Nga “atdheu rezervë i hebrejve” te hapja e dyerve: Si po e afron Rama Shqipërinë me Izraelin

Nga “atdheu rezervë i hebrejve” te hapja e dyerve: Si po e afron Rama Shqipërinë me Izraelin

Pas deklaratave të ish sekretarit të shtetit Anthony Blinken në Tiranë, Ministri i jashtëm i Izraelit, u bë diplomati i dytë i lartë që e ngriti në qiell Edi Ramën gjatë një vizite në Tiranë. Por ndërsa për të parin vijojnë të gëlojnë teori të shumta konspirative, për ndihmesën që i dha regjimit shqiptar, motivet e Gideon Sa’ar janë shumë më të lexueshme. Edi Rama, me një vendim personal i ka shqyer dyert e vendit të vet për hebrenjtë.

Historia që është rigjallëruar veçanërisht muajt e fundit sidomos me propozimin e ngritjes së një muzeu hebraik në Vlorë, nis që në mars 2018, kur kryeministri ynë, hodhi një tezë që shumëkush e ka harruar, atë të Shqipërisë si “një atdhe rezervë për hebrenjtë”.

Deklarata u bë gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ku ai u nderua për kontributin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit.

Por kjo nuk qe një rastësi. Në Izrael në 24 tetor 2024 ai e përsëriti këtë tezë duke theksuar mundësinë e një atdheu të dytë për hebrenjtë.

Një muaj para kësaj, në 12 shtator 2024, gjatë vizitës së presidentit izraelit Herzog në Tiranë kryeministri e pati paraqitur lidhjen mes dy vendeve si pjesë të historisë dhe identitetit shqiptar. Në të njëjtën deklaratë, ai foli për mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe për mirëpritjen e turistëve, sipërmarrësve dhe profesionistëve izraelitë që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri.

Pikërisht këtu duket se qëndron edhe kleçka që shpjegon se si po manipulohet me kujtesën historike për ta kthyer atë në një vijë sjelljeje diplomatike dhe për ti hapur rrugën bizneseve izraelite. Në një kohë kur muzeumet e rëndësishme të vendit janë copë copë, qeveria ka gjetur 6.5 milionë euro për të ngritur mes polemikave të shumta Muzeun hebraik në Vlorë.

Ndërkohë që Rama bën rolin e historianit dhe flet për përqindjen e hebrenjve që kanë jetuar dikur në Orikum, marëveshjet qeveritare për depërtimin e kompanive izraelite, një një kohë që ato janë të anetemuara në shumë pjesë të Evropës, po procedon me shpejtësi.

Në shëndetësi, një nga projektet kryesore është partneriteti strategjik mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Sheba Medical Center të Izraelit, i shpallur më 24 janar 2025.

Gjatë një vizite në Sheba Medical Center, te muaj pas marëveshjes, Rama e paraqiti projektin si një partneritet afatgjatë që synon të transformojë shërbimin spitalor shqiptar ndonëse për të publiku nuk ka të ditura as kostot, as detyrimet financiare, as mënyrën e zbatimit dhe rezultatet konkrete. Sa pacientë do të përfitojnë? Çfarë pajisjesh dhe teknologjish do të transferohen? Cilat shërbime do të përmirësohen dhe si do të matet suksesi i projektit? Këto dilema i bën edhe më të forta një projektligj në emër të të cili thuhet se dha dorëheqjen edhe ish ministrja e shëndetësisë, Evis Sala, atë për të kaluar në një dorë të vetme, tek një kompani izraelite, importimin e barnave ddhe paisjeve të spitaleve.

Në fushën problematike të mbrojtjes, më 27 prill 2025, kompania shtetërore shqiptare KAYO nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me kompaninë izraelite Elbit Systems për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë. Projekti parashikon trajnimin e pilotëve ushtarakë dhe civilë, si dhe të kontrollorëve të fluturimit. Por ashtu sikurse u bë publike më vonë, në KAYO është aksioner, miku çifut i Ramës, Ron Yeffet, që flet në emër të qeverisë, premton gara pa tender dhe sikurse po heton SPAK është përfshirë në tregti ilegale armësh. Përfshirja e kompanive të tjera izraelite garantohet nga një marrëveshje kuadër me Izraelin për kapacitetet mbrojtëse e miratuar nga këshilli i Ministrave në 10 shtator 2025.

Një tjetër portë e hapur për izraelitët është ajo e sigurisë kibernetike. Pas sulmeve kibernetike të vitit 2022 ndaj institucioneve shqiptare, qeveria Rama e ka paraqitur bashkëpunimin me Izraelin si pjesë të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen e infrastrukturës digjitale. Në samitin Shqipëri–Izrael të 12 majit 2026, ku morën pjesë rreth 40 kompani izraelite, inovacioni, transformimi digjital dhe siguria kibernetike ishin ndër temat kryesore.

Hapja e dyerve për Izraelin nuk ka të ngjarë të shihet vetëm në biznes. Një dyshim i madh është se shteti hebre po ndikon në politikën e jashtme të vendit tonë duke e diktuar atë. Shembulli që përddoret shpesh është ai i i shtetit bektashi

Në shtator 2024, Edi Rama bëri publik propozimin për krijimin e një shteti sovran bektashi në Tiranë, me një status të veçantë dhe me disa tipare të krahasueshme me Vatikanin. Projekti u paraqit si një mënyrë për të promovuar moderimin fetar dhe tolerancën, duke e kthyer traditën bektashiane në një qendër ndërkombëtare shpirtërore.

Por menjëherë pas befasisë së kësaj ideje, të hedhur nga një njeri i vetëm, pa konsultim dhe me dyshimin se ajo kishte nga pas një lob të aq të fuqishëm sa zuri faqen e parë të New York Times, u ngritën disa pyetje: Pse u nevojitka një shtet i veçantë për të promovuar tolerancën? A është kjo zgjidhja më e përshtatshme për një vend laik? Cilat do të jenë kompetencat e këtij entiteti, marrëdhëniet e tij me shtetin shqiptar dhe mënyra e financimit?

Askush nuk mund të vërë dorën në zjarr, me prova, se pas kësaj ideje qëndronin lobet hebereje, që ishin të intersuara për promovimin e një islami tolerant. Por nga turqia e Erdoganit, shumë e ndjeshme në këtë pikë, erdhën sinjale të forta, sidomos prej shtypit të kontrolluar turk.

Më 23 shtator 2024, gazeta turke Sabah publikoi një koment të gazetarit Melih Altınok me titullin: “A është shteti bektashi një projekt i Izraelit”? Edhe agjencia turke A Haber publikoi një shkrim që ngrinte pyetjen nëse pas projektit qëndronin Izraeli dhe George Soros, duke e vendosur nismën në një kontekst më të gjerë të rivalitetit për ndikim në Ballkan.

Në Turqi pati gjithashtu kundërshtime nga përfaqësues të komuniteteve alevi-bektashiane, të cilët vunë në pikëpyetje nevojën për një shtet fetar dhe përputhshmërinë e tij me traditën laike.

Afrimi i linjës diplomatike shqiptare me atë të Telavivit u vu re edhe në vizitën që kryeministri bëri në Izrael, pas sulmeve të 7 tetorit, ku ai dënoi rëndë Hamasin por i shmangu komentet për atë që shumëkush e quan si genocid të ushtrisë pushtuese ndaj banorëve civilë të Gazës. Një një kohë që pothuaje liderët më të rëndësishëm perendimorë i qenë shmangur fjalimeve në Keneset, Rama e bëri këtë me krenari duke pohuar madje se biri i tij i vogël mund të konvetrohej një ditë në fenë hebraike.

Më 26 janar 2026, Edi Rama, gjatë një seance të posaçme kushtuar vizitës së tij vuri në qendër historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët duke e lidhur atë me konfliktin e sotëm dhe duke përdorur një gjuhë të fortë kundër Hamasit se “pa çmontimin e plotë të tij nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”.

Por, ai pothuajse harroi një të vërtetë të thjeshtë se dënimi i terrorizmit të Hamasit nuk e përjashton detyrimin për të kërkuar mbrojtjen e civilëve palestinezë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Ai fjalim tregoi qartë se Rama e sheh marrëdhënien me Izraelin si më shumë sesa një partneritet ekonomik. Ai reket të ndryshojë identitetin diplomatik të vendit duke e vizatuar Shqipërisë si një shtet që e përdor historinë e vet për të ndërtuar lidhje të veçanta me Izraelin.

Se cili është qëllimi i kësaj kthese në politikën e jashtme, tani për tani vetëm mund të hamendësohet. Por që ajo ka ndodhur është një fakt dhe këtë e konfirmuan edhe deklaratat e fundit në Tiranë të shefit të diplomacisë Izraelite, Gideon Sa’ar, që e konsideroi Edi Ramën si “një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme”. /Lapsi.al

Share it :