Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet
Një tjetër kapitull i fortë është zbuluar në investigimin për projektin Durrës Marina, pasi inxhinieri konstruktor Dhimitër Papa ka pranuar përballë emisionit “Piranjat” se pallatet e kompleksit kanë pësuar ulje deri në 18 centimetra dhe se projekti fillestar me pilota betoni u ndryshua me kërkesë të ekspertëve nga Dubai.
Sipas Papës, pilotat e betonit u zëvendësuan me pilota çakëlli pas “debatit teknik” me ekspertët e huaj të projektit, të cilët këmbëngulën se kjo metodologji përdorej edhe në Dubai.
Ai deklaroi se “pilotat janë dashur me beton”, por kompania kërkoi një tjetër zgjidhje teknike.
Në intervistën e tensionuar, konstruktori fillimisht kundërshtoi shifrat e publikuara për zhytjen e pallateve, duke mohuar uljen prej 28 centimetrash të raportuar nga IKMT, por pranoi se objektet kanë pësuar ulje deri në 18 centimetra.
Papa ia atribuoi problemin hapjes së gropave përreth objekteve, duke deklaruar se largimi i ujit dhe rërës nga kantieret fqinje krijoi fenomenin e “sufosionit”, që sipas tij solli ulje më të madhe sesa ajo e parashikuar në projekt.
Ndërkohë, nënkontraktori Mirel Elmazaj, kompania e të cilit ka realizuar punimet në dy pallatet e prekura, deklaroi se “uljet janë normale”, por më pas akuzoi IKMT-në për matje të gabuara dhe tha se institucionet “janë shtyrë nga presioni publik”.
Nga ana tjetër, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e Dhimitër Papës, inxhinierja Armeda Gramos, pranoi se objektet kanë pësuar “ulje të konsiderueshme”, por këmbënguli se projekti është realizuar me përgjegjësi dhe sipas llogaritjeve teknike.
Investigimi i “Piranjave” nxori në pah gjithashtu se personat e përfshirë në projekt kishin kufizime kontraktuale për të folur publikisht, ndërsa deri tani Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka konfirmuar zyrtarisht ulje prej 18 dhe 28 centimetrash në dy prej pallateve të kompleksit.
/Piranjat news




