Bashkohuni me ne! Studentët braktisin auditoret, marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit
Këtë të mërkurë studentët e Universitetit të Mjekësisë, të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit ku do t’u bashkohen studentëve të tjerë.
Më herët një protestë u paralajmërua para MAS rreth orës 14:00, pas asaj të djeshmes e cila agravoi në skena të dhunshme nga ana e policisë kundrejt studentëve protestues.
Gjatë marshimit të studentëve drejt Ministrisë së Arsimit, ata kanë bërë thirrje që qytetarët të bashkohen me ta.
Çohuni nga kafja!”, është thirrja që studentët u drejtojnë qytetarëve, duke kërkuar mbështetjen e tyre në protestë.
Marshimi i tyre po vijon në drejtim të Rrugës së Durrësit, ndërsa studentët po përpiqen të mobilizojnë dhe qytetarët që hasin gjatë lëvizjes në kryeqytet.
Paralajmërimi për bojkot ka ardhur nga disa Universitete dhe Fakultete, pas përleshjeve të dhunshme të një dite më pare, madje disa prej tyre përfunduan në spitalin e ‘Traumës’ me fraktura të rënda.
Edhe nxënësit e gjimnazit Partizani kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar rrugën para shkollës së tyre.
Sakaq një autobot me ujë është vendosur para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.




