Topalli: PD mund t’i kishte hapur negociatat 13 vite më parë, Rama i bllokoi!
Deputetja e PD,Jozefina Topalli replikoi me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu i cili akuzoi opozitën se, në vend që të njohë progresin e institucioneve shqiptare në rrugën europiane, zgjedh të prodhojë akuza politike.
Topalli theksoi se, është PD e cila në 30 vite ka integruar vendin dhe e ka orientuar drejt perëndimit. Ndërsa i renditi sukseset e PD-së Topalli i kujtoi Gogut se është Partia Demokratike që ka kërkuar dhe mund të hapte negociatat 13 vite përpara, kur Evropa kërkonte të votoheshin tre ligje, dhe kjo forcë politike, dhe kryeministri Edi Rama nuk pranoi.
“Kryetar, me thënë të drejtën nuk kisha ndërmend të merrja fjalën, por për sa kohë ministri që i përgjigjet deputetes me të drejtën e tij për të replikuar flet për opozitën dhe për Partinë Demokratike, jam e detyruar të them: Është Partia Demokratike që në 30 vite ka integruar vendin dhe e ka orientuar drejt perëndimit.
Është Partia Demokratike që e ka futur në OSBE. Është Partia Demokratike që e ka futur në Këshillin e Evropës, kur ata që ishin në këtë anë e quanin Evropën “molla gjysmë e kalbur”.
Është Partia Demokratike që ka firmosur Paktin e Stabilizim-Asociimit. Është Partia Demokratike e cila ka ratifikuar me të gjitha vendet anëtare të BE-së këtë marrëveshje.
Është Partia Demokratike që ka kërkuar dhe mund të hapte negociatat 13 vite përpara, kur Evropa kërkonte të votoheshin tre ligje, dhe kjo forcë politike, dhe ai që do të ishte aty në atë karrige, nuk pranonin”, tha Topalli.




