Blushi në Kuvend: Rama nuk rrëzohet me fjalime, vezë e bilbila, duhet përballje. Përshkallëzim të revoltës
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka bërë thirrje për përshkallëzim të revoltës. “Rama nuk rrëzohet me fjalime, vezë e bilbila, duhet përballje’ theksoi Blushi
Sot në fakt është një nga ditët më të zeza të këtij Parlamenti dhe e enjtja që vjen do të jetë një ditë akoma edhe më e zezë.
Ky institucion e ka humbur komplet kuptimin e vet.
Nuk është më Parlament, nuk është më as një institucion kushtetues, përkundrazi, është një nga institucionet që ka marrë përsipër të legjitimojë aktet më kriminale dhe më antikombëtare që i janë bërë këtij populli.
Mjafton të shohësh rrethimin që i është bërë këtij Parlamenti me policë, me gardh metalik, me bodyguardë, për të kuptuar se sa ndot krijon sot te shqiptarët fjala deputet.
E veçanërisht për ata që edhe sot, në mbledhjen e Komisionit të antiligjit, guxuan t’i cilësojnë protestuesit qelbësira.
Dhe për sa kohë asnjë nga anëtarët e qeverisë, për muaj, për ditë të tëra refuzon të japë llogari para shqiptarëve, shqiptarët sot kanë vetëm një alternativë, t’i detyrojnë këta horra të japin llogari për çdo qindarkë të vjedhur.
Dhe rruga e vetme është përballja.
Edi Rama nuk rrëzohet me flamingo.
Edi Rama nuk rrëzohet duke ndjekur këta hajdutë me një celular në dorë e duke i thënë që je hajdut, se kështu në fakt i rrisni pikët këtyre kartonave që nuk përfaqësojnë më asgjë.
Edi Rama rrëzohet me përballje.
Kjo klikë mafioze që ka shkatërruar këtë vend, që miratoi sot një Reformë më të zezë, më antikombëtare, më shpopulluese meriton të shporret dhe jo të filmohet.
Kjo mazhorancë që i quan protestuesit qelbësira, meriton të zhduket nga faqja e dheut.
Jo me vezë, jo me ujë, edhe pse uji në fakt e arriti një fitore, e detyroi një nga deputetët të tërhiqej.
Kjo është e vetmja rrugë!
Ta provojnë në lëkurën e tyre se ç’do të thotë të marrësh vendime antikombëtare, antifamilje.
Kjo është e vetmja rrugë, përballja, ballafaqimi.
Ndaj i ftoj të gjithë shqiptarët, në datën 8 Tetor të vijnë para këtij Parlamenti, sepse nuk ka gardh, nuk ka blind që të ndalë një popull që lufton për lirinë e vet, për familjen e vet.




