Domosdoshmëria e sigurimit të aseteve fizike në pronësi të shtetit

Domosdoshmëria e sigurimit të aseteve fizike në pronësi të shtetit

Pak ditë më parë, Korporata Energjetike Shqiptare, siguroi asetet e veta në vlerë mbulimi 550 milion euro. Për sigurimin e pasurisë kombëtare është folur pak. Legjislacioni shqiptar, në këtë drejtim, duhet riparë. Deri në vitin 1999 sigurimi i aseteve publike ka qenë i detyrueshëm me ligj dhe çdo institucion shtetëror bënte sigurimin e aseteve. Më vonë, ligji u abrogua dhe pasuria shtetërore u la e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme.

Ndër vite janë regjistruar dëme kolosale në pyje, në vepra të mëdha shtetërore, vepra ujitëse, në godina etj. Zjarret dhe përmbytjet ndër vite kanë shkaktuar mjaft dëme. Edhe infrastruktura rrugore, e pasiguruar, është eskpozuar vazhdimisht ndaj rreziqeve të ndryshme. Publiku është njohur me shumë ndërhyrje të detyruara riparuese që janë marrë përsipër nga buxheti i shtetit.

Korporata Energjetike Shqiptare, e vetëdijshme se Shqipëria është një vend i ekspozuar përballë rreziqeve të mëdha, nga tërmeti, zjarri, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave, duke e ditur përgjegjësinë e saj i siguron prej vitesh këto asete fizike. Çfarë do të thotë kjo? Një aset publik i dëmtuar, në rast se është i siguruar, një pjesë e kostos së tij përballohet nga kontrata e sigurimit. Në rast të kundërt, barra bie mbi buxhetin, që do të thotë mbi taksapaguesin.

Buxheti i shtetit nuk duhet të përdor fondet për të rivitalizuar ekonominë e dëmtuar, pas çdo ngjarjeje apo fatkeqësie. Një pjesë e kësaj ekonomie do të duhej të ishte e siguruar. Institucionet shtetërore duhet t’i sigurojnë asetet e tyre. Praktika botërore sjell shembuj konkretë: pronat shtetërore të pasiguruara nuk ekzistojnë. Shqipëria duhet të rihapë diskutimin e sigurimit të aseteve publike.

Cilat janë asetet fizike të KESH?

Hidrocentralet (HEC-et), turbinat, digat dhe rezervuarët, pajisjet elektrike, ndërtesat dhe infrastruktura e prodhimit të energjisë janë asetet fizike të cilat Korporata Energjetike Shqiptare siguroi. Ato janë pasuri publike, pronë e publikut shqiptar, e ndërtuar në breza dhe që sot përbën një sektor strategjik për vendin: energjetikën. Vlera totale e mbulimit me sigurim për këto asete shkon deri në 550 milionë euro.

Çdo vit KESH shpall tenderin e sigurimit financiar, me qëllim që rreziku i zjarrit dhe i katastrofave natyrore t’u delegohet kompanive të sigurimit.

Kjo do të thotë se vlera e dëmit nuk do t’i rëndojë buxhetit të shtetit, por sipas parashikimeve në kontratë atë do ta marrë përsipër kompania e sigurimeve. Kriteret teknike dhe ligjore për të garantuar sigurimin e këtyre veprave janë të forta dhe shpesh filtrat ligjorë dhe teknikë bëhen skualifikues.

Në risigurimin e aseteve të KESH kompanitë më të mëdha të botës

Në risigurimin e aseteve të KESH janë kompanitë më të mëdha në botën e sigurimeve dhe risigurimeve. Kjo e përligj edhe çmimin e risigurimit, i cili reflektohet edhe në çmimin e marrjes në sigurim. Risiguruesit më të mëdhenj të botës ofrojnë në bllok mbulimin e aseteve fizike të KESH dhe risiguruesi lider i këtij grupi është Hannover Re, me standardet më të larta të garancive financiare dhe i vlerësuar AA me perspektivë stabël nga S&P.

Sigurimi i veprave të tilla, për shkak të vlerave të larta dhe njohurive e kapaciteteve të veçanta që kërkon, nuk është për të gjithë. SIGAL Insurance Group ka qenë ndër vite fituese e projekteve të kësaj natyre: projekte madhore, delikate dhe strategjike. SIGAL ka qenë më parë edhe siguruese e projektit TAP, me vlerë mbulimi deri në 1.5 miliardë euro. Përvoja, kapacitetet teknike dhe njerëzore dhe sidomos risigurimi te gjigantët botërorë të sigurimeve, i japin SIGAL mundësinë të marrë përsipër vepra të kësaj rëndësie.

Për sa u takon veprave të mëdha publike e strategjike, SIGAL spikat jo vetëm në marrjen në sigurim, por po ashtu edhe në këshillimin për mitigimin, minimizimin e rreziqeve si edhe menaxhimin e riskut.

Sigurimi, si aset i rëndësishëm për ekonominë, në rastin konkret bëhet mburojë për investimet publike, ofron shtresë financiare mbrojtëse, shmang përdorimin e fondeve publike për humbje të paparashikuara që në rastin e veprave madhore janë shumë milionëshe dhe garanton vazhdimësinë e shërbimeve publike.

Shtrembërimi mediatik, që sigurimin e digave si vepra madhore për të mos prekur buxhetin e shtetit në rast dëmesh e raporton si “sigurim zyrash”, është në rastin më të mirë padituri.

550 milionë euro si vlerë mbulimi në rast dëmi nga zjarri apo katastrofat, si sigurim i objekteve të një rëndësie të tillë është shërbim me vlerë të madhe për publikun shqiptar.

Share it :