Bardhi: SHISH në duart e krimit të organizuar! Shteti në shërbim të Ergys Agasit
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas aksionit të SPAK dhe vendimit të GJKKO-së për caktimin e masës “arrest në shtëpi” ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Bardhi e lidh zhvillimin me atë që e cilëson si një nga aktet më të rënda të institucioneve shtetërore gjatë qeverisjes së Edi Ramës, duke akuzuar se SHISH është vendosur, sipas tij, nën shërbimin e krimit të organizuar.
“Çfarë duhet më që Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë?”, shkruan Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së thotë se zhvillimi i sotëm nuk përbën surprizë për të, duke pretenduar se marrëdhëniet e Vlora Hysenit me Ergys Agasin i kishte denoncuar më herët në Kuvend.
“E kam paralajmëruar këtë në Kuvendin e Shqipërisë më 4 qershor 2026. Vlora Hyseni në shërbim të Ergys Agasit ishte një nga sekretet publike për të cilat kam ngritur shpesh shqetësimin gjatë këtyre tre viteve”, shprehet Bardhi.
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me individët e përmendur, por me funksionimin e institucioneve të sigurisë së shtetit.
“Nuk kam përdorur figura letrare. Kam folur me emra dhe mbiemra, sepse nuk bëhej fjalë thjesht për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin. Bëhej fjalë për Shërbimin Informativ të Shtetit në duart e krimit të organizuar”, deklaron Bardhi.
Ai e vendos përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama, duke iu referuar emërimit të Hysenit në krye të SHISH.
“Ka një firmë poshtë emërimit të Vlora Hysenit. Është firma e Edi Ramës. Dhe nga ajo firmë ai e di që nuk shpëton dot”, përfundon Bardhi.
Reagimi i tij vjen pas vendimit të GJKKO-së ndaj Vlora Hysenit, në kuadër të zhvillimeve të fundit të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.




