Arrestimi i Vlora Hysenit/ REL: Opozita i kërkoi Begajt të merrte informacione para dekretimit të saj
Nga Jetmira Delia-Kaci, RADIO EVROPA E LIRE
Vlora Hyseni është shkarkuar nga posti i drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) dhe në orët e mbrëmjes të 22 shtatorit është ndaluar nga autoritetet shqiptare dhe është shoqëruar në banesën e saj me qëllim që të zbatohet masa e sigurisë e “arrestit shtëpiak”.
Policia Shqiptare ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht ndalimin e saj, ndërsa burime bëjnë me dije se ajo ka hyrë në Shqipëri nga Kosova, përmes pikës kufitare të Morinës.
Orë më parë, Hyseni u lirua nga detyra nga kryeministri Edi Rama, vendim që më pas u dekretua nga presidenti Bajram Begaj.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, që njihet si SPAK, që përveç arrestit shtëpiak kërkoi edhe pezullimin nga detyra të Hysenit, tashmë ish-drejtuesja e SHISH-it, është nën hetim për dy vepra penale.
Në njoftimin e këshuar më herët gjatë ditës, SPAK referon dy nene që përcaktojnë “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Gjykata ka firmosur “arrest me burg” për një punonjës të institutit të policisë shkencore dhe një biznesmen.
Gjithashtu SPAK njoftoi se me urdhër të gjykatës është kryer kontroll personal dhe në banesë për shtetasin me inicialet I.P që e identifikon si ish-funksionar të lartë i policisë së shtetit. SPAK thotë se i ka kryer këto veprime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, që lidhet me dosjen AKSHI.
Vlora Hyseni është veçanërisht e njohur në Kosovë, pasi para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, kishte mbajtur një pozitë të lartë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ajo ishte zëvendësdrejtoreshë e AKI-së nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2021, kur u shkarkua nga detyra nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Hyseni kishte punuar për disa vite në AKI, fillimisht si drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas si zëvendësdrejtoreshë.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e saj, më 30 qershor 2021, nuk u dhanë hollësi për arsyet e vendimit. Në atë kohë, Qeveria tha se vendimi ishte mbështetur në ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Në komunikatë përmendej fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Në vitin 2023, Hyseni u emërua në krye të SHISH-it në Shqipëri. Në atë kohë, opozita shqiptare i kërkoi presidentit Bajram Begaj që, para dekretimit të saj, të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga AKI-ja.
Hetimi për AKSHI-n
Hetimi ku është përfshirë Hyseni lidhet me dosjen e AKSHI-t, institucionit qendror që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare.
Ergys Agasi është një nga personat e dyshuar në këtë çështje, e cila lidhet me dyshime për grup të strukturuar kriminal dhe mashtrime me tenderë publikë.
Në të njëjtin hetim është përfshirë edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili është arrestuar në Francë. Hetimet kanë përfshirë disa zyrtarë dhe biznesmenë.
Gjykata ka caktuar masa sigurie edhe ndaj zyrtarëve të AKSHI-t. Ish-drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa zëvendësja e saj është lënë nën masën e detyrimit për paraqitje në polici.
Agasi dyshohet për disa vepra penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë ose ankande publike, grupin e strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK-u ka urdhëruar sekuestrimin e 52 pasurive dhe llogarive bankare, me vlerë mbi 40 milionë euro. Pasuritë lidhen me Karçanajn, Agasin, Beqirajn dhe persona të tjerë.
Mes pasurive të sekuestruara janë banesa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, troje, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe një jaht.
Operacioni i SPAK-ut është ende në zhvillim.
Krahas Hysenit, po ushtrohen kontrolle edhe ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili është paraqitur në SPAK të martën në mëngjes. Hetimet përfshijnë edhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit.
Për këto zhvillime nuk ka pasur ende reagim nga Qeveria e Shqipërisë.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar që presidenti Bajram Begaj të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, reagoi duke thënë se aksioni i SPAK-ut dëshmon, sipas tij, për përfshirjen e strukturave shtetërore në veprimtarinë e krimit të organizuar.
“SHISH dhe Policia e Shtetit nën shërbimin e krimit të organizuar”, shkroi Bardhi.




