Rama shtyn afatin e landfillit fantazmë, Cakrani: 30 mln euro të tjera për inceneratorin? SPAK të kishte bllokuar…

Rama shtyn afatin e landfillit fantazmë, Cakrani: 30 mln euro të tjera për inceneratorin? SPAK të kishte bllokuar…

Një vendim i fundit i qeverisë për të shtyrë afatin e lejes së ndërtimit për inceneratorin e Tiranës ka ngritur shqetësime të forta mbi menaxhimin e taksave të qytetarëve dhe përgjegjësinë penale të zyrtarëve të lartë. Ndonëse projekti është raportuar prej vitesh si i përfunduar, dokumentet zyrtare dhe parashikimet në buxhetin e vitit 2025 tregojnë një realitet krejt tjetër.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, avokati Kujtim Cakrani deklaroi se qeveria shqiptare ka planifikuar të disbursojë edhe 30 milionë euro të tjera deri në vitin 2028 për inceneratorin e Tiranës, megjithëse objekti sipas tij nuk ekziston ende.

Sipas tij, qytetarët vijojnë të paguajnë tarifën prej 29 eurosh për ton mbetjesh, tarifë që përfshin edhe procesin e incenerimit, ndërkohë që objekti nuk funksionon.

Avokati ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj institucioneve të drejtësisë, duke deklaruar se prokuroria duhet të kishte nisur menjëherë hetimet për këtë çështje.

“Nëse do të kishte një prokuror nga këta të posaçmit, këta heronjtë, do të kishte nisur urgjent hetimin”, deklaroi ai.

Cakrani argumentoi se në çdo rast kur dalin vendime qeveritare që prekin fondet publike, prokuroria duhet të ndërhyjë menjëherë për të verifikuar destinacionin e parave dhe ligjshmërinë e procedurave. Ai kujtoi gjithashtu se çështja e inceneratorit të Tiranës është aktualisht nën hetim dhe se kompania koncesionare ndodhet në sekuestro preventive.

Sipas avokatit, justifikimi i qeverisë se pagesat po kryhen për shkak të detyrimeve kontraktore është “absurd juridik”, duke theksuar se kontrata në fjalë është tashmë nën sekuestro dhe nuk janë respektuar kushtet e saj nga kompania që duhet të ndërtonte inceneratorin.

Më tej, ai kërkoi regjistrimin e një procedimi penal për shpërdorim detyre ndaj kryeministrit dhe zyrtarëve përgjegjës.

Cakrani:

Shiko Flavio, në buxhetin e vitit 2025 është parashikuar, nëse do ta konsultoni me buxhetin, që deri në vitin 2028 qeveria shqiptare do alokojë ose do disbursojë akoma dhe 30 milionë euro për sa i përket inceneratorit, sepse sipas tyre duhet të fillojë të ndërtohet. Pra, inceneratori që deri tash nuk është ndërtuar dhe qytetarët shqiptarë paguajnë për incenerimin, ajo kuota e famshme 29 euro për ton, që është bashkë me incenerimin brenda, dhe kjo po vazhdon. Padyshim, ju pak më parë, dhe me të drejtë, keni folur për prokurorinë. Nëse do të kishte një prokuror nga këta të posaçmit, këta heronjtë, do të kishte nisur urgjent hetimin.

Jo se kjo çështje nuk është denoncuar, sepse ato vendimet janë ato të cilat sjellin pasojat më pas. Mos harrojmë diçka, njerëzit sot si zoti Berisha, si zoti Meta, si zoti Mediu e të gjithë me radhë, janë në procedim penal për vendime që nuk i kanë nxjerrë kurrë, pra për perceptime. Sepse mund të kesh ndikuar ti që ka dalë ai vendimi, pra ndikimi yt tek ai ministër mund të ketë qenë duke pirë kafe i ke thënë ‘nxirr këtë vendimin’. Jo më ta nxjerrësh vendimin, ta shkruash me emër dhe mbiemër Kryeministri i Republikës, dhe ti të mos kesh asnjë përgjegjësi penale.

Prandaj pikërisht pra. Sepse, është një rrugë që ka nisur 30 vjet më parë në Itali, Salerno-Reggio Calabria, dhe ajo sa herë… pse nuk ka përfunduar? Sepse tenderin e kapte mafia, dhe prokurori çfarë bën?

E nuhat dhe menjëherë tak, bllokon fondet. Kjo është puna e prokurorisë. Që ti të shikosh që del një urdhër, një VKM, një ligj, ti menjëherë alarmohesh dhe vendos, bën sekuestro. Ndërhyn, po patjetër se ti prandaj je prokuror publik. Dhe prokurorët duhet të ishin ndërhyrë për të gjitha vendimet që ka nxjerrë Edi Rama, ku ka shkelje që ka dhënë para nga buxheti i shtetit. Kështu që kjo është detyra ekskluzivisht e prokurorisë. Sepse ne mund të diskutojmë këtu në studio, mund të flasim teknikalitete që dhe qytetarët nuk kanë për t’i kuptuar, sepse përveç atyre që jetojnë në Tiranë dhe rreth zonës aty, askush nuk e di që atje ne po paguajmë para për një objekt që nuk ekziston. Sepse nuk ekziston! Pra, paguajmë para për një objekt që nuk ekziston dhe paratë paguhen sikur ai ekziston dhe ai punon, pra ai inceneron, djeg plehrat.

Tani problemi është që këtu futet në lojë menjëherë prokuroria. Për çfarë u bënë? Për të kapur këto dokumenta, këto letra, dhe për të parë ku shkojnë këto para, 30 milionë, 50 milionë, 60 milionë euro, ku shkojnë? Se prandaj do ndjekësh paratë. Dhe pse dalin këto? Pse kryeministri ka vendosur të bëjë këtë veprim? Dhe kur mos harrojmë që ka një ndjekje penale, pra është një hetim për çështjen, ka dhe një sekuestrim. Mos harrojmë që ka dhe një sekuestrim nga prokuroria e posaçme për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston. Dhe unë nuk e di tani, prokuroria kur dëgjon kryeministrin që nxjerr një VKM, ose bën një ligj të caktuar, për një çështje që ajo e ka nën hetim dhe nuk vepron, unë si do t’ia vë emrin kësaj historie?

Ai justifikohet vetëm me faktin që ne kemi një kontratë, thotë ai, me kompaninë që do ndërtonte inceneratorin, që është në sekuestro. Edhe kompania. Dhe kontrata e keqe që është bërë nuk kemi çfarë të bëjmë sepse nëse ne do shkojmë në arbitrazh, ne do humbasim miliona, miliona. Ndërkohë që ky nuk ka pyetur për raste të ngjashme, ka shkuar në arbitrazh, po marrim rastin Becchetti. Në qoftë se ky do të interesohej aq shumë për kontratat që i ka bërë në mënyra abuzive… ajo kontratë është sekuestruar tashmë, dhe është një kontratë e cila nuk është përmbajtur kushteve nga ata të cilët do ta ndërtonin inceneratorin. Sot që ne flasim duhet të ishte ndërtuar. Dhe ndërkohë që inceneratori, kur është marrë vendimi i gjykatës për të vënë në sekuestro kompaninë, llogaritë bankare e kështu me radhë, atëherë ata kanë konstatuar që nuk ka objekt të incenerimit aty, pra është vjedhje e pastër. Dhe kryeministri çfarë bën? Vazhdon me justifikimin që ‘po nuk pagova unë…’.

Pra nëse prokuroria duhet të ndjekë lekët, këto para ku shkojnë njëherë?

Ky është pyetja që bëhet. Këto para, thotë Rama, shkojnë përsëri te llogaria e kompanisë, po llogaria e kompanisë është nën sekuestro thotë, dhe këto para do mbeten përsëri të shtetit. Sepse kompania, thotë ai, është në sekuestro. Po e bën sepse ne do përmbushim detyrimet kontraktore që kemi me kompaninë, dhe nëse ne nuk i përmbushim këto, atëherë ata… Pra, ka absurditete juridike që njerëzit mos t’i kuptojnë. Kjo është e gjithë historia. Imagjinoni ju tani Ramën që kujdeset shumë për kontratat, për marrëveshjet, kur ai s’pyet për asnjë vendim të Gjykatës së Strasburgut. Që janë sot nja 60-70 milionë euro që duhet t’u japë qytetarëve shqiptarë që kanë fituar gjyqet e kështu me radhë dhe ai përsëri nuk i zbaton këto vendime.

Po, ato janë të brendshme, nuk po flasim për ato, po flasim për vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që janë lidhur me pronën, me vendime abuzive, me burgim të padrejtë, historitë e kësaj natyre, bëjnë 50-60 milionë. Dhe ai i ka si detyrim që duhet patjetër t’i ketë në zë në buxhet ato. Po po, sepse ato duhet të jenë në zë buxhetor. Dhe ai nuk i ka futur fare, nuk i ka buxhetuar fare.

Pra, që thotë, unë nuk njoh vendimet e gjykatave europiane. Imagjinoni ju tani Edi Ramën, te një kontratë që e ka firmosur vetë, 17 vendime thap-thap, edhe u jep para. Tani prokuroria duhet të shikojë këto para ku shkojnë. Se ne nuk e dimë ku shkojnë këto para. Unë dhe ju nuk i dimë. Ne dimë thjesht procedurën që është antiligjore, bie në kundërshtim me ligjin, dhe duhet hetuar.

Kryeministri, si fillim duhet regjistruar procedimi penal për shpërdorim detyre. Pastaj duhet parë nëse ky shpërdorim detyre… sepse s’mund të themi tani direkt që shkon te korrupsioni, sepse duhet hetuar pastaj, korrupsioni aktiv, pasiv e kështu me radhë. Por si shpërdorim detyre është i dukshëm.

Share it :