Berisha: Padrino Edvin Kristaq Koleka tejkaloi dhunën e Ramiz Alisë, kjo ishte dita dhe nata e dhunës…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas protestës së studentëve, duke akuzuar policinë për ushtrim të dhunës ndaj protestuesve dhe qytetarëve gjatë tubimit të sotëm.
Në deklaratën e tij, Berisha e cilëson ndërhyrjen policore si një nga episodet më të rënda të dhunës ndaj të rinjve që prej dhjetorit të vitit 1990, ndërsa ngre akuza për plagosje të studentëve, qytetarëve dhe gazetarëve.
Ai ia atribuon përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama dhe shpreh solidaritetin me protestuesit.
Deklarata:
Dita e sotme dhe nata ishin dita e dhunës më të egër shtazore të regjimit ndaj rinisë studentore që nga dhjetori ’90 e gjer sot.
Sot ‘Padrino’ i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtroi ndaj studentëve në protestë paqësore, dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90 ndaj studentëve çlirimtarë.
Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetare dhe gazetarë që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare.
U thyen gjymtyrët, u gjakosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks dhe në gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste.
Dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrët, në kohë kur ai nuk po kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt, dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre.
Të tjerëve, banorëve, u kanë hedhur në ballkon bomba të gazit.
Gazetarëve të tjerë u kanë çarë kokën. Situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë. Protesta studentore e thirrur nga studentët dhe sindikata e universiteteve mori mbështetje të gjerë popullore nga qytetarët.
Dhe Edi Rama, i tmerruar, zgjodhi dhunën e egër ndaj studentëve. Shprehu urrejtjen e tij të pakufishme ndaj tyre.




