EMRAT-FOTO/ Takimi ‘Top-Secret’ në Aruba, Monako, Gjermani e Spanjë: Kush ishin ‘bosët’ e drogës
Fotografitë e takimeve të zhvilluara në Aruba, Monako, Gjermani dhe Belgjikë kanë dalë tashmë në dritë, duke zbuluar për herë të parë anën vizuale të një prej dosjeve më të mëdha të SPAK-ut për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash.
Dokumentet hetimore të SPAK, të siguruara, përmbajnë fotografi dhe materiale të ardhura nga autoritetet belge, spanjolle, holandeze dhe gjermane, ku shfaqen disa prej personazheve kyç të hetimit
Në këto takime identifikohen Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti, Bashkim Osmani dhe persona të tjerë që sipas hetuesve lidhen me një rrjet të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe investimeve në Shqipëri.

“…Nga autoritetet e Spanjës janë paraqitur të dhëna në lidhje me personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti për shkallën e pjesëmarrjes së tyre në takime të ndryshme të konstatuara gjatë hetimit….”
Sipas dosjes, takimet nuk janë zhvilluar vetëm në Aruba. Në Monako janë dokumentuar së bashku Artur Shehu, Arben Ismailaj, Adrian Rama, Genc Bedini alias Genci Tanasi, Bashkim Osmani, Toni Lipaj, Alfredo Hamzai dhe Elton Mehmeti. Në Belgjikë shfaqen Artur Shehu, Alfredo Hamzai, djali i tij Arten Hamzai dhe Elton Mehmeti. Ndërsa në Gjermani janë identifikuar Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti, Bujar Shehaj, Leonard Bishaj, Pëllumb Petritaj, Klodian Jahja dhe Indrit Kulaj.
Por përtej emrave të njohur të botës së biznesit dhe personave të dyshuar për lidhje me trafikun e drogës, dosja ngre një tjetër pikëpyetje shumë më të madhe.
SPAK përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë komunikime dhe takime me “…funksionarë të lartë shtetërorë…” shqiptarë.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme thuhet se Artur Shehu, Adrian Rama dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë komunikuar për takime me zyrtarë të rëndësishëm të shtetit shqiptar, ndërsa diskutimet lidhen me prona, investime dhe projekte të mëdha ndërtimi në Shqipëri.
Megjithatë, emrat e këtyre funksionarëve nuk bëhen publikë në dokumentet e SPAK. Kjo ka shtuar dyshimet dhe spekulimet, pasi në dosje figurojnë referenca për kontakte në nivele të larta shtetërore, por pa identifikim konkret.
Një nga pretendimet më të diskutuara lidhet me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Emri i tij nuk përmendet në dosjen e SPAK, por është përmendur më herët në materiale të autoriteteve belge dhe në publikime të gazetarit investigativ italian Nello Trocchia.

Deri më sot nuk ekziston asnjë akuzë penale ndaj Agaçit në këtë procedim dhe SPAK nuk e ka përfshirë emrin e tij në vendimet e publikuara.
Dosja përshkruan një skemë ku personat nën hetim dyshohet se kanë përdorur kontrata, dhurime, ndërmjetësime dhe veprime juridike për të marrë kontroll mbi prona strategjike dhe për të siguruar leje ndërtimi për projekte multimilionëshe.

Sipas SPAK, një pjesë e këtyre planeve u bllokua pas sekuestrimit të pasurive të Eldi Dizdarit (Denis Matoshi) dhe ndërhyrjeve të autoriteteve ligjzbatuese.
Takimi i Arubës ishte përmendur vite më parë edhe nga gazetari investigativ italian Nello Trocchia në librin e tij për mafian shqiptare.
Duke iu referuar dokumenteve hetimore italiane, belge dhe gjermane, ai shkruante se në janar 2019 në ishullin karaibik u mblodhën figura kyçe të një rrjeti që po hetohej për trafik ndërkombëtar droge dhe investime multimilionëshe në Shqipëri.
Sipas Trocchia-s, hetuesit dyshonin se në takime nuk merrnin pjesë vetëm biznesmenë dhe persona të lidhur me krimin e organizuar, por edhe “përfaqësues të paidentifikuar të qeverisë shqiptare në detyrë”.
Tashmë, me publikimin e fotografive nga Aruba, Monako, Gjermania dhe Belgjika, dosja merr një dimension të ri. Emrat e trafikantëve të dyshuar dhe biznesmenëve janë në fotografi. /Syri.net/




