Durrësi nën pushtetin e ujit, Gashi: Bashkia nuk merr masa konkrete!
Kreu i PD në Durrës, Adrian Gashi, ka reaguar pas përmbytjeve që kanë përfshirë qytetin që në orët e para të mëngjesit, me reshjet e para të shiut.
Në një postim në Facebook ku ka publikuar pamjet nga terreni, Gashi ngre shqetësimin për mungesën e masave konkrete nga Bashkia Durrës, duke paralajmëruar se qytetarët rrezikojnë të përballen sërish me të njëjtin skenar si në janarin e këtij viti.
Gashi thekson se shumë familje ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e janarit, ndërsa pyet se sa herë duhet të përsëritet e njëjta situatë që Bashkia të marrë përgjegjësitë dhe të ndërhyjë për të mbrojtur banorët nga përmbytjet e radhës.
Postimi
Kështu u zgjua sot Durrësi, nën ujë që në orët e para të mëngjesit!
Me reshjet e para të shiut, rikthehet e njëjta situatë, i njëjti shqetësim dhe i njëjti rrezik për qytetarët.
Sa herë duhet të përsëritet kjo situatë që Bashkia Durrës të marrë masa konkrete?
Nëse reshjet vijojnë edhe për disa orë, çfarë i pret banorët? I njëjti skenar si në janarin e këtij viti?
Ndërkohë që shumë familje ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e janarit, sot rrezikojnë të përballen me të njëjtën situatë.
A duhet të presin durrsakët përmbytjen e radhës që Bashkia të kujtohet për përgjegjësitë e saj?




