Rama refuzon interpelancat në Kuvend, Bardhi-Peleshit: Jep dorëheqjen, s’po zbaton Kushtetutën!

Rama refuzon interpelancat në Kuvend, Bardhi-Peleshit: Jep dorëheqjen, s’po zbaton Kushtetutën!

Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga debate të ashpra, ku deputeti i PD Gazment Bardhi ka akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e Kuvendit për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe bllokim të kontrollit parlamentar. Përplasja verbale ka kulmuar me kërkesën e Bardhit për dorëheqjen e kryeparlamentarit dhe me paralajmërimin se çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Në fjalën e tij, deputeti opozitar e cilësoi kryetarin e Kuvendit si një shkelës konstant i Kushtetutës, duke iu referuar një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Gazment Bardhi: Zoti kryetar, që ju jeni një shkelës konstant i Kushtetutës dhe i rregullores së Kuvendit, për këtë nuk kam më asnjë dyshim, sepse e keni me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Por që të bëni këtu sikur harroni gjëra, se me demek nuk e kanë mendjen deputetët e opozitës, po të them që po, ne e kemi vëmendjen në çdo moment.

Ju i keni refuzuar, siç bëni në çdo seancë, grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një interpelancë urgjente të thirrur me kryeministrin e Shqipërisë, lidhur me çështjen e AKSHI-t. Keni kthyer dje pas orarit zyrtar një përgjigje për grupin parlamentar, ku na jepni arsyet pse ju si kryetar i Kuvendit, në shkelje flagrante të nenit 80 pika 1 të Kushtetutës, refuzoni interpelancën urgjente të kërkuar me kryeministrin.

Dhe sipas rregullores së Kuvendit, neni 89 pika 3 e tij, së pari njëherë do të kishte njoftuar seancën plenare tek njoftimet, që ka ardhur një kërkesë për interpelancë dhe që ju në shkelje të Kushtetutës, në shkelje të rregullores, në shkelje të të drejtës për mbikëqyrje parlamentare të deputetëve të opozitës, e keni refuzuar dhe t’i jepni mundësinë grupit parlamentar të Partisë Demokratike, sepse nuk është dakord me këto që shkruani ju këtu, të japë argumentat e veta, sepse nuk bie dakord me refuzimin që ka bërë kryetari i Kuvendit.

Dhe ja ku jam këtu, po e them publikisht edhe për seancën plenare, të tre kërkesat e fundit që keni refuzuar për interpelancë, ne do t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese për konflikt kompetencash, sepse zotërote siç ta ka thënë Gjykata Kushtetuese në vendimin e vetëm para pak ditëve, në tejkalim flagrant të Kushtetutës, ke marrë përsipër të asgjësosh mbikëqyrjen parlamentare, të asgjësosh të drejtat e opozitës në këtë Kuvend, të asgjësosh parlamentarizmin dhe demokracinë. Dhe është përgjegjësi e juaja direkte.

Nëse ju nuk keni autoritet për të zbatuar Kushtetutën dhe për të sjellë Edi Ramën në seancë plenare, jep dorëheqjen zotëri, sepse nuk e ushtron dot detyrën e kryetarit të Kuvendit. Por ti nuk mundesh të rrish në atë karrige në kurrizin e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës, sepse ke frikë t’i thuash kryeministrit që zotëri, je i detyruar të vish dhe të japësh llogari në seancë plenare, se e ke detyrim kushtetues sipas nenit 80 pika 1 të Kushtetutës. Nuk ke guxim, ki guxim të paktën dhe dorëhiqu nga ajo pozitë….

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :