Berisha: Integrimi në BE prioritet për ne, por Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë
Kryetari i PD, Sali Berisha duke folur në tryezën ‘Gratë politikane të rajonit, Suedisë dhe EPP-së bashkë për Integrimin’, është shprehur se, integrimit në Bashkimin Europian është prioritet për demokratët.
Por sipas tij, Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë djhe këtë e kanë konfirmuar edhe raportet ndërkombëtare.
Berisha tha se, nëse shikoni zgjedhjet e 11 majit të kaluar në Shqipëri, do të gjeni se ato u karakterizuan si zgjedhje ku kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake ishte zbehur ose zhdukur. Kjo do të thotë zgjedhje që u zhvilluan në një shtet-parti, në një model të partisë-shtet.
Berisha: Së pari dua të shpreh mirënjohje ndaj fondacionit Jarl Hjalmarson, një aleat shumë i çmuar, i kahershëm i Partisë Demokratike, presidentes Gustafsson dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Dua gjithashtu të shpreh mirëseardhjen zonjave të nderuara deputete, personalitete të shquara nga Suedia, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, pra nga rajoni. Të shpreh vlerësimin tim për çështjet që keni zgjedhur në këtë konferencë.
Dua të shpreh vlerësimin tim të thellë për temat e zgjedhura për këtë debat. Janë tema shumë themelore, më themeloret: zgjerimi i Bashkimit Evropian, NATO dhe siguria.
Këto janë, pa diskutim, çështjet më të rëndësishme për Shqipërinë, dhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor që po punojnë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Disa prej tyre janë anëtare të NATO-s. Pra, temat dhe çështjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Integrimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike është prioriteti kryesor. Sepse ne besojmë se një e ardhme në BE do të thotë më shumë liri, më shumë mirëqenie dhe më shumë siguri për qytetarët shqiptarë.
Kjo është arsyeja pse për partinë tonë ky është prioriteti kryesor i programit.
Ne besojmë se ky proces duhet të bazohet në meritë. Vetëm një proces i bazuar në meritë u garanton qytetarëve tanë liritë dhe të drejtat e njeriut, një drejtësi të pavarur, një ekonomi funksionale tregu dhe ‘acquis communautaire’ për vendin.
Shqipëria sot ndodhet në një moment shumë të veçantë. Pak muaj më parë, V-Dem e klasifikoi Shqipërinë si një autokraci elektorale.
Në fakt, autokracitë elektorale janë diktatura autokratike në kuptimin që ato e pranojnë pluralizmin, por e shtypin atë. Nëse diktaturat totalitare nuk e pranojnë pluralizmin, nuk e lejojnë fare ose krijojnë një pluralizëm të rremë, siç bëri Tito gjatë sundimit të tij dhe siç e kopjoi Ramiz Alia në vitet e fundit të diktaturës, diktaturat autokratike, ose të quajtura autokraci elektorale, shkatërrojnë mekanizmin më themelor të një shoqërie demokratike, që janë zgjedhjet e lira.
Nëse shikoni zgjedhjet e 11 majit të kaluar në Shqipëri, do të gjeni se ato u karakterizuan si zgjedhje ku kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake ishte zbehur ose zhdukur.
Kjo do të thotë zgjedhje që u zhvilluan në një shtet-parti, në një model të partisë-shtet.
Dhe këto nuk do të konsiderohen kurrë zgjedhje të mirëfillta. Ky është një problem shumë themelor i autokracisë në Shqipëri.




