10 mln euro cokollata/ ‘Spitali i Traumës ndodhet në kolaps’, Xhixho: Koncesionet marrin miliona, pacientët mbeten pa shërbim
Deputetja e PL, Erisa Xhixho, gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare tha se sistemi shëndetësor në Shqipëri ndodhet në kolaps funksional, ndërsa ngriti shqetësime të forta për situatën në Spitalin Universitar të Traumës dhe mungesën e shërbimeve jetike për qytetarët.
Xhixho akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë për keqmenaxhim, mungesë transparence dhe propagandë, duke deklaruar se mbyllja e 10 sallave operatore në Spitalin e Traumës ka lënë mijëra pacientë në pritje për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas saj, qytetarët po përballen me vonesa të gjata për operacione urgjente, ndërsa shumë shërbime si okulistika, ortopedia, këmba diabetike dhe urologjia rezultojnë të pezulluara ose jashtë funksionit.
Deputetja e Partisë së Lirisë ngriti alarmin edhe për praninë e baktereve të rrezikshme në sallat e operimit dhe repartet e reanimacionit, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për sigurinë e pacientëve.
Ajo vuri në diskutim edhe pagesat e kryera për koncesionin e sterilizimit, ndërsa sipas saj spitalet publike vijojnë të kenë mungesë shërbimesh, pajisjesh dhe barnash jetike.
Fjala në Kuvend:
Zonja Ministre!
Spitali Universitar i Traumës është i vetmi spital i këtij lloji në Shqipëri. Është institucioni ku qytetarët shkojnë kur jeta e tyre varet nga minuta, nga ndërhyrja e menjëhershme, nga përgjegjësia e shtetit. Dhe pikërisht ky spital sot është simboli më i qartë i degradimit të sistemit shëndetësor që ju drejtoni.
Vetëm gjatë vitit 2025, në këtë spital kanë marrë shërbim 62 mijë e 984 pacientë. Pra, flasim për mijëra qytetarë që përballen çdo ditë me aksidente, trauma, ndërhyrje urgjente dhe nevoja jetike. Por çfarë ndodh realisht?
Që prej dhjetorit të vitit 2025, 10 sallat operatore janë mbyllur për shkak të një rikonstruksioni pa fund, pa transparencë dhe pa një plan alternativ funksional për pacientët. Mijëra qytetarë janë lënë në lista pritjeje. Edhe pacientët me urgjenca detyrohen të presin një javë të tërë me dhimbje, ndërsa për rastet më të rënda, si thyerjet e legenit apo të gjurit, pritja zgjat me muaj.
Kjo nuk është më vonesë administrative. Kjo është braktisje institucionale.
Në një spital traume, pacientët nuk duhet të luten për një sallë operatore. Nuk duhet të numërojnë ditët me dhimbje, ndërsa shteti numëron propagandën në rrjetet sociale.
Dhe ndërkohë që qytetarët presin në korridore, shumë shërbime jetike mungojnë tërësisht. Okulistika, trajtimi i këmbës diabetike, urologjia, shërbime që duhet të ishin funksionale në një spital universitar, sot janë ose të mbyllura, ose vetëm fasadë propagande.
Më 19 maj 2025, ju dolët publikisht për të njoftuar me krenari pajisjen e shërbimit të Okulistikës me aparatura moderne. Por e vërteta është krejt tjetër: shërbimi vijon të jetë i mbyllur për qytetarët. Pra, shqiptarët kanë parë edhe një herë modelin tuaj të qeverisjes: inaugurime pa shërbim, aparatura pa pacientë, propagandë pa realitet.
Por ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë është fakti se në sallat e operimit dhe në reanimacion janë konstatuar tre baktere të rrezikshme, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e pacientëve.
Dhe këtu lind pyetja më e rëndë morale dhe politike:
Si ka mundësi që pacientët rrezikohen nga infeksionet në spitalin më të rëndësishëm të traumës në vend, ndërsa koncesioni i sterilizimit vazhdon të marrë miliona euro nga taksat e shqiptarëve?
Vetëm gjatë vitit 2025, koncesioni i sterilizimit ka marrë rreth 600 mijë euro më shumë se një vit më parë. Pagesat janë rritur për sete kirurgjikale me kosto më të lartë, ndërkohë që vetë SPAK e ka cilësuar këtë kontratë abuzive, të ndërtuar mbi mashtrim dhe falsifikim.
Megjithatë, qeveria juaj vazhdoi të paguante deri në fund të kontratës.
Pra, kemi një sistem ku pacientët presin me muaj për ndërhyrje, spitali funksionon me kapacitete të paralizuara, infeksionet përhapen në sallat e operimit dhe paratë publike vazhdojnë të derdhen në një koncesion që drejtësia e konsideron abuziv. Kjo nuk është reformë. Kjo është vjedhje që lë pas mjerim.
Janë investime të shkuara dëm. Janë shërbime të munguara. Janë qytetarë që detyrohen të paguajnë në privat edhe për protezat që duhet t’i sigurojë spitali publik.
Dhe përfundimi është vetëm një:
Spitali Universitar i Traumës ndodhet në kolaps funksional.
Sot qytetarët shqiptarë janë vendosur përballë zgjedhjeve të papranueshme: ose të presin me muaj e vite për ndërhyrje jetike, ose të paguajnë nga xhepi në privat, ose të largohen jashtë vendit për të kërkuar trajtim.
Kjo është panorama reale e shëndetësisë shqiptare nën drejtimin tuaj. Jo propaganda.
Jo videot promocionale. Por dhimbja, pritja dhe braktisja që përjetojnë qytetarët çdo ditë.
Pyetjet për ministren
1. Çfarë shpjegimesh u detyroheni pacientëve dhe familjeve të tyre për faktin se në Spitalin e vetëm të Traumës në vend janë mbyllur 10 salla operatore njëkohësisht, pa garantuar kapacitete alternative për pacientët me urgjencë dhe ata me planifikim?
2. A ekziston një plan kontigjence i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë për përballimin e situatës gjatë rikonstruksionit dhe pse ky plan nuk u bë publik për qytetarët?
3. Pse qytetarët dhe pacientët nuk janë informuar zyrtarisht se shumë shërbime në Spitalin e Traumës janë pezulluar ose kufizuar prej muajsh?
4. Si e justifikon ministria faktin që pacientë me trauma dhe fraktura kanë pritur deri në një javë për ndërhyrje kirurgjikale urgjente, ndërkohë që ekspertët e konsiderojnë këtë “keqmenaxhim kriminal”?
5. Sa është aktualisht numri real i pacientëve në listë pritjeje në Spitalin e Traumës dhe sa prej tyre presin prej më shumë se një viti për operacion? Përse iu thuhet pacientëve që mund të presin deri në 6 vjet për një ndërhyrje?
6. Çfarë masash konkrete ka marrë ministria pas informacioneve për praninë e baktereve të rrezikshme si Acinetobacter baumannii, Staphylococcus aureus dhe Pseudomonas aeruginosa në sallat e operacionit dhe reanimacion?
7. Pse Instituti i Shëndetit Publik nuk ka kryer inspektim në Spitalin e Traumës gjatë vitit 2025, ndërkohë që situata në sallat operative rezulton problematike dhe me risk të lartë infeksionesh? Përse vetë Spitali i Traumës nuk i bën publike të dhënat për inspektimet që ka kryer, ku rezultojnë këto mikrobe, dhe nuk merr masa konkrete? A e dini se cilat janë pasojat nëse një pacient merr një mikrob në spital, i cili është rezistent edhe ndaj antibiotikëve?
8. Si ka mundësi që sot nuk merren shërbime për këmbën diabetike, okulistikën, urologjinë dhe ndërhyrjet ortopedike? Çfarë masash do të merrni që shërbimi të rifillojë urgjentisht?
9. Sa pacientë janë detyruar të drejtohen në spitale private për shkak të mungesës së shërbimit në Spitalin e Traumës dhe a ka një analizë mbi barrën financiare që kjo situatë u ka shkaktuar qytetarëve?
10. Duke qenë se Spitali i Traumës është strukturë strategjike kombëtare për emergjencat masive, tërmetet dhe fatkeqësitë, a konsideron ministria se gjendja aktuale cenon sigurinë kombëtare dhe aftësinë e vendit për t’u përballur me një emergjencë madhore?
11. Pse mungojnë pajisjet dhe materialet bazë, përfshirë protezat, dhe cili është plani për sigurimin e tyre? Pse në disa pavijone, edhe në QSUT, mungojnë vigonat, madje edhe alkooli?
12. Si po procedohet me sterilizimin pas përfundimit të kontratës koncesionare të sterilizimit, e cila ka kushtuar 250 milionë euro dhe njihet publikisht për dëmet që ka shkaktuar në buxhetin e shtetit?
13. Pas të gjitha hetimeve që vazhdojnë për çdo PPP në shëndetësi, nga sterilizimi te laboratorët, a mund të konfirmoni që këto kanë qenë një strategji e gabuar dhe çfarë masash konkrete do të merren për të përmirësuar raportin kosto-efektivitet në sistem?
14. Në kushtet kur kontratat janë të gjitha në hetim, pse vazhdojmë të paguajmë kur nuk kemi buxhete për barna?
15. A i ka QSUT kapacitetet për të trajtuar pacientët me dializë, pasi gjatë vitit të kaluar vetëm 7% e tyre e kanë marrë këtë shërbim në shtet, ndërsa pjesa tjetër janë drejtuar te privati?
16. Si paraqitet situata e analizave, të cilat nuk kryhen pas datës 20 të çdo muaji? Në një deklaratë tuajën më 26 mars, keni premtuar zgjidhjen e këtij ngërçi, që për pacientët kronikë mund të rezultojë fatal. Në çfarë pike jemi aktualisht?
17. Sipas KLSH-së, mbi 102 mijë njësi barnash kanë dalë në treg përmes farmacive të lagjeve me afat skadence të përfunduar, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e pacientëve. Çfarë masash janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë?
18. Në media raportohet shpesh për mungesën e barnave dhe terapive për sëmundjet tumorale. Cila është përgjigjja juaj për pacientët me kancer dhe familjet e tyre, të cilat detyrohen të marrin kredi për t’i shpëtuar vdekjes?
19. A i qëndroni deklaratës suaj se në QSUT, apo spitalet e tjera të Shqipërisë, ka ilace dhe nuk ka asnjë mungesë?
Zonja Ministre!
Sot ju nuk dhatë asnjë shpjegim real për atë që po ndodh në Spitalin e Traumës. Folët si ministre e një qeverie që përtej propagandës, fasadës dhe postimeve në rrjetet sociale, nuk ofron pothuajse asgjë për qytetarët shqiptarë.
Sot nuk po flasim për një problem të zakonshëm administrativ. Po flasim për një krizë funksionale në Spitalin Universitar të Traumës, i vetmi spital i këtij tipi në Shqipëri.
Dhe kur paralizohet spitali i vetëm i traumës në vend, nuk kemi më thjesht problem menaxhimi. Kemi rrezik për sigurinë shëndetësore të qytetarëve dhe potencialisht edhe çështje sigurie kombëtare në rast emergjencash masive.
Problemi i parë dhe më i rëndë është mbyllja e 10 sallave operatore.
Prej muajsh, këto salla janë jashtë funksionit për shkak të një rikonstruksioni të zgjatur, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 3 salla urgjence funksionale.
Si është e mundur që mbyllen 10 salla operatore në spitalin kryesor të traumës pa garantuar vazhdimësinë normale të shërbimeve?
Pervec informacioneve te mi aka dhe nje investigim i plote i Inside Story qe mund ta verifikoni dhe vete qe flet per situaten dramatike ne Spitalin e Traumes.
Sot realiteti është dramatik. Mbi 2 mijë pacientë janë në pritje për operacione.
Ka qytetarë që presin 1 deri në 4 vite për një ndërhyrje. Edhe rastet urgjente ortopedike shtyhen me ditë apo javë.
Faturën, si gjithmonë, e paguajnë qytetarët.
Ju njoftuat orientimin e pacientëve drejt spitaleve rajonale. Por çfarë ndodhi realisht?
Qytetarët nuk u informuan publikisht. Spitalet rajonale nuk janë përgatitur për të përballuar fluksin. Dhe sipas materialeve të bëra publike, vetëm spitali i Elbasanit dha një përgjigje konkrete. Pra, nuk pati koordinim real institucional. Pati vetëm deklarata.
Por problemi nuk mbaron këtu.
Në sallat e operimit dhe në reanimacion janë identifikuar tre baktere shumë të rrezikshme:
Acinetobacter baumannii, Staphylococcus aureus – MRSA dhe Pseudomonas aeruginosa.
Po flasim për baktere që lidhen me rrezik të lartë për sepsis, pneumoni dhe humbje jete.
Dhe shqetësimi bëhet edhe më i rëndë nga pretendimet se nuk është kryer asnjëherë dezinfektim total i ambienteve të reanimacionit, ndërsa pacientët nuk janë larguar për të bërë të mundur sterilizimin e plotë të zonës. Pra, kemi një repart kritik që paraqitet si zonë me rrezik të lartë infeksioni, në një kohë që për koncesionin e sterilizimit gjatë 2025 janë paguar 600 mijë euro shtesë. Kjo është alarmante.
Ndërkohë, shumë pacientë detyrohen të shkojnë në privat për të paguar: protezat,
analizat, operacionet, apo trajtimet okulistike.
Dhe shumë prej tyre deklarojnë se nuk kanë mundësi ekonomike. Pra, qytetarët jo vetëm që nuk marrin shërbimin në kohë, por detyrohen të paguajnë nga xhepi për atë që shteti duhet të garantonte. Edhe shërbimet jetike janë drejt paralizës.
Janë bllokuar edhe shërbimet si ORL, maksilofacial (dentistët), angiologjia (kirurgjia për damarët e gjakut).
Shërbimi i këmbës diabetike është praktikisht i bllokuar. Operacionet okulistike janë ndërprerë. Dhe pasojat janë të rënda: pacientët rrezikojnë amputime, humbje shikimi,
apo përkeqësim serioz të gjendjes shëndetësore.
Por ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se Shqipëria nuk ka kapacitet alternativ kombëtar. Spitali i Traumës është i vetmi i këtij lloji në vend. Dhe sot sistemi ynë shëndetësor paraqitet i papërgatitur për: aksidente masive, fatkeqësi natyrore apo emergjenca kombëtare.
Ka mungesë planifikimi, mungesë menaxhimi të krizës, dhe mosgarantim të vazhdimësisë së shërbimit. Dhe pasojat humane janë dramatike.
Pacientë që jetojnë me dhimbje për vite. Familje që detyrohen të kërkojnë trajtim në Podgoricë, në Shkup apo jashtë Shqipërisë, sepse nuk marrin dot shërbim në vendin e tyre.
Zonja Ministre!
Kur qytetarët presin me vite për një operacion, kur repartet kritike rrezikohen nga infeksionet,
kur sistemi nuk ka kapacitet për emergjenca kombëtare, dhe kur pacientët detyrohen të largohen jashtë vendit për trajtim, atëherë nuk kemi më një problem të izoluar spitalor.
Kemi një dështim sistemik të shëndetësisë publike shqiptare. Dhe jo sepse mungojnë paratë. Sepse ju ju kushton 33 mijë euro vera dhe 10 milionë euro cokollatat, por për shëndetin e qytetarëve nuk shkoni përtej propagandës.
Por problemi nuk është vetëm Spitali i Traumës.
I gjithë sistemi shëndetësor është i sëmurë, zonja ministre.
Shëndetësia shqiptare sot është një sistem në kolaps, ku mungojnë mjekët, mungojnë ilaçet, mungojnë shërbimet, mungon dinjiteti për pacientët, ndërsa ju vazhdoni të flisni për “suksese historike”.
Le të flasim me fakte.
Nga 6037 mjekë në të gjithë vendin, 3980 janë përqendruar vetëm në Tiranë. Pra, 66% e kapaciteteve mjekësore janë grumbulluar në kryeqytet.
Ndërkohë qytetarët e rretheve detyrohen të udhëtojnë me orë të tëra për një vizitë, një operacion apo një ekzaminim jetik.
Ky nuk është sistem shëndetësor kombëtar.
Kjo është pabarazi shtetërore.
Por edhe aty ku pacientët arrijnë të marrin shërbim, shteti nuk ofron trajtimin që duhet.
Spitalet publike nuk ofrojnë shërbimet për të cilat qytetarët paguajnë taksa prej vitesh. Shqipëria ende nuk ofron paketën e transplantit të veshkës dhe as terapinë e flakjes akute të saj. Çdo pacient që ka nevojë për këto procedura detyrohet t’i drejtohet privatit ose të largohet jashtë vendit.
Pra, përballë sëmundjes, qytetari shqiptar sot ka vetëm dy zgjedhje: ose të paguajë, ose të dorëzohet.
Edhe më dramatike është situata e pacientëve me kancer.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, barnat antitumorale kanë munguar për periudha të gjata, duke rrezikuar jetën e qindra pacientëve.
Nga 253 barna antitumorale të regjistruara për import dhe rimbursim, 116 nuk janë sjellë asnjëherë gjatë katër viteve të fundit.
Nuk ka kontrata aktive për barna jetike si Actinomycin D apo Phesgo, ky i fundit i domosdoshëm për gratë me kancer gjiri.
Ndërkohë në spitale mungojnë barna thelbësore si:
Capecitabine,
Osimertinib,
Opdivo,
Yervoy,
Goserelin.
Pra, ndërsa ju flisni për reforma dhe standarde europiane, pacientët me kancer kërkojnë ilaçe derë më derë.
Ky është realiteti i shëndetësisë shqiptare.
Edhe shërbimi i dializës është një tjetër shembull i dështimit tuaj. Vetëm 7% e pacientëve e kanë marrë këtë shërbim në spitalet publike gjatë vitit 2024.
Po pjesa tjetër ku trajtohet? Në privat. Me kosto të papërballueshme për familjet shqiptare.
Dhe ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar 49 raste vonesash në furnizimin me barna jetike. Por Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka vendosur penalitete vetëm në 2 raste.
47 raste janë mbyllur në heshtje.
Pra, nuk kemi vetëm mungesë ilaçesh. Kemi mungesë përgjegjësie. Mungesë transparence.
Dhe mbi të gjitha, mungesë vullneti për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Zonja Ministre,
Shëndetësia nuk matet me konferenca shtypi dhe as me video promocionale.
Shëndetësia matet me jetët që shpëtohen.
Me pacientët që marrin trajtim në kohë.
Me qytetarët që nuk detyrohen të shesin shtëpinë për t’u kuruar.
Dhe sot, për fat të keq, sistemi që ju drejtoni ka dështuar pikërisht aty ku shteti duhet të ishte më njerëzor: te mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.
Rast Konkret denoncuar nga Osman Stafa
Ai quhet Dhimitër Qerimi. Është nga Korça.
Ai ka nevojë të bëj arteriografinë (DSA spinale).
Qsut e ka pajisjen por prej 2 vitesh nuk e ka në punë. Pra kjo ndërhyrje nuk bëhet në Qsut, këtë e tregon edhe dokumenti.
Në Fier, në Spitalin Memorial ku deklarojnë se bëhet kjo ndëryrje, e kanë çuar pacientin, dhe e kanë kthyer mbrapsht me argumentin: “kemi ngatërruar pacient”. Pra edhe Fieri nuk e ka bërë.
Duke mos bërë këtë ndërhyrje ky pacient rrezikon paralizimin dhe vdekjen(si pasojë e paralizës, duke qënë i rrezikuar nga trombozat).
Ju kërkoj ta ngrini këtë çështje dhe ta pyesni Ministren e Shëndetësisë:
1. Si do trajtohet ky pacient në mungesë të arteroigrafisë(dsa)?
2. Pse pajisja nuk vihet në punë prej 2 vitesh.
3. Pse në Spitalin Memorial Fier, nuk kryhet kjo ndërhyrje?
4. Pse nuk ia rimbursoni ndërhyrjen sa kohë nuk e kryeni?
5. Çfarë ndodh me këtë pacient nëse nuk bën DSA-në?
6. Po një pacient me goditje ishemike, ku mund ta bëj sot trombektmoninë?
7. Pse nuk bëhet trombektomia sot në QSUT?
Kjo ndërhyrje nuk është se nuk po i jepet një pacienti. Janë disa raste në ditë që shkojnë në QSUT, me goditje në kokë, dhe kanë nevojë të kryejnë arteriografinë (dsa) dhe trombektominë. Në mungesë të këtyre shërbimeve, pacienti ose mbetet i paralizuar, ose vdes. Pra edhe nëse u bie juve, apo familjarëve tuaj, përsëri do të keni të njëjtin fat.
Sepse nëse nuk ndërhyet brenda 3-6 orëve të para, fundi është i pakthim. Ose vdes, ose mbetesh i paralizuar. Pra nëse nuk reagoni për njerëzit, të paktën reagoni për veten, se askush nuk është imun nga sëmundjet.




