Berisha: Po shuani bashkitë me një votë, po i hiqni shqiptarëve shërbimet dhe investimet!

Berisha: Po shuani bashkitë me një votë, po i hiqni shqiptarëve shërbimet dhe investimet!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar Reformën e re Territoriale si një hakmarrje politike ndaj qytetarëve. Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha, kundërshtoi Reformën Territoriale, duke akuzuar mazhorancën se po shpërfill zërin e qytetarëve dhe po cenon zhvillimin e bashkive që preken nga ndryshimet.

Berisha deklaroi se në zonat ku janë hequr njësitë vendore investimet kanë rënë ndjeshëm dhe përmendi Shëngjergjin, Krrabën, Libohovën, Memaliajn, Këlcyrën, Dimalin, Poliçanin, Rrogozhinën, Klosin dhe Fushë-Arrëzin si komunitete me potenciale të rëndësishme turistike, bujqësore, minerare dhe zhvillimore.

Ai e cilësoi reformën si një akt që dobëson qeverisjen vendore dhe akuzoi mazhorancën për interesa politike. Berisha kërkoi gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po dëmton interesat e komuniteteve

Gjatë fjalës, Berisha lexoi edhe një mesazh nga një qytetar i Poliçanit, i cili e cilëson qytetin si shtëpinë, historinë dhe identitetin e komunitetit dhe kërkon që qytetarët të kenë të drejtë të shprehen për të ardhmen e bashkisë së tyre.

“Poliçani nuk është thjesht një emër, nuk është thjesht një hartë, është shtëpia jonë, historia dhe identiteti ynë”, thuhej në mesazhin e qytetarit.

Sali Berisha: Midis njeriut të qytetëruar dhe njeriut që ka humbur vetëdijen njerëzore, njeriut që para virtytit, përgjegjësisë, zgjedh vesin dhe verbërinë, njeriut që bëhet vektor i së keqes, ju keni zgjedhur këtë të dytën. Vini këtu në parlament dhe në një akt armiqësor të hapur, të hapur, pohoni se nuk keni detyrim të dëgjoni zërin e qytetarëve për fatin e tyre. Pohoni se duke u larguar shërbimet dhe qeverisjen, i lumturoni ata. Pohoni se po kryeni një vepër madhore në interes të shqiptarëve.

Çfarë tregoni ju?

Ju tregoni së pari se jeni në verbëri të plotë, ju nuk njihni realitetin. Po në qoftë se ju prekni sadopak nga realiteti i këtij vendi, konstatoni se në të gjitha zonat ku hiqen komunat dhe bashkitë, investimet zbritën në zero.

Ju harroni, s’ju intereson sigurisht, se komunat dhe bashkitë apo njësitë e qeverisjes vendore janë njësi zhvillimi, investimi jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Ju i hoqët ato dhe po të dilni jashtë unazës së Tiranës, investimet janë afërsisht zero. Shkoni në Shëngjergj, shihni, asnjë qindarkë. Dhe mbrapa Shëngjergjit është një nga masivet më të fuqishme, më të bukura malore të vendit, që janë masivi i Bizës, Martaneshit, i maleve të Labinotit, të Elbasanit e të tjerë.

Ad
Asnjë qindarkë! Shkoni në Krrabë, asnjë qindarkë! mShkoni kudo që hiqen bashkitë dhe komunat, investimet ranë në zero.

T’i heqim edhe këto, jashtë çdo lloj kriteri, jashtë çdo lloj standarti. Po Libohova ka qenë në shekuj një qendër që ka bërë dritë, një qendër që ka mahnitur edhe Lord Bajronin me artin e saj kuzhinor. Ka mahnitur me organizimin e saj… po po, ashtu për ty është kjo.

Ju i bini kryq Libohovës, Memaliajt, që ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në mirëqenien e shqiptarëve, qytet minator, e shuani. Pasi e rrafshuat, Këlcyrën me potenciale të jashtëzakonshme të turizmit malor e bëni të paqenë. Dimali, një bashki e njerëzve punëtorë, po të shkoni aty në zonat e kësaj bashkie ju do gjeni sera, aq sa do u duken në perëndimin e diellit sikur je në një det. Çfarë jeni ju, mor? Pse jeni kaq të ligj, që u bini vizë me një votë të turpshme këtu.

Poliçani, një komunitet i organizuar, një komunitet që në kushtet më të vështira e rindërtoi jetën e vet. Dhe që padiskutim ka një potencial shumë të madh turistik, ka një potencial të gjithanshëm dhe ju e asgjësoni.

Asgjësoni Rrogozhinën, një nga bashkitë me potencial turistik më të madh, ju them unë juve, Spilleja është një xhevahir i bregut shqiptar, në çdo aspekt. Rrogozhina fillon këtu në Tiranë, te kodrat e Tiranës dhe përfundon në kufi me Divjakën. Vizë! Çfarë jeni ju, kaq cinikë mor? Ju nuk keni asnjë lloj interesi!

Shuani Klosin, një bashki me emër dhe potencial shumë të madh. Potencial të madh mineral, rezerva minerare botërore, potenciale të mëdha ujore, potenciale të mëdha të gjithanshme. S’ekziston. Sepse ai, ku është ky Malaj, ku është ky? Sepse ai ka interesat mafioze të tij, bashkë me Edi Ramën, të pandara. Po po, po po. I bini Fushë-Arrëzit. A e dini ju që nga Aprripa në Pukë është një distancë sa nga Tirana në Vlorë, pothuaj.

Distanca në kilometra nuk është kaq, po po të kesh parasysh rrjetin rrugor është absolutisht kaq. Si e bëni ju këtë? Aq më tepër kur këtu ka disa tendenca, Edi Rama u përpoq t’i përçajë komunitetin në Pukë, po pukjanët janë të mençur, janë punëtorë. Bëri gjithçka t’i kundërvejë myslimanët kundër katolikëve. Po po! Për të shtuar, mos mbaj atë zhvilloje këtu. Për të shtuar me turp siç është, se as myslimanët, as katolikët e mbështetësit të Fushë-Arrëzit nuk e votuan.

Kjo është hakmarrja, që ta dini domethënë. Ja pse hakmerret me Fushë-Arrëzin, i cili ka qenë epiqendër në të gjitha kohërat. Po po, ka qenë epiqendër e rrethit, qendër në grup. Pra ju, i merrni të paqena këto dhe keni vënë një të papërgjegjshëm. Ku iku ai mor? Ku iku ai mafioz, i lidhur me Milorancin. Se unë s’ja përmenda parë. A e dini ç’është Andrea Miloranci? Andrea Miloranci është mafiozi i lidhur me Ndranghetën që bashkëkryesonte Eco Tiranën me këtë reformatorin tuaj, mafiozin tuaj. Ka vetëm një kërkesë, Edi Rama të japë dorëheqjen këtu. Të japë dorëheqjen, sepse faktohet si një armik i vërtetë i shqiptarëve. Të japë dorëheqjen, se i nxin fytyrën kombit!

Share it :