Vendimi i Kushtetueses për “McGonigal”/ Bardhi: Me dy standarde! Shpikën për të mbrojtur Ramën

Vendimi i Kushtetueses për “McGonigal”/ Bardhi: Me dy standarde! Shpikën për të mbrojtur Ramën

Gazment Bardhi ka reaguar pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen “McGonigal” dhe refuzimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Bardhi ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se ka mbajtur një qëndrim ndryshe për hetimin parlamentar të zgjedhjeve dhe një tjetër për çështjen që lidhet me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.

Ai akuzoi Gjykatën se me vendimin e saj ka shpikur argumente, ka mbrojtur kryeministrin Edi Rama dhe nuk ka ushtruar drejtësi kushtetuese.

“Në vendimin konkret, të njëjtët gjyqtarë kanë një standard për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 11 majit dhe një standard tjetër për hetimin parlamentar të çështjes “McGonigal”. Asnjë habi! Në fund të fundit, nuk kanë dhënë drejtësi kushtetuese, por janë përpjekur të bëjnë politikë, duke marrë në mbrojtje, në mënyrë antikushtetuese, Kryeministrin Edi Rama. Megjithatë, i garantoj se kjo përpjekje do të dështojë dhe se drejtësia do të vihet në vend”, shprehet Bardhi.

Ndër të tjera, deputeti demokrat ka kritikuar qëndrimin e katër gjyqtarëve kushtetues, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska, të cilët sipas tij kanë arritur në përfundimin se çështja “McGonigal” nuk përbën një çështje për hetim parlamentar.

“Sipas tyre, çështja “McGonigal” nuk është fare çështje. Pra, sipas këtij arsyetimi, drejtësia amerikane që e ka hetuar dhe drejtësia shqiptare që prej katër vitesh deklaron se po e heton, paskan sajuar një çështje që, në të vërtetë, nuk ekziston“, thotë deputeti.

Sipas Bardhit, katër gjyqtarët kushtetues kanë shpikur një argument për të mbrojtur Edi Ramën, argument që as vetë shumica parlamentare nuk ka guxuar ta paraqesë si arsye për refuzimin e ngritjes së Komisionit Hetimor.

“Detyra kushtetuese e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është të shpikin argumente për të “shpëtuar” Edi Ramën. Detyra e tyre është të kontrollojnë kushtetutshmërinë e argumenteve të paraqitura nga shumica parlamentare dhe të vlerësojnë nëse ato janë ose jo të mjaftueshme për të kufizuar një të drejtë kushtetuese të opozitës”, shprehet ai më tej.

Share it :