SPAK nuk guxon të prekë dosjen McGonigal’/ Kalaja: Informova Kongresin dhe Senatin amerikan për…
Çështja e shumëpërfolur e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, dhe lidhjet e tij me qeverinë shqiptare vazhdon të mbetet në vëmendje, ndërsa akuzat për mosveprim dhe bllokim nga ana e drejtësisë po marrin përmasa të reja
E ftuar në emisionin “Task-Forcë” në SYRI TV, me moderatore Sonila Meçon, avokatja Adriana Kalaja deklaroi se dosja që lidhet me çështjen McGonigal ndodhet prej vitesh pa lëvizur në SPAK.
Sipas Kalajas, përveç kallëzimit të depozituar nga Gazment Bardhi, ajo ka paraqitur edhe dy kallëzime shtesë me prova të reja, të cilat janë bashkuar me procedimin ekzistues. Ajo theksoi se SPAK ka kompetenca të plota për të kërkuar informacion dhe letërporosi ndërkombëtare, por pretendoi se nuk ka ndërmarrë hapa konkretë në hetim.
Kalaja akuzoi ish-kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, për mosdhënie informacioni lidhur me ecurinë e çështjes, duke bërë të ditur se ka depozituar kallëzim penal ndaj tij për shpërdorim detyre.
Ajo shtoi se ka informuar edhe Ambasadën e SHBA-së, Senatin dhe Kongresin amerikan për zhvillimet rreth dosjes McGonigal, duke kërkuar hetim të plotë për të gjitha palët e përfshira.
Më tej, Kalaja ngriti pikëpyetje edhe mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore dhe mbi efektivitetin e task-forcës së ngritur për hetimin e krimeve zgjedhore.
Kalaja:
Kjo sot është në një nga sirtarët që ka mbyllur Altin Dumani. Vazhdon të jetë e mbyllur që nga janari i 2022-shit dhe megjithëse është bërë një kallëzim penal, referim në fakt nga zoti Gazment Bardhi, po kështu janë bërë dy kallëzime shtesë nga ana ime. Dhe përpos të gjithë kësaj, që nuk ka asnjë lëvizje dhe për ta informuar dhe publikun, ka një ndryshim në vitin 2016 në raport me pjesën e organit procedues, me SPAK-un.
Pra, në qoftë se prokuroria e përgjithshme është e detyruar që për letërporosi të ndryshme të presi nga Ministria e Drejtësisë, ndryshimet e bëra në vitin 2016 i kanë dhënë liri të plotë, tagër të plotë SPAK-ut, që të kalojë në të gjithë institucionet bilaterale ndërkombëtare për të kërkuar letërporosi, informacione të ndryshme. Kjo si për çështjen McGonigal, si për çështjen e inceneratorëve të Tiranës, që ishte madje një nga pikat që ja ka lënë dhe si detyrë gjykata. Ndërkohë SPAK-u, përveç se nuk guxon ta preki atë dosje, edhe me dy kallëzimet shtesë që kam çuar unë me provat e reja, po ajo që është më e çuditshme, në pesë kërkesat e mia për informacion, Altin Dumani jo vetëm mohonte dhënien e informacionit, sepse ka një ligj që e detyron çdo lloj institucioni të japë informacion…
Është shpërdorim detyre, është vepër penale. Dhe me këtë rast, unë në fakt inicova dhe kallëzimin penal ndaj Altin Dumanit. Dhe çfarë ndodhi? Në moment që unë bëj kallëzim penal, sepse unë e akuzova qartësisht dhe i them, ku janë kallëzimet e mia në lidhje me McGonigal? Se ti mund të mos më japësh informacion të hollësishëm për shkak të sekretit hetimor, ne e kuptojmë shumë mirë. Mua m’u tha dhe tani për dosjen e Tiranës që… nuk mund të kesh informacion, jo po nuk mund të bëhen publike çështje të cilat në fakt mund të na bëhen dhe bumerang. U japim të dhëna, informacione personave të kallëzuar, të cilët mund të ndikojnë në prova apo mund të ndikojnë dhe tek dëshmitarët.
Dhe në moment që unë bëj kallëzim penal për McGonigal, në momentin që unë informoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Senatin dhe Kongresin Amerikan, i them ku një nga zyrtarët më të lartë amerikanë është dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai që ka konsumuar korrupsion pasiv… Ndërkohë pjesa tjetër, sepse nuk quhet e mbyllur dosja, nuk mund të akuzohet vetëm ai që pranon ryshfetin.
Në gjithë botën është e njëjta praktikë… dhe i gjithë ky formacion unë jam e sigurt që ka bërë punën e vet, por nga ana tjetër edhe SPAK-u u vu përpara një përgjegjësie të lartë. Dhe çfarë ndodhi? Ndryshe nga gjithë rastet preçedente, kallëzimet e mia shtesë nuk i kishin regjistruar tek kallëzimi penal i parë i zotit Bardhi, por e kishin çuar tek kallëzimi që kryesisht kishte nisur SPAK-u në lidhje me çështjen e McGonigalit.
4 vite e gjysmë dhe në dijeninë time nuk ka asnjë hap konkret hetimor, procedural, sepse për të mos folur pastaj, i bëjmë dëm edhe vetes nëse kërkojmë edhe më shumë, që të themi jo letërporosi, jo të merret zoti Rama si person në dijeni apo tjetër apo tjetër.
Dhe njëherë tani, në 2023-shin e ka depozituar zoti Gazment Bardhi, ndërkohë që unë, në përgjigjen që më erdhi pas kallëzimit tim penal ndaj zotit Dumani, m’është konfirmuar që vetë prokuroria e posaçme ka hapur kryesisht një procedim penal që është janar 2022, dhe dy kallëzimet e mia shtesë janë bashkuar kallëzimit penal që ka hapur kryesisht SPAK-u.
Por 2 sekonda dhe për këtë, do ta shikojmë në fakt edhe kur të zbardhen të dy vendimet, por aq sa lexova në atë deklaratën në faqen e Gjykatës Kushtetuese, e para njëherë të dy vendimet kundërshtojnë njëra-tjetrën. O do rrëzoheshin të dyja dhe të argumentohej pse kërkesat nuk kanë bazë ligjore apo nuk kanë objekt siç është munduar të thotë Gjykata Kushtetuese, dhe e dyta të dy kërkesat në Kushtetuese janë bërë mbi bazën e vetë orientimeve të Gjykatës Kushtetuese, qoftë lidhur me komisionet hetimore, pra në përmbushje të të gjithë kritereve.
Dhe aq më shumë që nëse Gjykata Kushtetuese do ishte bazuar në vullnetin juridik, jo atë politik, pra në anën profesionale, një komunikim institucional me SPAK-un do të nxirrte në pah që vetë SPAK-u kryesisht në 2022-shin ka filluar kallëzim penal për çështjen McGonigal. Automatikisht është një zgjidhje në fakt edhe më e keqe se vota kundër.
Dhe bëhet, më duket mua, bëhet me një konsensus për të qenë as këtej as andej. Ndërkohë ka dhe një problem tjetër, ato besoj unë kanë gjykuar dhe arsyetuar që për ta mbajtur mirë edhe me opozitën, po mbi të gjitha me një presion në fakt që sot po i bëhet gjykatave edhe nga ndërkombëtarët për hir të së vërtetës, ato kanë menduar duke bërë këtë lojën që njërën ta pranojmë dhe tjetrën ta rrëzojmë. Por mos harrojmë këtu që për çështjen e zgjedhjeve kemi pasur një task forcë. Nëse do jetë i duhuri, a do të hapi dhe të hetojë çështjet që lidhen me krimin zgjedhor? Por sidomos, kush ka qenë veprimtaria e task forcës, se unë e di, të 12 prokurorët të atashuar në 12 qarqe nuk kanë bërë asnjë hap për të parandaluar apo për të proceduar.




