Në 30 mars, Drejtoria Rajonale e OSSH-së në Tiranë, shpalli një tender me vlerë 395.6 milionë lekë ose 4.1 milionë euro më kursin aktual, për blerjen e matësave elektrikë dhe aksesorët e nevojshëm për funksionimin e tyre.
Tenderi u zhvillua në 11 maj dhe në të garoi vetëm një kompani, GSA shpk e zotëruar nga biznesmenët Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka.
GSA ofroi çmimin 391.5 milionë lekë ose sa 99 për qind e fondit limit për furnizimin e sahatëve dhe pajisjeve të kërkuar nga OSSH. Duke qenë se ishte kompania e vetme në tender, oferta e GSA-së u shpall automatikisht fituese.
Por ky i 4.1 milionë eurove është vetëm llokma e fundit. Biznesi miliarder i furnizimit të matësave inteligjent elektrikë në tensionin e mesëm dhe të lartë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë është praktikisht një monopol në duart e dy ortakëve Shapllo dhe Orgocka.
Ky është një monopol i ngritur në mënyrën më tinëzare, për shkak se vite më parë, GSA ndërtoi sistemin e matësave për OSHEE-në duke e kalibruar atë në mënyrë të tillë, që të njohë vetëm matësat që furnizon kjo kompani.
Sipas të dhënave zyrtare, në katër vitet e fundit GSA ka marrë 14.3 milionë euro nga drejtoritë e OSSH-së së Tiranës dhe Durrësit për furnizim me matësa inteligjentë.
Thuajse në çdo tender, skema është e njëjtë. GSA merr pjesë si ofertuese e vetme ose në ndonjë rast hyn edhe ndonjë kompani tjetër, e cila ose nuk paraqet fare ofertë financiare ose nuk dorëzon asnjë letër, duke shërbyer thjesht si koperturë.

Aq e sigurtë është OSSH në ndeshjet e saj pa garë, saqë zbaton thuajse gjithmonë të njëjtën skemë, duke ulur vetëm 4 milionë lekë nga fondi limit.
Ky është një monopol , i cili e ka kthyer biznesin e matësave elektrikë të Tiranës, por edhe Durrësit në tensionin e mesëm dhe të lartë në parcelën ekskluzive të GSA-së.
Dhe ky monopol ka vetëm një zjidhje për t’u çarë. OSSH duhet të ndryshojë sistemin e matësave inteligjentë për ta bërë atë kompatibël edhe me lloje të tjerë matësash, jo vetëm me ata që furnizon GSA./Kapitali.al/




