Protestuesit djegin IUTE-n tek rruga e Durrësit

Protestuesit djegin IUTE-n tek rruga e Durrësit

Protesta para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar më tej.

Në Rrugën e Durrësit, një grup protestuesish të maskuar kanë sulmuar ndërtesën e IUTE-s, duke goditur xhamat me sende të forta dhe duke i vënë flakën ambienteve të brendshme. Pamjet tregojnë se zjarri është përhapur dhe ndërtesa është pushtuar e gjitha nga flakët.

Pamjet e tensionuara në Rrugën e Durrësit në Tiranë, ku protestuesit sulmuan dhe i vunë flakën filialit të institucionit të mikrokredive Iute Credit, i kalojnë kufijtë e një incidenti të thjeshtë dhune fizike.

Ajo që u shkrumbua në mes të kryeqytetit mbart një simbolikë të thellë e të zymtë: djegien e njërës prej të keqijave më të mëdha të tranzicionit shqiptar—modelit të babëzisë financiare dhe zhvatjes së të pamundurve.

Prej vitesh, institucionet e mikrokredive në Shqipëri janë shndërruar në sinonimin e një “makinerie” që ushqehet me varfërinë dhe dëshpërimin e qytetarëve.

Nën petkun e shërbimeve të shpejta dhe burokracive të pakta, ky sistem ngriti një rrjet të mirëfilltë kurtheve financiare, duke aplikuar interesa stratosferike që shpesh kalonin çdo logjikë tregu apo humanizmi. Për mijëra familje shqiptare, një kredi e vogël për të shtyrë muajin apo për të paguar një faturë u kthye në një makth të pafund, që përfundonte me sekuestro pronash, bllokim pagash dhe rrënim të plotë dinjiteti.

Zjarri në Rrugën e Durrësit la pas godinën e shkrumbuar, por mbi të gjitha nxori në dritë një të vërtetë të hidhur: kur institucionet shtetërore dështojnë të mbrojnë qytetarët nga zhvatja legale, rruga tenton ta vetëgjykojë atë me gjuhën e zjarrit dhe të rrënimit.

Share it :