Bardhi: Ku është kryeministri karton, që fshihet nga Kuvendi edhe për integrimin europian!
Kryetari i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë llogaridhënieje në Kuvend lidhur me procesin e integrimit europian. Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, Bardhi deklaroi se raportimi për integrimin është përgjegjësi kushtetuese e Këshillit të Ministrave dhe se në sallë duhej të ishte vetë kryeministri, si përfaqësues i qeverisë.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e ministres së Shtetit për negociatat me Bashkimin Europian, duke e cilësuar të papranueshme që një proces i shpallur prioritet strategjik kombëtar të diskutohet pa praninë e drejtuesve përgjegjës. Bardhi e quajti Ramën kryeministër karton, duke thënë se ai paraqitet në Kuvend vetëm për votime dhe shmang përballjen me debatet parlamentare.
Gazment Bardhi: Po, është e vërtetë që diskutimi pesë orë për raportin e integrimit është dakordësuar, pra nuk u ngrit shqetësimi për këtë çështje. U ngrit shqetësimi që pse bashkohen të dyja çështjet. Dhe e vërteta është që bashkimi i dy çështjeve ka qenë një vendimmarrje e njëanshme e mazhorancës në seancë plenare. Pra nuk është një çështje e dakordësuar mes palëve. Por nuk e kërkova fjalën për këtë.
E kërkova për të sqaruar faktin që raportimi i Këshillit të Ministrave për integrimin është pjesë e llogaridhënies që qeveria jep në kuvend. Dhe ky është një raport i Këshillit të Ministrave. Dhe është kryeministri që sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përfaqëson Këshillin e Ministrave në raport me institucionet e tjera. Dhe do të duhet të ishte kryeministri në seancë që të informonte kuvendin mbi procesin e integrimit europian. Aq më shumë që ne kemi një ministër shteti përgjegjës për negociatat me Bashkimin Europian, që gjithashtu nuk është sot prezent në seancë plenare.
Zoti kryetar, nëse llogaridhënia bëhet me korrespondencë, po ju sqaroj që nuk funksionon kështu. Secili përgjigjet sipas përgjegjësive kushtetuese që ka përpara Kuvendit të Shqipërisë. Dhe nuk mund të ndodhë që ne të diskutojmë për një proces që bashkarisht, edhe në draft-rezolutën që do miratojmë, e keni quajtur prioritet strategjik mbarëkombëtar të Republikës së Shqipërisë, dhe ne nuk kemi prezent në seancë kryeministrin e vendit.
Zoti kryetar, nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë në kuvend, që nga nisja e kësaj legjislature deri më sot, ka ardhur vetëm dy herë për të votuar. Është kryeministër karton. Pra vjen vetëm kur duhet numri përkatës për votat në kuvend. Nuk ndodh në asnjë vend të botës.
Ka ardhur kur do mbronte Belinda Ballukun në kuvend, ka votuar kundër drejtësisë, erdhi edhe seancën tjetër se i duheshin 84 vota Taulantit për ligjin e shtetësisë. Pra ka ardhur dy herë, vetëm ka ngritur kartonin dy minuta dhe ka ikur. Jo, zoti kryetar, nuk funksionon kështu në asnjë vend demokratik.
Kryeministri është i detyruar të vijë dhe të japë llogari në seancë plenare, aq më tepër për një çështje që është prioritet kombëtar, siç është integrimi europian. Sa kohë ka marrë përsipër të na integrojë, pse fshihet? Të vijë këtu dhe të thotë një qëndrim për procesin e integrimit. Se nga media kemi dëgjuar që brenda një muaji ka thënë shtatë qëndrime të ndryshme.
Prandaj, zoti kryetar, duhet ta thërrisni që të vijë dhe të japë llogari. Atë edhe kryenegociatorin. Si mund të ndodhi që vjen, prezanton raportin në komisionet përgjegjëse dhe nuk vjen në seancë plenare ministrja e shtetit përgjegjëse për këtë çështje




