Çmimi i naftës po rritet në heshtje
Shqipëria përballet me çmimin më të lartë të karburantit në rajon, ndërsa diferenca mes kostos së jetesës dhe të ardhurave vazhdon të thellohet
Nafta aktualisht po tregtohet me 206 lekë për litër në Shqipëri, (22 korrik) duke u rikthyer në nivelet e regjistruara gjatë fazave më të forta të krizës energjetike për shkak të pasigurisë në Ngushticën e Hormuzit. Rritja e fundit lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me përshkallëzimin e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por ndikimi i tij në tregun tonë shumëfishohet nga barra e lartë fiskale dhe nga të ardhurat relativisht të ulëta të familjeve shqiptare.
Pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës më 19 qershor, çmimi i naftës zbriti deri në 176 lekë për litër. Kjo periudhë rezultoi jetëshkurtër. Me rifillimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, çmimi u rrit në 196 lekë më 20 korrik dhe arriti në 206 lekë për litër këtë të mërkurë.
Në terma nominalë, Shqipëria ka sot një nga çmimet më të larta të naftës në Europë dhe më të lartin në Ballkanin Perëndimor. Por problemi bëhet shumë më serioz kur çmimi krahasohet me pagat dhe fuqinë blerëse. Një litër naftë rëndon ndjeshëm më shumë në buxhetin e një familjeje shqiptare, sesa në atë të një familjeje në vendet me të ardhura të larta, edhe kur çmimi në pompë është i ngjashëm.
Pse rritja ndihet më fort në Shqipëri
Çmimi ndërkombëtar është vetëm një pjesë e faturës që paguan konsumatori shqiptar. Mbi koston e importit vendosen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja. Këtyre u shtohen tarifa dhe kosto të tjera që lidhen me markimin, skanimin, kontrollin e instrumenteve matëse dhe funksionimin e tregut.
Taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, ndërsa taksa e karbonit për gazoilin është 3 lekë për litër. Akciza është një tjetër komponent i rëndësishëm, ndërsa TVSH-ja prej 20% llogaritet mbi bazën që përfshin edhe detyrimet e tjera. Në praktikë, kjo do të thotë se TVSH-ja aplikohet jo vetëm mbi vlerën e produktit, por edhe mbi disa prej taksave të përfshira në çmim.
Efekti i rritjes së çmimit nuk ndalet te drejtuesit e automjeteve. Nafta është kosto bazë për transportin e udhëtarëve, transportin e mallrave, bujqësinë, ndërtimin dhe një pjesë të konsiderueshme të industrisë. Për pasojë, rritja transmetohet gradualisht te çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera.
Ajo vepron si një taksë e gjerë mbi ekonominë: familjet humbasin fuqi blerëse, ndërsa bizneset përballen me kosto më të larta operimi.
Rreth 70% e mjeteve përdorin naftë
Ekspozimi i Shqipërisë është veçanërisht i lartë për shkak të strukturës së flotës së automjeteve. Sipas të dhënave të DPSHTRR-së, deri në fund të shkurtit në vend rezultonin rreth 1.06 milion mjete aktive.
Afërsisht 732 mijë prej tyre, ose rreth 70%, përdorin naftë. Rreth 210 mijë mjete përdorin benzinë, ndërsa rreth 84 mijë janë të pajisura për përdorimin e gazit.
Mjetet elektrike, megjithëse po shtohen, përbëjnë vetëm rreth 1.3% të flotës, me afërsisht 15 mijë automjete. Në qarkullim janë edhe rreth 8 mijë mjete hibride.
Këto shifra tregojnë se shumica e familjeve dhe bizneseve nuk kanë një alternativë të menjëhershme ndaj naftës. .
Çmime që i afrohen Europës, paga që mbeten pas
Problemi i naftës është pjesë e një fenomeni tjetër që tregon se Shqipëria po i afrohet Bashkimit Europian më shpejt në nivelin e çmimeve sesa në atë të të ardhurave.
Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve të konsumit familjar në Shqipëri ishte rreth 48.3% e mesatares së BE-së në vitin 2015. Në vitin 2024 arriti në rreth 70.6%. Për ushqimet dhe pijet joalkoolike, niveli i çmimeve u ngjit afër ose mbi mesataren europiane.
Në anën tjetër, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 90,119 lekë në tremujorin e parë të vitit 2026. Kjo është shifra më e fundit e publikuar nga INSTAT dhe përfaqëson pagën bruto, jo shumën që punonjësi merr në dorë.
Me çmimin 206 lekë për litër, një pagë mesatare bruto është teorikisht e barabartë me rreth 437 litra naftë. Në praktikë, aftësia reale për të blerë karburant është dukshëm më e ulët, sepse nga paga zbriten kontributet dhe tatimi, ndërsa familja duhet të përballojë ushqimin, strehimin, energjinë, arsimin dhe shpenzimet e tjera bazë.
Për një punonjës me pagë minimale, një pensionist ose një familje me një të ardhur të vetme, pesha është shumë më e rëndë.
Prandaj, krahasimi vetëm në euro për litër është i pamjaftueshëm. Dy vende mund të kenë të njëjtin çmim nominal të naftës, por pasoja krejtësisht të ndryshme sociale nëse pagat e tyre ndryshojnë dy ose tre herë.
Rajoni po përdor masa zbutëse
Serbia ka rikthyer masa mbështetëse dhe tavane për çmimet e karburanteve pas rritjes së tyre deri në rreth 1.87 euro për litër. Mali i Zi ka ndërhyrë përmes uljes së përkohshme të akcizës, duke e mbajtur çmimin e naftës rreth 1.65 euro për litër, nga 1.81 euro që parashikohej të arrinte.
Në Shqipëri, Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka paralajmëruar se do t’u kërkojë institucioneve subvencionimin e naftës. Gjatë fazës së mëparshme të krizës, qeveria mbështeti transportin qytetas dhe ndërqytetas me 50 lekë për litër.
Kërkesa për ndërhyrje është e kuptueshme, sepse transporti publik nuk mund ta transferojë gjithmonë menjëherë të gjithë rritjen e kostos te bileta. Nëse nuk subvencionohet, operatori rrezikon të shkurtojë shërbimin ose të kërkojë rritje tarifash. Në të dyja rastet, kostoja përfundon te qytetari.
Megjithatë, subvencionet e përgjithshme dhe tavanet e çmimeve kanë edhe kosto buxhetore dhe mund të krijojnë shtrembërime nëse zgjasin. Një politikë më e qëndrueshme do të kërkonte ndërhyrje të përkohshme dhe të synuara për transportin publik, bujqësinë dhe familjet më të ekspozuara, të shoqëruara me transparencë të plotë mbi formimin e çmimit.
Lufta ka hyrë në një fazë të re, por Uashingtoni nuk jep afat
Konflikti ndodhet aktualisht në një fazë të re përshkallëzimi. Pas përfundimit të armëpushimit, forcat amerikane kanë kryer disa net radhazi sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane. Teherani është përgjigjur me goditje ndaj forcave amerikane dhe me veprime që kanë cenuar lundrimin civil në Ngushticën e Hormuzit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi para Komisionit të Përvetësimeve të Senatit se kapacitetet ushtarake të Iranit ndodhen në nivelin e tyre më të dobët. Por ai pranoi njëkohësisht se Irani vazhdon të zotërojë aftësi goditëse dhe nuk dha asnjë afat për përfundimin e operacioneve.
Kjo është pika që intereson drejtpërdrejt tregjet: administrata amerikane pretendon se po e dobëson Iranin, por nuk ka paraqitur një kalendar për mbylljen e luftës dhe as një rrugë të qartë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.
Hegseth vlerësoi se disa nga kostot e luftës do të arrijnë në rreth 37.5 miliardë dollarë deri në fund të vitit fiskal, më 30 shtator. Shtëpia e Bardhë po kërkon edhe rreth 67 miliardë dollarë fonde shtesë për mbulimin e operacioneve, plotësimin e mungesave në karburant, zëvendësimin e pajisjeve dhe blerjen e municioneve, sistemeve hipersonike dhe kapaciteteve kundër dronëve.
Përmasat dhe struktura e kësaj kërkese financiare tregojnë se Uashingtoni po përgatitet për vazhdimin e angazhimit ushtarak. Ato nuk janë prova se lufta do të zgjasë patjetër deri në fund të shtatorit, por janë një tregues i qartë se administrata nuk pret një ndërprerje të menjëhershme të operacioneve.
Mundësia për një armëpushim nuk është përjashtuar. Bisedimet përmes ndërmjetësve vazhdojnë dhe tregjet kanë reaguar pozitivisht sa herë është krijuar përshtypja se flukset e naftës në Hormuz mund të normalizohen. Megjithatë, deri tani nuk ka një marrëveshje të shpallur, një datë për ndalimin e luftimeve apo një mekanizëm të besueshëm për garantimin e lundrimit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vëren se eksportet nga Gjiri janë rikuperuar pjesërisht, por mbeten nën nivelet e paraluftës. Kjo do të thotë se tregu vazhdon të jetë i ekspozuar ndaj çdo incidenti të ri ushtarak.
Pasiguria ndërkombëtare nuk e shpjegon të gjithë problemin
Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është shkaku kryesor i rritjes së menjëhershme në tregjet ndërkombëtare. Por ajo nuk e shpjegon e vetme nivelin e lartë të çmimit në Shqipëri.
Konflikti shpjegon pse nafta është shtrenjtuar tani. Struktura fiskale, konkurrenca në treg, mekanizmi i transmetimit të çmimeve dhe niveli i ulët i të ardhurave shpjegojnë pse goditja ndihet më fort këtu.
Nuk ka aktualisht një afat të dhënë nga Uashingtoni për përfundimin e operacioneve. Nuk ka gjithashtu garanci se lundrimi në Hormuz do të normalizohet shpejt. Për këtë arsye, skenari bazë për javët e ardhshme mbetet vazhdimi i luhatjeve të forta, me rrezik të mëtejshëm rritjeje nëse sulmet cenojnë përsëri furnizimin
Në këtë situatë, qeveria shqiptare nuk mund të kontrollojë luftën, çmimin e Brent-it apo vendimet e Teheranit dhe Uashingtonit. Por mund dhe duhet të shpjegojë qartë strukturën e çmimit, të mbikëqyrë konkurrencën, të verifikojë shpejtësinë me të cilën ndryshimet ndërkombëtare kalojnë në tregun vendas dhe të vlerësojë masa të përkohshme për sektorët më të ekspozuar.
Problemi shkon përtej çmimit 206 lekë për litër. Çështja është se ky çmim po rëndon mbi një ekonomi ku niveli i të ardhurave nuk është afruar me të njëjtin ritëm me nivelin europian./Lapsi.al




