Babëzia ka mbytur qytetet’, Pano: Po u vjedhim jetën fëmijëve, shteti ka dështuar
Linda Pano, nga Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” e ftuar ditën e sotme në emisionin Kafe Shqeto ka komentuar me tone të forta situatën alarmante të sigurisë së fëmijëve në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një realitet të dhimbshëm që kërkon reagim të menjëhershëm nga e gjithë shoqëria.
Ajo theksoi se mungesa e hapësirave të sigurta për lojë, neglizhenca institucionale dhe urbanizimi i pakontrolluar po u mohojnë fëmijëve të drejtën për një fëmijëri normale.
Sipas saj, tragjeditë e njëpasnjëshme janë kthyer në një alarm të vazhdueshëm, ndërsa reagimi publik shpesh mbetet i përkohshëm dhe harrohet shpejt.
Pano ngriti shqetësimin se fëmijët sot janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta nga rrugët dhe mungesa e hapësirave rekreative, deri te institucionet si shkollat dhe spitalet – duke e krahasuar këtë realitet me një “ambient lufte” ku prindërit jetojnë në ankth të përhershëm.
Deklarata e plotë:
“Nuk ka gjë më të tmerrshme sesa një vend të humbasi fëmijët e vet në këtë lloj mënyre. Ideja është që fëmijët kanë nevojë që të luajnë dhe kanë nevojë që të jenë të sigurt në ambientet e lagjeve të tyre dhe jo të luajnë në trotuare dhe në rrugë.
Kam përshtypjen se secili prej tyre kërkon të reagojë, të lajë duart duart e tij si Pilati. Sepse secili prej tyre ose secili prej nesh është përgjegjës për çfarë po ndodh me fëmijët.
Ne po i vjedhim fëmijëve, jo thjesht fëmijërinë. Sepse të mos kesh një vend ku të luash, është të mos jetosh fëmijërinë tënde ashtu siç duhet dhe dhe ne po u vjedhim jetën fëmijëve. Duke i lejuar, duke i ekspozuar në mes të rrezikut, të luajnë aty ku kalojnë makinat. Dhe përveç kësaj, çështja eshte se ne harrojmë shpejt.
Nuk ka shumë kohë që ka kaluar nga tragjedia e tmerrshme e atij djalit që u vra në shkollë. Dhe u bënë protesta, u diskutua, u komentua dhe u harrua.
Derisa vjen tragjedia e radhës dhe ne kuptojmë që fëmijët tanë në Shqipëri janë nën një rrezik konstant. Dhe rreziku vjen nga çdo drejtim. Rreziku vjen nga vendet që nuk ka ku të luhet, rreziku vjen nëpër spitale, rreziku vjen nëpër shkolla.
Domethënë, për mua është gati-gati si një ambient lufte. Që ti duhet të jesh alert në çdo kohë sepse nuk e di nga mund të goditesh. Dhe, është e tmerrshme. Dy fëmijët thatë ju ishin kushërinj. Por unë dëgjova që njëri prej këtyre fëmijëve kishte babain, më duket të sëmurë në spital dhe vuan prej kohësh nga një sëmundje e rëndë dhe ishte tek të afërmit e vet këtu në Shqipëri.
Dhe a mund ta imagjinoni tragjedinë e tmerrshme që kjo familje dhe dhimbjen që kjo familje po përjeton, gjithashtu familja tjetër që humbi djalin e vet dhe familja e tretë që që po lufton me jetën dhe vdekjen në spital.
Ne e kemi betonizuar qytetet në çdo drejtim dhe nuk kemi lënë asnjë pëllëmbë tokë që fëmijët të të luajnë të sigurt dhe të mund t’i nxjerrësh fëmijët në lagje, ashtu siç kemi luajtur ne në lagje kur kemi qenë të vegjël Kemi luajtur përjashta dhe prindërit tanë nuk ishin të merakosur që mund të na kanosej rreziku”.




