Skandali me provimin VANAF, Ministria e Arsimit përdor nxënësit 10-vjeçarë si “kavie” vetëm për fasadë
Nga Boldnews.al
“Arsimi është dinjitet më së pari”, – thonë mësuesit, me vite pune në mësimdhënie. Më 21 maj 2026, mbi 27 mijë nxënës të klasave të pesta zhvilluan provimin për Vlerësimin e Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor, i njohur ndryshe shkurt si VANAF.
Para provimit të Ministrisë së Arsimit, me ditë të tëra, fëmijët ishin provuar e sporvuar me teste të viteve të kaluara, me mësime dhe përsëritje nga mësuesit, të cilët, dinë në fakt të vërtetën se sa dije ka një nxënës. Mirëpo gjithë ky angazhim përcolli shumë ngarkesë emocionale te fëmijët 10-11 vjeçar dhe padyshim, edhe te mësuesit me ndërgjegje dhe dinjitet.
Dita e provimit VANAF i gjeti nxënësit në frikë, stres dhe lot në oborret e shkollave të tjera ku do duhej të bënin provimin e “madh” të jetës vetëm dhe me një mësues të panjohur. Për Ministrinë e Arsimit që merret me hartimin e politikave të mëdha arsimore kjo situatë mund të duket krejtësisht normale, por ajo çfarë përjetuan fëmijët ishte ndryshe.
Nuk ishte diçka aq e lehtë sa një postim i Ministres së Arsimit me 4 rreshta dhe 8 foto në Facebook. Për më tepër, po aq i rëndë është fakti se ky eksperiment social me fëmijët nuk u administrua në rregull.
Si në çdo rast tjetër të provimeve kombëtare testi doli në pazar ndërsa nxënësit përpiqeshin mes frikës dhe stresit t’u jepnin zgjidhje pyetjeve 54 pyetjeve të provimit VANAF, që përfshin tri lëndë: Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Dituri Natyre. Administratorët e provimit, të miratuar nga Ministria e Arsimit u lejuan me telefona në klasa, mbase për të mos përjetuar të njëjtin stres me fëmijët, por nxënësve ua morën makinat e thjeshta llogaritëse që më tepër i futën në portofola për të ndjerë siguri se sa për të kryer veprime.
Testi i VANAF u qarkullua me shpejtësi në qindra celularë drejtorësh, mësuesish, prindërish. Qëllimi? Të ndihmoheshin fëmijët apo të rriteshin rezultatet e shkollave? Po si mund të ndodh kjo pikërisht ditën e provimit? Fëmijët morën stres dhe jo atë që meritonin nga VANAF. Ministria do të marrë rezultatet e koduara të nxënësve, që në rast se janë pozitive do t’i përdorë politikisht për krenari arritjesh në arsim dhe jo për politika arsimore, në të kundërt do të hesht dhe, ky eksperiment i rrezikshëm me fëmijët, që sipas arsimtarëve me përvojë nuk prodhon rezultate reale, do të vijojë derisa ne tua lejojmë.
Provimi VANAF është një nismë relativisht e re në sistemin arsimor shqiptar. Ai ka nisur të zhvillohet në vitet e fundit si pjesë e reformave për vlerësimin e nxënësve në arsimin fillor, për klasat e pesta.
Por deri më sot, as Ministria e Arsimit dhe as drejtues të tjerë të institucioneve arsimore nuk kanë dhënë asnjë shpjegim mbi efektet e këtij testimi dhe vazhdimësinë e tij. Pyetjet që duhet të ngrihen në këtë rast janë disa:
A është konsultuar Ministria e Arsimit me ekspertë jopolitikë të fushës, me mësues me përvojë, me psikologë dhe punonjës social të shkollave dhe më gjerë për efektet dhe rezultatet e VANAF? Përse duhet të vijoj ky terror i përvitshëm me fëmijët që Ministria të kuptojë nivelin e arritjeve të nxënësve si aktor i jashtëm dhe shumë i largët me realitetin e shkollave, edhe pse në majën e hierarkisë Arsimore? Çfarë vlere kanë këto rezultate për nxënësit që përdoren si “kavie” dhe çfarë ndryshon në shkollat publike pas këtij testimi? A mban përgjegjësi drejtuesi i shkollës për nivelin e ulët të rezultateve? Pra, ne duhet të dimë se cila është vlera që sjell i gjithë ky proces testimi për nxënësit, për mësuesit dhe për shkollën, sepse fëmijët nuk janë “kavie” për eksperimente.




