Pasi spastroi banorët e Kolonjës, Fortis Construction merr leje për parqe diellore në Klos dhe Vaun e Dejës

Pas parkut fotovoltaik 62 megavat në Taç të Kolonjës, kompania turke Fortis Energy & Construction ka marrë lejen e ndërtimit për një tjetër park po me këto përmasa. Këtë herë në veri të vendit.

Në mbledhjen e 17 korrikut të këtij viti, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe ujit miratoi lejen për një park fotovoltaik me kapacitet 62 megavat në Bashkinë Klos për llogari të Fortis Construction.

Kompania turke, e cila mbiu në Shqipëri nga hiçi, tashmë është shndërruar në një nga lojtarët më agresivë në tregun e energjisë diellore. Në fillim të vitit 2024 ajo mori mbi 30 hektarë toka me qira qesharake nga Bashkia e Vaut të Dejës, përmes një ankandi pa garë.

Oferta e Fortis ishte e vetmja në katër lotet e ankandit duke rezultuar automatikisht fituese. Si rezultat, kompania turke arriti të shtierë në dorë, sipërfaqe masive me çmimin qesharak prej 1.8 euro për metër katrorë në vit.

Fortis Energy and Construction sh.p.k. është një kompani e themeluar në Shqipëri në qershor 2021, me pronësi 100% të shtetasit turk Mehmet Burak Uçkardes, i cili rezulton edhe administrator i saj.

Sipas të dhënave të regjistruara, kompania ka si objekt kryesor të veprimtarisë konsulencën, projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e centraleve për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, përfshirë impiantet fotovoltaike dhe eolike.

Por projektet e kësaj kompanie në Shqipëri janë duke shkaktuar pasoja të rënda sociale. Parku fotovoltaik që ajo po ndërton në Taç të Kolonjës, u kundërshtua fuqishëm nga banorët e kësaj zone për shkak se u mori atyre kullotat e bagëtive.

Pavarësisht protestave të mëdha të banorëve dhe padive që ata kanë bërë për këtë çështje, projekti u miratua dhe tani është duke u ndërtuar.

Miratimet e dyshimta të lejeve dhe parqeve për këtë kompani janë një indicie e fortë për organet e ligjit që të hetojnë.

Dhe këtë e kanë shumë të thjeshtë. Mjaftojnë të gjurmojnë se si po lëvizin paratë nga Fortis në Shqipëri./ Kapitali.al

Share it :