Protesta/ Rama: Shqipëria nuk është e shqiptarit…
Kryeministri Edi Rama, mesa duket nuk i ka pritur aspak mirë protestat kundër projektit në Zvërnec dhe thirrjet për dorëheqjen e tij nga qeveria.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se slogani “Shqipëria është e shqiptarëve”, nuk vlen, pasi sipas tij, me Kanun “Shqipëria nuk është e shqiptarëve, por shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Më tej, Rama shtoi se slogane të tilla i kujtojnë sloganin e tmerrshëm të Gjermanisë naziste ‘Gjermania është e gjermanëve’, duke shtuar se, sipas tij, histori të tilla kanë pasur pasoja të rënda për vendin.
Rama: Projektit që po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde është një investim prej 4 miliardë eurosh dhe është investimi më i madh në Evropë prej shumë vitesh, dhe ne ta bëjmë si lopa?
Kur thotë populli, “e mbush kupën dhe i bie me shqelm në fund”? T’i tregojmë botës një vend krejt ndryshe nga sa jemi? Ta bëjmë si lopa duke e shpërndarë nëpër gjithë ato lumenj dhe kanale të llumit të rrjeteve sociale, lloj-lloj mesazhesh krejt të gabuara ku shqiptarët thonë atë që nuk e kanë thënë kurrë: “Shqipëria është e shqiptarëve”.
Shqipëria nuk është e shqiptarëve, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, dhe këtë e thotë Kanuni. Shqiptarët janë të zotët e kësaj toke këtu, por shtëpia është e hapur për të gjithë
“Shqipëria është e shqiptarëve” të kujton atë sloganin e tmerrshëm të Gjermanisë naziste: “Gjermania është e gjermanëve”. Gjermaninë e gjermanëve, ata që e udhëhoqën atë komb me atë slogan, e katandisën dhe e bënë delen e zezë të botës.




