Beci për deklaratën e Ramës: Pse është rrethuar prona pa leje?
Ish-prokurori Eugen Beci ka ngritur pikëpyetje të forta lidhur me projektin e paralajmëruar për Zvërnecin, duke vënë në dukje mospërputhjet mes deklaratave të kryeministrit Edi Rama se projekti ende nuk është finalizuar dhe veprimeve konkrete që po kryhen në terren.
I ftuar në emisionin “Studio24”, Beci u shpreh se një investim i përmasave të tilla, me vlerë rreth 4 miliardë euro, duhet të kalojë domosdoshmërisht nëpër të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar.
Sipas tij, fakti që projekti nuk është ende i përfunduar nënkupton se nuk mund të ketë një vlerësim përfundimtar mbi ndikimin që ai do të ketë në mjedis apo mbi përfitimet që do të sjellë.
“Problemi është koncepti i pasjes apo jo të projektit ka një lidhje procedurale me ligjet që Republika e Shqipërisë funksionon. Dhe në rast se ne flasim për një projekt kaq madhor ku vlera është 4 miliardë euro dhe në rast se mbështes zonjën Lala vetëm në një ide, në rast se flasim në konceptin që duhet bërë ligji mbi investimet strategjike, ligji mbi ndikimet në mjedis, të gjithë këto elementë patjetër që të çojnë që nuk kemi një projekt përfundimtar.
Por pyetja që lind është, në një logjikë jo vetëm ligjore, por dhe njerëzore dhe normale: Në rast se ti nuk ke një projekt, pse je kaq i sigurt që është më i miri i mundshëm, edhe projekti i cili ndikimin në mjedis e ka zero? Kur projekti nuk ka mbërritur ende, ka një arsye që ti s’mund ta vlerësosh, qoftë dhe politikisht të thuash është më i miri i mundshëm, sepse vetë thua që nuk është.
Dhe e dyta dhe më kryesorja, në rast se projekti nuk ka ndjekur rrugën ligjore të mundshme që kanë lidhje me shqyrtim nga komiteti i investimeve strategjike, vlerësimin e ndikimit në mjedis, konsultimin publik, ligjin për zonat e mbrojtura, procedurën territoriale dhe urbanistike, atëherë pse ka veprime konkrete në terren? Pse kemi një rrethim prone pa leje? Sepse doli sot që është pa leje.
Dhe pse këto elementë të gjitha nuk janë bërë publike për sa i përket një projekti kaq madhor që ka një vlerësim të ndikimit në mjedis shumë të rëndësishëm? Pyetja është e thjeshtë: Në rast se nuk ka ndjekur tërë procedurat ligjore, ose në rast se besojmë që këto procedura ligjore janë kthyer për t’u saktësuar, për t’u qartësuar, është e thjeshtë fare – pse duhet të jemi të garantuar kur s’kemi një projekt mbi të cilin duhet të diskutojmë?”, tha ai.




