Një rrebesh i vërtetë ankesash për tenderat e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara ka përmbytur dyert e Komisionit të Prokurimit Publik duke ngrirë plotësisht funksionimin e institucioneve publike.
Kapitali analizoi ankimimet në Komisionin e Prokurimit Publik vetëm për 20 ditët e fundit. Nga data 15 shtator deri më 5 tetor 2026, plot mbi 30 procedura unike prokurimi të zhvilluara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara kanë përfunduar në KPP. Vlera totale neto e këtij bllokimi kap shifrën marramendëse mbi 50 milionë euro.

Ky bllokim intensiv dhe sistematik nuk është rastësi. Ai nisi të kthehej në një model të zakonshëm, menjëherë sapo në krye të OBP-së u emëruar Jonaid Myzyri.
Dokumentat zyrtarë tregojnë se pothuajse për të gjitha tenderat e OBP, bizneset denoncojnë se hartohen me specifika haptazi “të kopsitura” për të favorizuar marka të caktuara, gjë që ka detyruar dhjetëra kompani të nisin një ofensivë të papreçentë ligjore.

Shëndetësia në kolaps total
Sektori më i goditur nga kjo krizë menaxhimi e OBP-së është shëndetësia publike, ku po bllokohen njëkohësisht si themelet fizike të spitaleve, ashtu edhe pajisjet e tyre mjekësore.
Rrebeshi i ankesave nisi me ngrirjen e tenderit për rikonstruksionin e godinës qendrore të Spitalit të Matit me vlerë mbi 339 milionë lekë, ndërkohë që pas tij u bllokua edhe projekti masiv për ndërtimin e godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal të Korçës që kushton mbi 1.1 miliardë lekë.
Paraliza u shtri me shpejtësi edhe te furnizimet teknologjike, ku marrëveshja kuadër prej 278 milionë lekësh për pajisje bazë si autoklavat dhe gastro-kolonoskopët u godit nga ankesat e operatorëve Medfau, Montal, BNT Electronics dhe Unicare Albania.
Këto kompani denoncojnë se OBP ka kopjuar parametrat e një modeli të vetëm kinez për të skualifikuar artificialisht prodhuesit lider në botë.

Në të njëjtën kohë, në KPP janë ngrirë mbi 592 milionë lekë aparatura anestezie e laparoskopie për Spitalin e Traumës (SUT), si dhe tenderi prej 313 milionë lekësh për akseleratorin e angiografin e dedikuar për neurokirurgjinë në QSUNT.
Ky ngërç administrativ është kapilar dhe ka paralizuar çdo qelizë tjetër jetike të shtetit shqiptar, duke mos u kufizuar vetëm te spitalet. Në fushën e arsimit, brenda këtij harku 20-ditor ka ngrirë plotësisht tenderi kombëtar prej më shumë se 322 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve mobilierie të shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm, pas denoncimeve të kompanisë Klame për kritere të ngurta.
Siguria dhe mbrojtja kombëtare po ashtu po mbahen peng, pasi janë bllokuar fondet për mirëmbajtjen e mjeteve të Policisë së Fierit me vlerë 26.2 milionë lekë dhe projekti për ndërtimin e dallgëthyesit në bazën ushtarake detare të Pashalimanit me vlerë 22.7 milionë lekë.
Madje, kjo frymë bllokimi ka prekur edhe sektorët digjitalë përmes sistemeve të identifikimit biometrik AMAIS në Mullet prej 223 milionë lekësh, digjitalizimit të arkivave diplomatikë, e deri te bujqësia ku tenderat fushorë për projektin “Kadastra e Ullirit” në Vlorë e Fier kanë përfunduar në KPP për shkak të skualifikimeve pa bazë të operatorëve ekonomikë.
I paaftë apo …
Kjo situatë e papreçedentë ngërçi dëshmon se Operatori i Blerjeve të Përqendruara po shkel haptazi mbi Ligjin e Prokurimit Publik, i cili saktëson se specifikimet duhet të nxisin konkurrencën e lirë e të barabartë. Duke refuzuar hartimin e kritereve standarde, menaxhimi i ri nën drejtimin e Jonaid Myzyrit e ka kthyer KPP-në në një stacion të mbingarkuar të çdo nisme investimi publike.
Çmimin e këtij paralizimi total sot po e paguajnë qytetarët që përballen me lista të gjata pritjeje në spitale pa pajisje, nxënësit në shkolla me banka të munguara, policia me automjete të riparuara përgjysmë dhe vetë ekonomia e vendit që sheh miliarda lekë të bllokuara në llogari administrative ndërsa projektet në terren kanë ngrirë.
Por pikëpyetja e madhe është cila është arsyeja. Paaftësia e Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara apo skemat perverse të korrupsionit në tenderat publikë!
OBP është institucioni, të paktën formalisht, më i përgatitur për zhvillimin e tenderave në Shqipëri. Fakti që të gjithë tenderat e OBP po bllokohen nga akuzat për qepje kriteresh, e anon përgjigjen e dilemës më shumë nga e dyta.
Kapitali




