Spiropali e gjobiti, Ahmetaj kërkoi mbledhjen e akcizës, por Bankers Petroleum s`pagoi miliona euro taksa ndaj shtetit
Sot në këtë emision do të trajtojmë më hollësisht një një nga abuzimet e Bankers, atë të përdorimit të holluesit gjatë procesit teknologjik për nxjerrjen e naftës bruto nga puset. Holluesi nuk është asgjë tjetër veçse nafta normale që përdoret edhe në automjetet tona. Dieseli injektohet në puse për të holluar naftën bruto që sondat të kenë mundësi ta nxjerrin atë nga puset. Sigurisht si në çdo proces teknologjik sasia e dieselit që injektohet ka një normativë. Siç konstatohet edhe në raportin e DPT dhe AKBN kjo normativë ka qenë shumë e lartë duke rritur fiktivisht kostot dhe sigurisht duke ngritur dyshimet se kjo naftë realisht shitej në treg te konsumatorët nga pikat e karburanteve. Dhe në këtë formë këto pika vidhnin dy herë, njëherë konsumatorin sepse paguanin çmim të plotë dhe një herë shtetin pasi shitej në evazion të plotë fiskal madje dhe i përjashtuar nga taksat.
KONTROLLI NË BANKERS
Nga analiza teknike e bërë, rezulton se vlera e pajustifikuar e holluesit të përdorur për vitin 2011 është 19,330,000 (nëntëmbëdhjetë milion e treqind e tridhjetë mijë) USD. Grupi i auditimit i konsideron të pamjaftueshme argumentet e paraqitura nga kompania Bankers për të justifikuar rritjen e konsumit të holluesit dhe eliminimin e ndikimit negativ të secilit faktor në këtë rritje. Ne mendojmë se gjithë faktorët e mësipërm me ndikim direkt në rritjen e konsumit specifik të gazoilit duhet të ishin analizuar e vlerësuar në aspektin sasior e cilësor, para se të kalohej në vendimmarrjen për rritjen e këtij konsumi. Për sa më sipër, vlera prej 19,330,000 (nëntëmbëdhjetë milion e treqind e tridhjetë mijë) USD konsiderohet si kosto e parikuperueshme”
Pra vetëm në një vit kjo kompani ka rritur në mënyrë fiktive kostot për përdorimin e holluesit në vlerën 19.3 milion dollarë.
Siç ju shpjeguam dhe më sipër me këtë fenomen do merremi gjerësisht në një tjetër emision por sot ua sollëm këtë pjesë sepse holluesi dhe mos pagesa e taksave për të nga Bankers do të kthehej në problem edhe në një tjetër institucion.
Për shqiptarët kjo është zgjidhja e ofruar nga Belinda Balluku dhe Edi Rama, ndërsa ka ngritur Bordin e Transparencës që në vend të vendimeve në interes të qytetarëve merr vendime në interes të kompanive duke mbajtur çmimet më të larta në rajon dhe Europë për karburantet, e si justifikim është sistemi i taksimit. Por jo, sot do ju faktojmë se si çmimi i naftës nuk qëndron i lartë vetëm prej taksave por edhe për vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve. Ato taksa që duhet të mblidheshin pikërisht nga nxjerrja e naftës u falen kompanive, e këto qindra milionë të munguara po merren për të disajtën herë nga xhepat e shqiptarëve.
E ndërsa shqiptarët paguajnë, ministreshat e Ramës marrin përsipër të mbrojnë Bankers që të shmangë detyrimet e taksat për vite me radhë.
Në gusht të vitit 2012, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve miraton ushtrimin e kontrollit pranë Bankers Petroleum Albania për akcizën.
Nga ky kontroll rezultoi se Bankers kishte “harruar” të deklaronte e të paguante këtë taksë dhe prandaj gjobitet në vlerën 2.4 miliardë lekë ose 24 milion euro.
Sepse ustallarët e Bankersit holluesin ose naftën që përfundonte në treg e fusnin si pjesë të procesit teknologjik për të mos paguar taksa në bashkëpunim me disa operatorë në treg duke kryer jo vetëm evazion por dhe stimulonin kontrabandën.
Çështja përfundon në gjykatë ku rëndësi nuk ka pasuria e shqiptarëve por çmimi i gjyqtarëve.
Sigurisht interpretimi ligjor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ishte i saktë e për të mos lënë më asnjë hapësirë për t’u përdorur nga gjykatat tona, qeveria tashmë e majtë në dhjetor të vitit 2013 ndryshon ligjin për akcizën duke specifikuar se mbi holluesin do të paguhet akcizë pa patur më asnjë përjashtim për proceset teknologjike ku do të përdorej.
Por duket se Bankers, edhe me ndryshimet ligjore as që nuk kishte në plan që të paguante taksat, që duhet t’u ktheheshin qytetarëve. dhe për shmangien e pagesave, Drejtoria e Doganave, asokohe të drejtuara nga Elisa Spiropali vendosin të gjobisin Bankers Petroleum për mos pagesën e akcizës.
Nga ky moment fillon një kalvar i gjatë komunikimesh midis Drejtorisë së Përgjithshme të doganave dhe Bankers Petroleum, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave. Këto veprime pasqyrohen në mënyrë të detajuar në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës Vendim nr. 105 datë 25.07.2022. Sipas këtij vendimi, në shtator të vitit 2014, Dogana Fier ka ushtruar kontroll pranë subjektit Bankers dhe ka nxjerrë detyrimet për akcizën e papaguar.
Në datën 23.09.2014, sektori i akcizës pranë Degës së Doganës Fier (DDF), bazuar në aktin administrativ nr. 20805/2014, ka mbajtur procesverbalin e konstatimit nr. 2303 prot., datë 23.09.2014, duke pretenduar se kërkuesja: “Përgjatë periudhës 01.04.2014 deri në datën 23.09.2014, ka shmangur detyrimin e pagesës së akcizës për furnizimin me produktin solar (gjysmë produkt) hollues…”. Po në të njëjtën datë, DDF-ja, me shkresën nr. 2303/1 prot., datë 23.09.2014, i ka dërguar kërkueses kopje të procesverbalit dhe e ka njoftuar atë se ka 5 ditë kohë për të paraqitur me shkrim pretendimet, duke e njoftuar, gjithashtu, se në përfundim të këtij afati “DDF-ja do të procedojë me marrjen e vendimit dhe kontabilizimit të borxhit në bazë të nenit 100 të ligjit nr. 61/2012”. Ky njoftim i është dorëzuar kërkueses në datën 26.09.2014.
Me plotësim e afateve procedurale Dogana Fier e gjobit Bankers Petroleum me mbi 5 milion dollarë.
Për sa më sipër, DDF-ja, me shkresën nr. 2303/3 prot., datë 26.09.2014, i ka dërguar kërkueses vendimin nr. 133, datë 26.09.2014 “Për shpalljen debitore të shoqërisë për shumën 589.786,660 lekë në formë detyrimi të akcizës dhe shumën 1.000,000 lekë në formë sanksionesh, në favor të Administratës Doganore”.
Në vijim Dogana Fier i ka kërkuar Bankersit jo vetëm pagesën e detyrimit por e ka njoftuar për një kontroll tjetër që do të ushtrohej për muajin tetor 2014. Në këtë moment Bankers vendos t’i drejtohet gjykatës administrative.
Pas këtij momenti, kërkuesja ka paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me objekt shfuqizimin e akteve administrative të DPD-së nr. 14151 prot., datë 11.06.2014, nr. 20805 prot., datë 05.09.2014 dhe nr. 23754/2 prot., datë 13.10.2014.
Në dhjetor të vitit 2014 Gjykata administrative e shkallës së parë vendos të shfuqizojë vendimet e doganës dhe pse ligji ishte shumë i qartë, por gjykata shkon edhe më tej, vendos të pezullojë çdo vendim të autoriteteve doganore për të mbledhur detyrimin pasi vendimi i shkallës së parë nuk është i formës së prerë. Ky vendim sigurisht që ankimohet nga doganat. Në vitin 2016 Administrata Doganore ndërmerr një tjetër kontroll por nuk nxjerr dot asnjë akt administrativ, pasi Gjykata administrative e Shkallës së parë ka pezulluar jo vetëm mbledhjen e detyrimit por dhe aktet administrative të nxjerra në zbatim të ligjit për akcizën. Sot do të publikojmë një komunikim zyrtar mes Drejtorisë së Doganave dhe Ministrisë së Financave. Sipas shkresës që mban firmën e Ministrit të Financave Arben Ahmetaj, Doganat do duhet të vazhdonin të kërkonin pagesën e akcizës për holluesin.
Në zbatim të ligjit të akcizës, prej datës 1 Prill 2014, nuk ka përjashtim për karburantin që përdoret si hollues në proceset e nxjerrjes së naftës. Sipas nenit 4 pika 3/c të ligjit për mallrat e akcizës detyrimi lind në momentin e hedhjes së mallit për konsum në territor duke përfshirë edhe momentin e konsumimit të produkteve të akcizës për qëllime vetjake, brenda ambienteve të magazinës fiskale”
Pra Ministri i Financave, ai që ka propozuar ndryshimet ligjore e thotë e zeza mbi të bardhë se ligji i akcizave ndryshoi dhe tashmë Bankers duhet të paguajë.
ARBEN AHMETAJ
Në buxhetin për vitin 2017, është parashikuar shtesë në planin e akcizës vetëm për holluesin e naftës bruto në vlerë 1.3 miliardë lekë. Sa më sipër të merren të gjitha masat me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit lidhur me akcizën për holluesin
Gjykata Administrative e Apelit merr vendim në datën 1.06.2017 duke rrëzuar gjobën e vendosur nga dogana. Belinda Ikonomi, asokohe në krye të doganave rikërkon asistencë për interpretim nga organi epror për hapat e mëtejshëm, por qëndrimi i Ministrisë së Financave konfirmohet edhe në shkresën e datës 31.08.2017 të firmosur nga zv.Ministri Erion Luçi. Por Luçi shkon edhe më tej kur i kujton Doganave se një vendim gjykate për një akt administrativ nuk mund të pengojë zbatimin e ligjit.
Vendimet gjyqësore të gjykatave administrative të cilët i referohen një çështjeje konkrete në një moment të caktuar, nuk mund në asnjë rast të cenojnë zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi. Për sa më sipër të merren të gjitha masat në zbatim të ligjit për vjeljen e detyrimeve të akcizës prej hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të përmendura
Në tetor të vitit 2017, Doganat kërkojnë në Gjykatën e lartë masë pezullimi për ekzekutimin e vendimit të gjykatës së apelit administrativ deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga kjo e fundit. Pezullim i cili miratohet.
Pas këtyre komunikimeve Dega e Doganës Fier ka rinisur kontrollet pranë Bankers Petroleum Albania, ku sërish sipas përcaktimeve ligjore ka nxjerrë detyrimin për pagimin e akcizës, e në këtë moment kompania Bankers duhet të shlyente çdo qindarkë që u kishte marrë shqiptarëve dhe që për vite nuk ua kishte kthyer.




