Trump shkarkon ambasadoren në Athinë pas akuzave të rënda
Presidenti amerikan, Donald Trump, i tregoi Kimberly Guilfoyle-s derën e daljes nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Athinë, duke i dhënë fund mandatit të saj 11-mujor si ambasadore, pas publikimit të raportimeve mediatike që përmbanin akuza të rënda ndaj saj.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, tha gjatë konferencës së saj të parë me gazetarët se Guilfoyle-s i ishte kërkuar të jepte dorëheqjen.
Trump deklaroi: “Ajo po bënte një punë të mirë, por nuk na pëlqeu ajo që po lexonim”. Ai shtoi: “Ajo nuk ishte anëtare e familjes sime. Besoj se ka pasur një lidhje me djalin tim shumë kohë më parë”.
Në një postim, Guilfoyle shkroi: “Këto akuza janë të rreme dhe kam ndërmend të mbroj me vendosmëri emrin, reputacionin dhe integritetin tim”. Ajo tha se ishte veçanërisht krenare për punën e ambasadës.
Largimi i saj nuk habiti askënd në Uashington. Për ditë me radhë, zbulimet e njëpasnjëshme dhe shfrytëzimi i ashpër politik i çështjes nga demokratët i kishin shkaktuar dëme të panevojshme Shtëpisë së Bardhë, në një moment të ndjeshëm përpara zgjedhjeve.
Të hënën pasdite, teksa po nisej drejt Ohajos, Trump la publikisht të hapur mundësinë e shkarkimit të saj. Sipas raportimeve, vendimi ishte marrë përpara se ai të hipte në helikopterin presidencial Marine One.
Departamentit të Shtetit iu kërkua të shmangte komentet, ndërsa Shtëpia e Bardhë mori përsipër menaxhimin e krizës. Sipas të njëjtave raportime, shumica e bashkëpunëtorëve të presidentit mbështetën shpejt largimin e saj. Ndërkohë, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, thuhet se ishte irrituar nga pritja e bujshme që Guilfoyle i kishte bërë, e shoqëruar me shumë publicitet.
Demokratët në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan një hetim. “Dorëheqja nuk e mbron atë nga përgjegjësia”, shkruan ata, duke shtuar se Guilfoyle “e përdori pozicionin e saj si zyrtare e administratës Trump për t’u pasuruar, ndërsa familjet amerikane po përballen me vështirësitë e kostos së jetesës”.
Largimi i saj pritet të sjellë zvarritje në marrëveshjet mes Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Josh Huck, i ngarkuari me punë në ambasadë, do të kryejë detyrat e ambasadorit deri në emërimin e pasuesit të saj.
Kjo përfshin edhe të ashtuquajturën “paketa Rubio”, me vlerë gati 4 miliardë dollarë, që përfshin marrëveshje për shitjen e armëve, të finalizuara vetëm pak ditë përpara mbërritjes së sekretarit amerikan të Shtetit. Megjithatë, përpara nënshkrimit të kontratave, mbeten ende disa hapa proceduralë.
Në Athinë, partitë opozitare kërkojnë përgjigje. Dimitris Mantzos i PASOK-ut kërkoi një informim të detajuar mbi marrëveshjet e arritura gjatë vizitës së Rubios.




