Nuk do të ketë normalitet”/ Këlliçi: Rama është i zhytur në aferën e Roni Yeffet

Nuk do të ketë normalitet”/ Këlliçi: Rama është i zhytur në aferën e Roni Yeffet

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se opozita nuk duhet të pranojë normalitetin politik në situatën aktuale në vend, duke paralajmëruar vijimin e përballjes me qeverinë në disa fronte.

I ftuar në “Çim Peka LIVE”, Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama për krijimin e një situate që, sipas tij, nuk mund të trajtohet përmes një normaliteti të zakonshëm politik.

“Nuk duhet të ketë asnjë normalitet për situatën ku e ka vendosur Rama. Beteja do të bëhet kudo, në shesh, parlament, media”, u shpreh ai.

Këlliçi deklaroi gjithashtu se Rama nuk mund të rrëzohet vetëm përmes debateve politike, duke thënë se opozita do të përdorë çdo hapësirë për të denoncuar, sipas tij, aferat dhe skandalet që lidhen me qeverinë.

Në këtë kuadër, ai iu referua edhe audio-përgjimeve të bëra publike së fundmi, duke pretenduar se ato lidhen me çështje të rënda dhe se institucionet duhet të japin përgjigje

Një pjesë të deklaratës së tij Këlliçi ia kushtoi edhe përplasjes së fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe Arben Ahmetajt, duke pretenduar se ish-zëvendëskryeministri është kërcënuar disa herë.

“U bë e disata herë që Rama kërcënon Ahmetajn e fëmijët e tij”, deklaroi Këlliçi.

Ai kritikoi gjithashtu mazhorancën për rrëzimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, duke e lidhur këtë me çështjet që opozita ka denoncuar në Parlament.

Këlliçi ngriti edhe akuza në lidhje me aferën e pretenduar të Roni Yeffet, duke deklaruar se kompania ka pranuar autenticitetin e një audio-përgjimi dhe se kryeministri nuk ka dhënë, sipas tij, një reagim të plotë mbi këtë çështje.

Ai përmendi edhe pretendimet për përfshirjen e qeverisë në kontraktimin e kompanisë për çështje që lidhen me trafikun e armëve, akuza që i paraqiti si pjesë të kritikave të opozitës ndaj qeverisë.

Këlliçi kërkoi ndërkohë përgjigje edhe nga institucionet shtetërore lidhur me këto pretendime, duke deklaruar se opozita do të vijojë përballjen në Parlament, në media dhe në protestat e organizuara në sheshe.

Share it :