EWB: Korrupsioni dhe drejtësia, testi i Shqipërisë për BE-në
Qeveria është kritikuar ashpër nga opozita për përpjekjet e saj të pretenduara për të kufizuar punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), veçanërisht pasi Kuvendi refuzoi heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, për të lejuar arrestimin e saj.
European Western Balkans shkruan se sipas analistit politik Afrim Krasniqi, vendimi i shumicës së kryeministrit Edi Rama për të mos lejuar hetimin ndaj Ballukut ishte për disa muaj një pengesë serioze që shtetet anëtare të BE-së të binin dakord për miratimin e raportit IBAR.
“Çështja vazhdon të mbetet në krye të listës së prioriteteve për monitorim dhe presion politik nga shtetet kryesore anëtare të BE-së ndaj Shqipërisë. Kalimi në fazën tjetër të procesit nuk pritet të ketë një ndikim të madh pozitiv, veçanërisht në planin e brendshëm. Në Tiranë, procesi i integrimit po trajtohet kryesisht si çështje e elitave qeverisëse. Shoqëria dhe publiku janë lënë kryesisht jashtë informimit, konsultimit dhe përgatitjes. Elitat në pushtet e dinë se Shqipëria do të anëtarësohet një ditë në BE dhe duan të marrin meritën për këtë arritje. Kur ka dështime, përgjegjësia zakonisht i faturohet opozitës ose ndonjë shteti kritik brenda BE-së”, vlerëson Krasniqi.
Sipas studiueses Blerjana Bino, marrja e IBAR-it është “një kombinim mes meritës dhe momentit politik”, pasi Shqipëria “ka investuar qartë energji të konsiderueshme institucionale dhe politike në procesin e shqyrtimit dhe në përmbushjen e kritereve të kërkuara, përmes ndryshimeve ligjore dhe rregullatore, si dhe përmes një konsensusi të gjerë politik mes shumicës dhe opozitës për rrugën drejt BE-së”.
“Në të njëjtën kohë, IBAR nuk ishte as automatik dhe as i lehtë për t’u siguruar. Procesi nisi më herët, por shtetet anëtare morën kohë për të vendosur, veçanërisht pas zhvillimeve politike në Shqipëri që ngritën shqetësime për sundimin e ligjit dhe llogaridhënien parlamentare. Fakti që formulimi përfundimtar është më i fortë dhe më i qartë se versionet e mëparshme tregon se shtetet anëtare dëshironin të ruanin presionin mbi pavarësinë e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias, mbikëqyrjen parlamentare dhe agjendën e reformave themelore. Kjo pasqyron progresin e Shqipërisë, por edhe interesin e ripërtërirë strategjik të BE-së për Ballkanin Perëndimor”, shprehet Bino.
Edhe studiuesja Fjona Merkaj mendon se progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian është rezultat i një kombinimi mes meritës reale dhe rrethanave të favorshme politike.
“Nga njëra anë, Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme, veçanërisht përmes procesit të vettingut në drejtësi, i cili çoi në largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Vendi ka përfunduar me shpejtësi hapjen e gjashtë grup-kapitujve të negociatave dhe ka treguar përputhje me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Nga ana tjetër, dinamika politike ka luajtur gjithashtu rol. Ndryshimet gjeopolitike pas pushtimit rus të Ukrainës kanë rritur fokusin e BE-së te zgjerimi, duke favorizuar vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë”, thekson Merkaj.
Ajo shton se kryeministri Rama “ka kultivuar në mënyrë strategjike marrëdhënie me liderët kryesorë të BE-së, duke forcuar më tej pozicionin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe të favorshme politike”.
Çfarë duhet të bëjë Tirana për të përmbushur afatin e synuar për anëtarësimin në BE?
Pasi ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave dhe synon t’i përfundojë bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2027, Shqipëria është shfaqur si një nga vendet kandidate që po ecën më shpejt drejt BE-së. Megjithatë, për të arritur këtë objektiv, vendi duhet të zbatojë reforma të thella në disa fusha kyçe.
“Pika kryesore është se përafrimi me legjislacionin e BE-së nuk është e njëjta gjë me demokratizimin real në praktikë. Miratimi i ligjeve është i domosdoshëm, por nuk përkthehet automatikisht në institucione më të forta, qeverisje më të përgjegjshme, drejtësi të pavarur, liri mediatike apo mbrojtje më të mirë të të drejtave të qytetarëve. Faza e ardhshme do të jetë më sfiduese. Shqipëria duhet të tregojë zbatim të qëndrueshëm të reformave dhe jo vetëm përputhje formale”, nënvizon Bino.
Ajo sqaron se sfidat kryesore do të jenë: garantimi i pavarësisë së gjyqësorit; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; forcimi i mbikëqyrjes parlamentare; mbrojtja e lirisë së medias; përmirësimi i integritetit zgjedhor; dhe bërja e reformave të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Shqipëria duhet të përfitojë nga ky moment i favorshëm i zgjerimit, por testi i vërtetë është nëse përshpejtimi drejt BE-së do të shoqërohet edhe me përshpejtimin e demokratizimit brenda vendit”, përfundon ajo.
Sipas Krasniqit, “problemi kryesor mbetet hendeku mes miratimit të ligjeve dhe vendimeve të reja, nga njëra anë, dhe zbatimit real e të qëndrueshëm të tyre, nga ana tjetër”.
“Pa garanci të qarta se reformat do të zbatohen plotësisht dhe në mënyrë të barabartë, procesi rrezikon të mbetet kryesisht teknik dhe deklarativ. Kjo e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e objektivit për mbylljen e kapitujve deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.
Shpresa dominuese në Tiranë është se BE-ja ka nevojë për një histori suksesi dhe për një zhvendosje gjeopolitike, ndërsa Shqipëria është në një pozicion të favorshëm për të përfituar. Argumenti është se Shqipëria nuk ka konflikte etnike, kufitare apo fetare dhe as ndikim të rëndësishëm nga vende të treta. Mund të tingëllojë si optimizëm i tepruar, por në Tiranë shumë njerëz besojnë vërtet në këtë skenar”, thotë ai.
Edhe Merkaj pajtohet se Shqipëria përballet me disa sfida të mëdha në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Para së gjithash, sfidë mbetet qëndrueshmëria e reformës në drejtësi. Edhe pse procesi i vettingut ka sjellë rezultate, ndikimi politik në sistemin gjyqësor vazhdon të ekzistojë dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme, sidomos duke pasur parasysh mungesën aktuale të gjyqtarëve.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten shqetësime të vazhdueshme. Megjithëse janë ndërmarrë masa antikorrupsion dhe është arritur progres në disa fusha, korrupsioni sistemik vazhdon të përbëjë një pengesë të madhe”, paralajmëron ajo.
Merkaj thekson gjithashtu se Shqipëria duhet të përshpejtojë përafrimin me standardet europiane në fushën e mjedisit, bujqësisë dhe zhvillimit rajonal, veçanërisht në kuadër të Klasterit 5.
“Kjo nënkupton miratimin dhe zbatimin e standardeve rigoroze të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, bujqësinë dhe zhvillimin rajonal, një proces që kërkon ekspertizë teknike dhe angazhim afatgjatë”, përfundon ajo.




