Kalaja: Altin Dumani ka bërë mosdeklarim pasurie, pra është falsifikim. Vetingu ka rënë

Kalaja: Altin Dumani ka bërë mosdeklarim pasurie, pra është falsifikim. Vetingu ka rënë

Avokatja Adriana Kalaja deklaroi se mosdeklarimi korrekt i pasurisë nga Altin Dumani është i barasvlershëm me falsifikimin e deklarimit. Ajo ka argumentuar se raste të ngjashme kanë sjellë shkarkime dhe pasoja penale për prokurorë, gjyqtarë dhe ish-zyrtarë publikë.

E ftuar në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, Kalaja tha se persona të sistemit të drejtësisë janë shkarkuar për mosdeklarime më të vogla, ndërsa ngriti pikëpyetje për mënyrën sesi janë trajtuar raste të tjera në procesin e vetingut.

Veç Dumanit, Kalaja ka përmendur edhe Sokol Sadushin, Arben Rakipin, Irena Gjokën, si persona që e kanë kaluar vetingun duke bërë deklarime të rremë të pasurisë dhe të të dhënave të tyre.

Mosdeklarimi korrekt, që t’ia shpjegojmë edhe publikut, është i barasvlershëm me falsifikimin e deklarimit. Pra, prokurorë dhe gjyqtarë të tjerë, për gjëra shumë më të vogla që nuk i kanë deklaruar, janë shkarkuar dhe janë dënuar penalisht. Ndërkohë, kemi edhe ish-kryebashkiakë apo ish-politikanë të ndryshëm, të cilët edhe ata, për shkak të mosdeklarimit, që ligji e klasifikon si falsifikim në deklarim, janë shkarkuar nga detyra dhe janë përgjigjur përpara ligjit.

Tani, ajo që më shqetëson mua, që thashë mos t’i hyjmë teorisë, sepse provat kanë dalë aq të qarta në emisionin e Plugut, me thënë të drejtën, ka rrëzuar reformën e vetingut.

Unë e them që, duke shmangur emrat e përveçëm, ne kemi dy persona që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim shumë të madh në sistemin e drejtësisë, sepse Altin Dumani deri dje ishte në krye të SPAK-ut dhe Irena Gjoka Spata Maneku në krye të Gjykatës së Posaçme. Pra, kemi ngritur një strukturë në 2016-ën dhe kemi furnizuar këto dy struktura nga më të rëndësishmet në sistemin e drejtësisë me njerëz që janë me vese, me cene. Dhe këto cene që këta i kishin në jetën e tyre të përditshme, i shërbyen pushtetit jo vetëm për të kaluar vetingun, prandaj them unë që ka rënë vetingu, por edhe për t’i përdorur këta njerëz si armë në duart e pushtetit ndaj opozitës shqiptare.

Do jap emra unë. Kur flas, flas për fenomenin, nuk flas aspak për njerëzit në veçanti, sepse unë në jetën time nuk jam takuar kurrë me Irena Gjoka Spata Manekun dhe nuk kam asnjë gjë personale.

Ndërkohë, në të njëjtin pozicion, ne kemi Sokol Sadushin. Në të njëjtin pozicion, që e ka shkarkuar nga detyra Plugu, kemi Arben Rakipin. Kemi atë tmerr, atë zallamahi që ndodh në Shkollën e Magjistraturës, duke u futur gjithë patronazhistët, duke u futur të gjithë njerëzit e ministrive dhe duke u falsifikuar notat e provimit, sepse kjo është kapja e pushtetit.

Nëse një pjesë i ka rrëzuar Plugu, një pjesë i kemi rrëzuar me denoncime dhe me kallëzime, të cilat do t’i shkojmë deri në fund. Por, nga ana tjetër, edhe vetë Gjykata e Strasburgut, hap pas hapi, po i rrëzon të gjitha vendimmarrjet që janë marrë në raport me gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshëm.

Por, duke marrë në konsideratë se ka një nen në ligjin e vetingut që shkarkohet ai magjistrat që, nga mosdeklarimi, për shkak edhe të tranzicionit të Shqipërisë, vlera e pasurisë së padeklaruar duhet të konstatohet në dyfishin e asaj që është deklaruar. Pra, në qoftë se ti rezulton me 200 milionë pasuri dhe nuk ke deklaruar 100 milionëshin, atëherë ky është rasti që ti mund të shkarkohesh, përveç dy kritereve të tjera, atij të profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës.

Ndërkohë, çfarë kemi ne? Ne kemi 100 milionë që kanë kaluar nga Ardian Vorani. Ku e kemi sot Ardian Voranin? Bën ligjin në Gjykatën Administrative. Ne kemi po një shumë kaq të madhe, që s’është marrë fare në konsideratë, nga Irena Gjoka Spata Maneku, rreth 100 milionë.

Po ne kemi një deklaratë të vjehrrëve të Altin Dumanit, të cilët deklarojnë se vila jo vetëm që qenka ndërtuar përpara se të bëhej martesa, por nga ana tjetër na japin, në thonjëza, edhe burimin e financimit. Dhe unë nuk di që do ketë ndonjë shqiptar me minimumin e inteligjencës që të kuptojë se ngrihet dikush edhe të falë 42 mijë paund, të cilat, në fakt, në atë kohë, po t’i llogarisësh…

Edhe deklaratën noteriale, por mbi të gjitha, nëse do ta vlerësojmë me kushtet e inflacionit, me kushtet se sa bënte një metër katror në kohën kur ka ndodhur për ne vepra penale, se është vepër penale.

Dhe, nga ana tjetër, fakti që dokumenti… pra këtu dua të ndalem unë, nëse do më lejosh. Pra, fakti që dokumenti e thotë në mënyrë të qartë që, kur është bërë transaksioni i shitjes, ka qenë pasuria arë dhe ka qenë tokë e lirë. Pra, ndërkohë që deklarata noteriale, që lehtësisht është e verifikueshme, sepse është bërë për efekte të vetingut.

Dhe ne e dimë shumë mirë që, ashtu si Irena Gjoka Spata Maneku, edhe vetingu i Altin Dumanit, apo Dumanit me disa mbiemra, ka kaluar për një kohë rekord prej 20 ditësh dhe askush nuk e mori vesh kur filloi dhe kur mbaroi procesi i vetingut.

Tani pyetja që shtroj unë: po e zëmë se edhe Plugu e ka gabim, edhe Partia Demokratike e ka gabim, edhe Sali Berisha e ka gabim, edhe Adriana Kalaja ka bërë gabim që ka bërë atë kallëzimin penal dhe duhet të kallëzohemi për kallëzim të rremë. Tani, pse dokumenti nuk ndodhet në dosje? E para. E dyta, pse nuk ka një prononcim qoftë nga Altin Dumani?

Deklarata noteriale nuk ndodhet në dosje.’, tha Adriana Kalaja në SYRI TV.

Share it :