Berisha zotohet në Vlorë: Politika e ripopullimit do të jetë boshti kryesor i qeverisjes sonë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Vlorë se ripopullimi i Shqipërisë dhe rikthimi i shqiptarëve nga emigracioni do të jenë në qendër të programit të tij qeverisës. ‘Politika e ripopullimit do të jetë boshti kryesor i qeverisjes sonë’, u shpreh Berisha gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në qytetin bregdetar.
Ai tha se do të zbatohen edhe politika demografike për rritjen e lindshmërisë, duke theksuar se rikthimi i shqiptarëve në vend do të jetë një prioritet. ‘Një komb që shkon poshtë, ka humbur fatin e tij, ka humbur të ardhmen e tij. Ne do t’i rikthejmë Shqipërisë fatin, të ardhmen e saj’, deklaroi Berisha.
Ai u ndal edhe te potencialet ekonomike dhe turistike të Vlorës, duke argumentuar se ato mund të krijojnë mundësi për banorët dhe për shqiptarët që janë larguar nga vendi.
Berisha: Dhe unë u garantoj se do bëjmë gjithçka me një program të ri të kësaj partie, vizion të ri.
Po si ka mundësi që Vlora me këto pasuri përrallore që ka, dhe ai që shkonte në Vajzë dhe i shkonte kryetarit, na e nxore detin në mal, një injorant që nuk ka njohuritë e një nxënësi, se ujëra të kripura nuk mund të ketë në male, sipas tij.
Pra, Vlora me potenciale të jashtëzakonshme, Vlora me potencialin e saj turistik, me zonat e tjera, ka potencial dhe fuqi për të begatuar jo vetëm vlonjatet që jetojnë sot këtu, por edhe ata që janë larguar gjatë këtyre 30 viteve për t’u kthyer këtu.
Ndaj dhe ne, një zotim këtu, një zotim para jush, se politika e ripopullimit do të jetë boshti kryesor i qeverisjes sonë.
E deklaroj këtu para jush se ripopullimi i këtij vendi, rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri, pa diskutim edhe politikat demografike të lindshmërisë, do zbatohen pavarësisht nga çmimi i tyre sepse ato janë të dobishme për çdo çmim.
Një komb që shkon poshtë, ka humbur fatin e tij, ka humbur të ardhmen e tij.
Ne do i rikthejmë Shqipërisë fatin, të ardhmen e saj.
Ndaj dhe në këtë kuadër, secili nga ju, çdo demokrate e demokrat kudo që ndodhet, duhet të ndjejë peshën e madhe të përgjegjësisë që merr para vetes së tij, para familjes së tij, para komunitetit dhe Shqipërisë.




