëzimi i dhunës solli zhgënjim dhe shqetësim. Megjithatë, shumë prej tyre e lidhin zemërimin e studentëve me mungesën e reagimit të qeverisë ndaj kërkesave të përsëritura.
“Por është i kuptueshëm mllefi kur ti nuk dëgjohesh prej katër muajsh”, i tha BIRN një grua që kishte marrë pjesë edhe në marshimet e mëparshme paqësore.
Protestues të tjerë e shohin përballjen e drejtpërdrejtë me policinë si pasojë të një krize gjithnjë e më të thellë besimi te institucionet dhe te gatishmëria e shumicës qeverisëse për t’i dëgjuar.
Pas katër muajsh marshimesh paqësore, protesta e së martës tregoi se zemërimi i grumbulluar nuk ishte zbehur. Përkundrazi, ai ishte shndërruar në një përballje që la pas të plagosur, dëme materiale dhe pikëpyetje mbi mënyrën se si autoritetet do t’i përgjigjen lëvizjes së studentëve. /BIRN




