Në mëshirë të fatit pa një tavan mbi kokë/ Kalaja denoncon nga terreni si po rrezikohet jeta e 9 familjeve në Krujë
Në fshatin Halil të bashkisë Krujë, i njohur ndryshe edhe si Albanopolis, koha duket se ka ndalur në mesjetë.
Në një denoncim nga terreni, kreu i PD, Krujë, Aulon Kalaja ka vizituar nëntë familje të një pallati trekatësh, të cilët jetojnë çdo ditë me frikën për jetën, pasi ndërtesa ku strehohen po rrënohet dita-ditës.
Nga pamjet tronditëse dallohen copat e tjegullave bien vazhdimisht nga lartësia e katit të tretë, i cili ka mbetur plotësisht i zbuluar, pa çati dhe me binarë të kalbur, duke u rrezikuar jetën kalimtarëve dhe vetë banorëve
Familjet kërkojnë me urgjencë përfshirjen e ndërtesës në programin e rindërtimit për dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Thirrja e tyre është e qartë: ata kërkojnë vetëm dinjitet njerëzor dhe kushte minimale jetese. Mbetet një paradoks i hidhur që pikërisht në Albanopolis, vendin historik nga ku mori emrin Shqipëria, qytetarët të braktisen në kushte të tilla mbijetese, ndërkohë që kërkojnë vetëm një çati mbi kokë dhe ujë për të jetuar.
‘Jemi gati për të hyrë në Europë:
Reportazh nga Halili, ndryshe Albanopolis!
Shikoni gjendjen, se ku jetojnë 9 familjet e një pallati të rrënuar! Si i rrezikohet jeta.
Për më tepër flasin vetë banorët dhe pamjet’, shkruan Kalaja në Facebook.
Reportazhi nga terreni:
Aulon Kalaja: Jemi në vitin 2026, dhe ku? Kujdes, në Albanopolis. Ju përshëndes të gjithëve, ndodhemi në fshatin Halil, bashkë me banorët e këtij pallati që shikoni pas shpinës sime. Ditën e sotme, jeta e këtyre banorëve është e rrezikuar, siç është e rrezikuar çdo ditë. Siç e shikoni, këto copa tjegullash që janë të thyera këtu, kanë rënë nga lartësia e katit të tretë, që nuk ka as çati, nuk ka as tjegulla, binarët janë totalisht të kalbur. Dua t’ju them që këta banorë janë në mëshirë të fatit dhe nuk kanë marrë asnjë lloj zgjidhjeje. Kanë shkuar në bashki disa herë, kanë kërkuar llogari tek bashkia, tek njësia administrative Fushë-Krujë, na kanë kthyer në njësinë administrative, ndërkohë që kemi qenë në bashki, dhe i thonë ikni në Krujë. Kruja i thotë ikni në Fushë-Krujë, bëjnë një farë ping-pongu me këta banorë dhe nuk i japin zgjidhje.
Qytetari: Shkuam në Krujë, Kruja na çon në Fushë-Krujë. Fushë-Kruja na çon në Krujë. S’po na japin asnjë zgjidhje.
Qytetarja: Kruja na thotë se është privat, nuk është i shtetit. Kemi shkuar tek zëvendësi e na tha do bëjmë Fushë-Krujën e pastaj do vijmë te ju.
Aulon Kalaja: Fshati Halil i bashkisë Krujës njihet ndryshe dhe si Albanopolis, vendi ku ka marrë emrin Albania, që njihemi ndërkombëtarisht. Këtu jetonte fisi ilir i albanëve, këtu ku jemi ne janë rrënojat e kalasë pak metra më tutje. Dhe jetesa në këtë lloj zone është fiks si kjo që do shikojmë tani. Na ndiqni se si janë shtëpitë.
Qytetarja: Kjo është shtëpia. Këtu as jetohet, as rrihet. Ne jemi të gjithë si në burg.
Aulon Kalaja: Çfarë burgu thua, mos e krahaso me burgun se burgu e ka çatinë në kokë. Këtu s’ke as çati, asnjë gjë. Ne jemi në pikë të hallit.
Aulon Kalaja: Çfarë bie në kat të tretë, futet nga kati i parë. Kjo është shtëpia ku jetojnë banorët. Jemi në vitin 2026, në maj, dhe kjo është situata tani. Ku? Kujdes, në Albanopolis, ku i kemi dhënë emrin ndërkombëtar Shqipërisë. Jemi në fshatin Halil dhe situata është e tillë. Katet e treta i pamë, këtu jemi në kat të dytë, do shohim edhe katet e para tek oborri ku kishin rënë tjegullat. Këta banorë ikin me vrap sepse ju bien tjegulla nga kati i tretë. Si mundesh me ia dalë kësaj pune? Çfarë kërkoni tani domethënë?
Qytetarja: Ne kërkojmë çatinë. Çatinë e shtëpisë, e pallatit. Edhe ujin, se as ujë s’kemi.
Aulon Kalaja: Çatia po, po kjo si do zgjidhet kjo këtu për shembull, kjo shtëpi? Duhet vënë dorë te pallati?
Qytetarja: Duhet vënë dorë, as ujë s’kemi, asnjë pikë. Pa ujë, pa asnjë gjë, pa shtëpi. Jemi në kushte ekstreme.
Aulon Kalaja: Atëherë çfarë kërkojnë këta banorë? Këta po jetojnë si në mesjetë. Këta po jetojnë kundër të gjitha kushteve që i takojnë njerëzve. Kërkojnë dinjitet mbi të gjitha. A jetohet në 2026-n me këtë lloj çatie? Kjo është çatia dhe çfarë bie jashtë futet brenda. U krahasua me burgun; në burg ka çati të paktën, këtu nuk ka çati fare. E gjithë lagështia dhe egërsia e motit janë ulur këmbëkryq te këta banorë. Këta kërkojnë që të ndërhyhet te ky pallat, duke u përfshirë tek dëmet që janë bërë nga tërmeti, dhe sigurisht që të rregullohen shtëpitë e tyre. Bëhet fjalë gjithsej për 9 familje, për 9 apartamente në këtë pallat tre-katësh që shikoni pas shpinës tonë. Së dyti nuk kanë ujë. Pra jemi në 2026-n.




