Ndërhyrja për prishjen e kioskave dhe rikthimin e gjelbërimit në Parkun Rinia ishte një nga sukseset më të njohura të mandatit të parë të Edi Ramës si kryetar i bashkisë të Tiranës.
Zëvendësimi i kioskave dhe betonit me pemë dhe sheshe publike të hapura për qytetarët, që më pas do të quhet Rilindja Urbane, dhe do të prekte cdo qytet të vendit, ishin zanafilla për ndërtimin e një karriere të gjatë politike të piktorit të kthyer rastësisht në politikan. Megjithatë, sot pas 26 vitesh, është përsëri kryeministri Rama që i ka hapur rrugën një ndërtimi privat mbi 25 katësh në zemër të parkut Rinia.
Më 1 tetor 2026, qeveria prezantoi konkursin ndërkombëtar “Tirana Fountain Plaza” për zhvillimin e zonës ku ndodhet kompleksi “Tajvani”. Sipas Kryeministrisë, konkursi ishte “i kërkuar nga shteti, me nismë të sipërmarrjes private”, ndërsa pesë studio ndërkombëtare paraqitën propozimet e tyre për zhvillimin e zonës.
Fitues u shpall studioja daneze BIG (Bjarke Ingels Group), me një projekt që parashikon një godinë rreth 78 metra të lartë, të ngritur mbi kolona, me zyra, hotel dhe apartamente private, si dhe rreth tre nivele nëntokësore për parkim dhe logjistikë.
Lartësia e propozuar ngre ndërkohë pikëpyetje mbi parametrat urbanistikë që zbatohen për këtë truall. Faktoje ka raportuar më herët për ndërtimet në qendër të Tiranës ku lartësia e parashikuar nga Plani i Përgjithshëm Vendor është 9 kate dhe ky projekt duket se e tejkalon.
Për më tepër projekti do të zhvillohet në një hapësirë që gëzon edhe status të posaçëm mbrojtjeje. Parku Rinia figuron që prej vitit 2007 si Monument Kulture i Kategorisë II.
BIG nuk është një emër i ri në projektet e mëdha të kryeqytetit. Studioja është edhe projektuese e Teatrit të ri Kombëtar. Në faqen zyrtare të BIG, projekti figuron me status “In Construction”, me madhësi 8,000 m², dhe klient kompaninë “Fusha LLC”. Tenderin publik për Fazën I e fitoi bashkimi AGI KONS-BE-IS, me vlerë 2.2 miliardë lekë pa TVSH. AGI KONS është e njëjta kompani që fitoi tenderin kryesor për rehabilitimin e Parkut Rinia në vitin 2019.
Projekti vjen në një kohë kur zhvillimi intensiv i ndërtimit në qendër të Tiranës ka ngritur prej vitesh debat mbi raportin mes ndërtimeve të reja dhe hapësirave publike e të gjelbra, një problematikë të dokumentuar më herët edhe nga Faktoje.
Sa para publike janë investuar në Parkun Rinia përpara transformimit të radhës?
Nga kioskat e viteve ’90 te rehabilitimi i vitit 2000
Parku Rinia ka kaluar disa etapa transformimi edhe përpara rehabilitimit të vitit 2019.
Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e lidhin konceptimin e kësaj hapësire me planet urbanistike të viteve 1930, ndërsa pyllëzimi i parkut u krye në vitin 1949.
Pas vitit 1991, parku u mbush me ndërtime informale, kryesisht kioska, bare dhe restorante. Sipas Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, gjatë pastrimit të zonës në vitin 2000 u shembën 130 objekte dhe u hoqën mbi 45 mijë metra kub mbetje, ndërsa parku u rehabilitua.
Në fillim të viteve 2000 mori formë edhe kompleksi “Tajvani” që njohim sot. Shoqëria TAIWAN sh.p.k., e cila lidhet me kompleksin dhe më pas me koncesionin e parkimit, figuron e themeluar në maj 2001.
Parkimi nëntokësor, një histori që mbetet pezull
Në vitin 2008, Këshilli Bashkiak i Tiranësmiratoi formën e dhënies me koncesion të dy parkimeve nëntokësore në qytet. Më pas u zhvillua procedura për Parkun Rinia dhe më 26 prill 2016 u nënshkrua kontrata e koncesionit mes Bashkisë Tiranë dhe shoqërisë “T A I W A N”.
Për zbatimin e kontratës u krijua shoqëria koncesionare Tirana Parking, e themeluar në maj 2016. Objekti i saj përfshin projektimin, financimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e një parkimi nëntokësor në Parkun Rinia, si dhe transferimin e tij te Bashkia në përfundim të afatit të koncesionit.
Dokumentacioni i koncesionit parashikonte një investim rreth 1.97 miliardë lekë dhe një parkim me 1,342 vende dhe kohëzgjatje prej 35 vjetësh. Faktoje verifikoi në qershor 2020 se rehabilitimi i Parkut Rinia kishte përfunduar pa parkimin nëntokësor që ishte premtuar më herët nga zyrtarët e Bashkisë.
2018: projekti i ri për rehabilitimin e parkut
Në vitin 2018, Bashkia Tiranë zhvilloi procedurën “Studim projektim për objektin ‘Rehabilitimi i Parkut Rinia’”.
Fitues u shpall bashkimi SON Engineering & Construction-A&E Engineering. Kontrata u lidh për 3,492,480 lekë me TVSH.
Ky projektim i hapi rrugë tenderit shumë më të madh të vitit pasardhës.
2019: rreth 100 milionë lekë për rehabilitimin
Më 30 prill 2019, Bashkia Tiranë shpalli tenderin për “Rehabilitimin e Parkut Rinia”.
Në procedurë morën pjesë tetë operatorë ekonomikë. Fitues u shpall AGI KONS. Kontrata u lidh më 10 korrik 2019 për 94,446,931 lekë me TVSH.
Open Procurement e ka shënuar procedurën me “flamur të kuq”, pasi operatorët e tjerë konkurrues, përfshirë ofertën me vlerën më të ulët, u skualifikuan.
Përveç punimeve, Bashkia zhvilloi edhe procedurën e mbikëqyrjes.
Për lotin “Mbikëqyrja e punimeve për objektin Rehabilitimi i Parkut Rinia”, fitues u shpall INFRATECH, me ofertë 1,626,365 lekë pa TVSH.
Parku u hap për publikun më 1 qershor 2020. Faktoje konstatoi atëherë se parkimi nëntokësor i premtuar nuk ishte realizuar.
Vetëm dy vjet më vonë, ndërhyrje të reja
Investimi i vitit 2019 nuk e mbylli faturën e Parkut Rinia.
Në qershor 2022, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit hapi tenderin “Rehabilitimi i Shtresave të Lodrave tek Parku Rinia”.
Në procedurë mori pjesë vetëm një ofertues: bashkimi Nexhmedin Sadiku-ED KONSTRUKSION. Kontrata u lidh për 4,935,232 lekë me TVSH. Open Procuremente shënon procedurën me “flamur të kuq” për mungesë konkurrence.
Për mbikëqyrjen e këtyre punimeve, fitues u shpall M.A.K Studio, me kontratë 102,984 lekë me TVSH.
Po në vitin 2022, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit zhvilloi tenderin “Sistem Ujitës në Parkun Rinia”. Fitues u shpall “Gjelbërimi 2000”, me okontratë 4,790,220 lekë me TVSH. Në garë kishte vetëm një ofertues dhe procedura është shënuar me flamur të kuq për mungesë konkurrence. Për mbikëqyrjen e sistemit ujitës u shpall fituese NOVATECH STUDIO, me kontratë 120,000 lekë pa TVSH.
Sa shkon fatura?
Duke përjashtuar koncesionin e parkimit nëntokësor, ndërhyrjet e dokumentuara për periudhën 2018-2022 arrijnë në të paktën:

Projekti “BIG”
Për projektin e ri “Tirana Fountain Plaza” mbeten ende disa të dhëna të papublikuara: vlera e investimit, sipërfaqja totale e ndërtimit, gjurma e saktë e godinës së re dhe raporti mes pronës private dhe hapësirës publike që do të preket nga ndërhyrja.
Po ashtu mbetet për t’u sqaruar statusi aktual i koncesionit të parkimit nëntokësor të vitit 2016 dhe nëse ai ka ndonjë lidhje juridike, pronësore apo financiare me projektin e ri. /Faktoje.al




