Fitorja shkatërruese e trustit të lulelakrës e bën emergjente qeverinë teknike
Nga Ndriçim KULLA
Mënyra se si u mbyll dhe përfundoi procesi i reformës territoriale në Shqipëri, duket se qëllimi përfundimtar i pushtetit ishte krijimi i një mekanizmi më shumë për të fituar zgjedhjet e ardhshme lokale. Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi i kësaj reforme: një pushtet që duhej të ndryshonte hartën për t’iu shërbyer qytetarëve u soll sikur qytetarët të jenë aty për t’iu shërbyer hartës së tij politike.
Edhe një herë, iluzionet e Bashkimit Europian përballë realitetit shqiptar duket se duhet të kenë pësuar të njëjtin zhgënjim. Partnerët europianë kanë kërkuar prej kohësh që proceset reformuese në Shqipëri të jenë më gjithëpërfshirëse, më transparente dhe më të mbështetura në dialogun politik e shoqëror, ndërsa pushteti i trustit, si zakonisht, i pranon formalisht këto kërkesa, por pastaj i kalon ato përmes filtrit të interesit të vet politik. Kështu ndodhi edhe me këtë reformë territoriale: kërkesa europiane u pranua në letër, por fryma e saj u tjetërsua në praktikë, sepse në çdo hap të procesit u duk se mbi nevojën për një organizim më të mirë të pushtetit vendor qëndronte një tjetër llogari, ajo e zgjedhjeve të ardhshme.
Nëse zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, të monitoruara nga institucionet dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, lanë pas tyre një sërë problematikash dramatike lidhur me avantazhin e pushtetit, përdorimin e administratës dhe pabarazinë e konkurrencës politike, atëherë një reformë territoriale e bërë pas tyre duhej të ishte pikërisht momenti për të korrigjuar këto deformime dhe jo për t’i institucionalizuar ato në një formë të re.
Por ndodhi e kundërta.
Kjo është arsyeja pse ky votim nuk mund të shihet vetëm si një votim parlamentar për një hartë të re. Ai është një provë e mënyrës se si funksionon demokracia shqiptare kur një shumicë e fuqishme e kontestuar edhe ndërkombëtarisht vendos të mos e konsiderojë më dialogun politik si kusht të një reforme të rëndësishme.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga problemet më të mëdha të kësaj reforme: përballë një vendimi që prek drejtpërdrejt jetën administrative dhe politike të komuniteteve, konsultimi me qytetarët nuk mund të ishte kurrë një shpërfillje e tillë. Kur banorët e bashkive që preken nga ndryshimet dalin në protestë dhe kërkojnë të dëgjohen, përgjigjja e një pushteti demokratik duhet të ishte hapja e procesit, jo mbyllja e tij. Kur komunitetet kërkojnë të dinë përse duhet të shkrihet bashkia e tyre, çfarë do të fitojnë dhe çfarë do të humbasin, përgjigjja nuk mund të jetë thjesht se parlamenti ka numrat për ta votuar. Një reformë territoriale nuk është një vijë që vizatohet mbi hartë nga një shumicë parlamentare. Ajo është një ndërhyrje mbi jetën e njerëzve, mbi shërbimet që marrin, mbi largësinë nga administrata, mbi identitetin e komuniteteve dhe mbi mënyrën se si ata do të përfaqësohen.
Për këtë arsye, shpërfillja e opozitës është po aq e pafalshme sa shpërfillja e qytetarëve. Në një reformë të përmasave territoriale, ajo duhet të kishte të drejtën e plotë për të propozuar, kundërshtuar, argumentuar dhe negociuar. Nëse një reformë që ndryshon arkitekturën e pushtetit vendor miratohet nga një shumicë që nuk ka nevojë për asnjë kompromis, atëherë ajo mbetet politikisht e pa qenë dhe demokratikisht e cunguar.
Kjo është edhe arsyeja pse gjithnjë e më shumë duket hapur se nuk kemi të bëjmë vërtet me një reformë territoriale apo me një reformë të hartës elektorale. Por kemi të bëjmë me një ndërhyrje politike mbi territorin.
Kjo është ajo që e bën shkatërrues këtë reformë me një fitore numerike. Sepse pushteti mund të thotë se e fitoi votimin, por një fitore e tillë nuk është një fitore e demokracisë. Ka fitore që e forcojnë demokracinë dhe ka fitore që e shkatërrojnë atë. Nëse një reformë e territorit miratohet pa një dialog real me qytetarët, pa një marrëveshje të arsyeshme me opozitën dhe nën dyshimin se qëllimi kryesor është ruajtja e pushtetit, atëherë këtu e keqja shtohet.
Dhe këtu problemi bëhet më i madh se vetë harta. Pushteti ka krijuar një mekanizëm ku shumica parlamentare i mundëson të kontrollojë ritmin e reformave, ndërsa kontrolli demokratik mbi mënyrën se si ato reforma ndërtohen është gjithnjë e më i dobët. Për këtë arsye edhe një reformë që në një vend normal do të duhej të ishte një çështje teknike, administrative dhe konsensuale, në Shqipëri shndërrohet përsëri në një betejë për pushtetin.
Prandaj reforma territoriale, ashtu siç po u zhvillua dhe përfundoi, nuk duhet pare më tej si një çështje e mbyllur vetëm sepse kartonët u numëruan. Përkundrazi, ajo duhet të hapë një debat shumë më të madh mbi mënyrën se si ndërtohen reformat në Shqipëri dhe mbi pyetjen nëse mund të vazhdojmë t’ia lëmë pushtetit në fuqi edhe hartën, edhe rregullat, edhe kohën, edhe mënyrën e zgjedhjes së atyre që më pas do të garojnë sipas kësaj harte. Sepse në një demokraci të shëndetshme, ai që ka pushtetin nuk duhet të jetë edhe projektuesi i vetëm i terrenit mbi të cilin do ta ushtrojë atë pushtet.
Kjo është arsyeja pse përpjekja për një qeveri teknike pa kthim nuk mund të konsiderohet më thjesht si një kërkesë e radhës e opozitës apo si një formulë politike për të shtyrë kohën. Në kushtet kur besimi është shkatërruar fare, kur reformat janë politizuar, kur dialogu është bërë zero dhe kur edhe një çështje si harta territoriale shihet nga një pjesë e shoqërisë si një mjet për garantimin e vazhdimësisë së pushtetit, një qeveri teknike do të duhej të shihej si një mekanizëm për ta nxjerrë procesin nga duart e atyre që kanë interes të drejtpërdrejtë nga rezultati i tij.
Ajo që i duhet Shqipërisë sot nuk është një tjetër reformë e bërë nga pushteti për pushtetin, por një proces që të mund të besohet edhe nga ata që nuk janë në pushtet. Një qeveri teknike, e kufizuar në misionin e saj dhe e mbështetur mbi një marrëveshje të qartë politike, do të duhet të krijonte pikërisht këtë hapësirë: të ndalonte përkohësisht mekanizmin e vazhdimësisë, të rikthente dialogun me opozitën, të hapte konsultimin real me qytetarët dhe të vendoste reformat mbi një tryezë ku askush të mos ishte njëkohësisht gjyqtar dhe përfitues.
Kjo reformë territoriale e ka treguar edhe një herë se problemi i Shqipërisë nuk është vetëm se sa bashki do të ketë, ku do të vendosen kufijtë e tyre apo si do të vizatohet harta administrative. Problemi më i thellë është se kush e vizaton hartën dhe me çfarë qëllimi. Nëse harta vizatohet nga një pushtet që kërkon mbi të gjitha të garantojë vazhdimësinë e vet, atëherë edhe reforma më e bukur në letër do të shndërrohej në një instrument të pushtetit. Dhe nëse kjo vazhdon, atëherë Shqipëria nuk ka më nevojë vetëm për reforma të reja; ka nevojë për një moment politik që t’i rikthejë proceset demokratike nga fillimi.
Prandaj kërkesa për një qeveri teknike nuk është sot një shmangie nga rruga europiane. Përkundrazi, në kushtet e krijuara ajo mund të jetë pikërisht mënyra për t’u kthyer në të. Vetëm një qeveri që nuk ka interes të fitojë prej hartës që po ndërton m kërkesa për një qeveri teknike nuk është sot një shmangie nga rruga europiane und ta ndërtojë atë me qetësi, me transparencë dhe me konsensus; vetëm një proces ku pushteti pranon të mos jetë njëkohësisht edhe lojtar edhe arbitër mund t’i rikthejë qytetarit besimin se reforma bëhet për të dhe jo kundër tij. Dhe ndoshta kjo është e vërteta më e thjeshtë që na zbulon kjo histori: Shqipëria nuk ka nevojë për një hartë të re që t’i zgjasë jetën pushtetit, por për një mënyrë të re të ndërtimit të pushtetit, që t’i kthejë jetën demokracisë.




