Seanca për shpifjet e Carlos, zbulohet mashtrimi, Kalaja: Avokati i Bolinos gënjeu për vdekje në familje…
Seanca gjyqësore ndaj deputetit Belind Këlliçi, i paditur nga botuesi Carlo Bolino, është përfshirë në akuza të forta për mashtrim dhe zvarritje të procesit. Pala mbrojtëse, e përfaqësuar nga avokatja Adriana Kalaja, denoncoi se avokati i palës paditëse, ka gënjyer gjykatën duke justifikuar mungesën në një seancë të mëparshme me një fatkeqësi familjare.
Sipas avokates Kalaja, mungesa e avokatit Roshi në seancën e datës 14 prill ishte justifikuar me arsyetimin e një vdekjeje në familje. Megjithatë, ajo deklaroi se i njëjti avokat, në të njëjtën ditë, ka qenë i pranishëm në një tjetër proces gjyqësor civil duke përfaqësuar një tjetër palë. “Këtë gjë e ka pranuar sot vetë avokati i Carlo Bolinos,” theksoi Kalaja, duke e cilësuar këtë si një manovër për të abuzuar me të drejtën e mbrojtjes dhe për të vonuar procesin.
Gjykata i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të vërë në dispozicion prova të caktuara që lidhen me çështjen, por sipas avokates Kalaja, SPAK ka refuzuar t’i paraqesë ato që prej korrikut të vitit të kaluar. Ajo përmendi drejtuesit e SPAK, Altin Dumani dhe Klodian Braho, si përgjegjës për këtë vonesë
Adrian Kalaja: Ne kishim dyshime të arsyeshme për mënyrën e mungesës së personit që pretendon se është viktimë akuzuese në këtë proces penal. Ndërkohë që viktima akuzuese, ndryshe Carlo Bolino, prej muajsh refuzon të marrë pjesë në një proces që ka iniciuar vetë, me falsifikime dhe mashtrime, dërgon kërkesa për shtyrje në Gjykatën Penale, duke abuzuar në fakt dhe me të drejtën e mbrojtjes, pasi siç u vërtetua dhe sot, po edhe gjatë dokumentacionit që kemi marrë dhe na është vënë në dispozicion nga Dhoma Penale, avokati Aranit Roshi, siç duket nën presionin e një personi tjetër i cili është në kategorinë jo vetëm të një hajduti, po edhe të atij që mashtron sistemin gjyqësor, duke përdorur në fakt, të drejtat publike siç është media në shërbim të pushtetit për t’i rënë opozitës dhe zotit Berisha, arritën duke gënjyer dhe mashtruar përpara gjykatës, gjë që e pranuan dhe sot, se mungesa e avokatit në datë 14 prill ka ardhur si rezultat i një fatkeqësie tërë familjare, pra vdekje e një person i familjes.
Ndërkohë që po i njëjti avokat, në të njëjtën ditë dhe pas një ore ishte në një proces civil duke përfaqësuar një palë të paditur. Këtë gjë e ka pranuar sot vetë avokati i Carlo Bolinos dhe ndërkohë ne i kemi kërkuar gjyqtares që t’i drejtohet Dhomës së Avokatisë me një kërkesë për masë disiplinore, për të cilën në fakt edhe ne si palë do t’i drejtohemi po Dhomës së Avokatisë. Ndodhur në kushtet ku avokati i Carlo Bolinos ishte në pamundësi objektive për të mbrojtur jo vetëm palën e vet, po për të mbrojtur dhe të pambrojtshmen në lidhje me sajesën e një vdekje përpara detyrës që ka për të treguar të vërtetën përpara gjykatës, filloi ta fuste procesin në një konflikt të panevojshëm, duke ripërsëritur një debat që ne e kemi bërë, lidhur me provat që në fakt ne nuk na detyron ligji, por që vetë gjykata i ka kërkuar që të paraqiteshin nga SPAK. Dhe që nga data 21 korrik të 2025-ës, dikur Altin Dumani dhe sot Klodian Braho, nuk e dimë pse, refuzojnë t’i paraqisin këto prova përpara gjykatës.
Nga ana tjetër, sot me të drejtë gjyqtarja ngriti problemin e kompetencës, pra është kompetente për të gjykuar zotin Këlliçi Gjykata e Tiranës apo Gjykata e Posaçme. Ne argumentuam që është kompetencë e Gjykatës së Tiranës, për sa kohë që në datën kur pretendohet që ka ndodhur shpifja, zoti Këlliçi nuk ka patur mandatin e deputetit. Gjykata është tërhequr për një seancë tjetër për t’u shprehur në lidhje me kompetencën dhe në vijim të këtij gjykimi, pasi të shprehet me kompetencën, ne do shprehemi edhe lidhur me pretendimet e ankimuesit dhe lidhur edhe me provat për të cilat në fakt SPAK-u duhej ta kishte bërë me dije me kohë Gjykatën e Tiranës….




